Takimi në zyrën e Enverit

23 mars 2021 | 12:00

Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (13)

Shkruan: Bedri Islami

Së pari, përse EH u kujtua për hartimin e këtij plani kaq sekret dhe kaq masiv në vitin 1980? Në relatat midis dy shteteve kishte pasur ngrirje të plota marrëdhëniesh, gjendje të jashtëzakonshme, ulërima, dërgim agjentësh, akte terrori në tokën shqiptare, një shkrirje të çastit në vitin 1956, pastaj përsëri akullim. Ishin dëshmuar edhe masakra të rënda ndaj popullit shqiptar në Kosovë e, megjithatë, asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një plan i tillë sekret, i cili planifikonte, as më pak e as më shumë, sesa dërgimin e ushtrisë së shtetit shqiptar për çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi. Pra, jo nuk kishte pasur asnjëherë asnjë plan të tillë, por për më tepër nuk kishte pasur asnjë tentativë të tillë. Në vitin 1980 klima mes dy shteteve nuk paralajmëronte ngrirje. Shteti shqiptar nuk kishte më asnjë aleat, ishin prishur marrëdhëniet me BS dhe me Kinën. Pra ishte një Shqipëri krejt fillikat, si kurrë ndonjëherë dhe, për më tepër, një Shqipëri me një gjendje ekonomike që po vështirësohej gjithnjë e më shumë. Me gjithë këtë akullim në lidhjet me botën e jashtme, përsëri EH i garantonte hartuesit e planit sekret të “Traktatit të Varshavës”, nga i cili Shqipëria ishte larguar në vitin 1968, se nuk do të ndërhynte. Në këtë kohë, ndodhën ngjarjet e marsit dhe kjo ishte edhe koha, kur për herë të parë, qoftë edhe teorikisht, shteti shqiptar mendon të ndërmarrë diçka që, në fakt, i binte ndesh të gjitha konventave ndërkombëtare.
Si u bë hartimi i këtij plani sekret, me emrin e koduar “Shpërthimi”. Le të sjellim një pjesë nga intervista e ish-shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj.

Takimi në zyrën e Enverit

Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, (se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si ia zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. “Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri. […]
Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: “Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva, për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?”
Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak.
Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri menjëherë ndërhyri. “Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët, edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”.
Sepse, – vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, – këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan-Prishtinë-Ferizaj-Mitrovicë-Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, e në Gjakovë-Pejë-Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd-Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec”. Kurse në drejtim të Maqedonisë, – vazhdova unë më tej – që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.
Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm.
Isha përgatitur t’i raportoja Enverit për çdo problem në strukturat e ushtrisë, por nuk e kisha menduar se thirrja ime urgjente në zyrën e tij së bashku me Mehmet Shehun do të kishte një tematikë tepër të rëndësishme, për mua, të papritur! Gjithsesi, nën efektin e “garancisë” që më afroi Enveri me shprehjen: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që forcat e Traktatit të Varshavës të mos ndërhyjnë, a mund të futemi e të çlirojmë Kosovën?”, duhej të bëja llogaritë shumë shpejt e të përgjigjesha. Të them të drejtën u shushata fare, se si ka mundësi kur ne shaheshim përditë me revizionistët e të gjitha vendeve të Lindjes e në mënyrë të veçantë me ata sovjetikë, si mund ta rregullonin këta këtë çështje luftarake kaq kapitale! Pa u menduar fare, por me një analizë të shpejtë që bëra të raportit të forcave e situatës luftarake në luftën e pritshme, i përgjigjem: “PO!”. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, e ndoshta, ky moment e kjo bisedë ka qenë i pari për mua të mësoj se ç’është politika, ku jo çdo gjë që thuhet e premtohet haptas, është e do të bëhet ashtu siç thuhet; përkundër, në të shumtën e rasteve, ndodh e kundërta!
Pasi e pranova këtë version, megjithëse jo shumë bindës për mua, duke menduar se këta kërkojnë të më fusin në valle që të bëhet një plan i ndërhyrjes ushtarake për çlirimin Kosovës dhe pastaj shohim e bëjmë sipas situatave që mund të krijohen. Enveri më merr mendimin se sa kohë më duhen ta paraqes planin tek ai dhe Mehmeti për miratim. Unë u përgjigja se kjo varet se sa persona do të punojnë për hartimin e tij. Ndërhyn Mehmeti: ”Do të punosh vetëm me një person dhe unë, (pra, Mehmeti, V. Ll.), do të jem në krye të këtij grupi pune”. Kërkova 30 ditë kohë. Enveri më thotë: ”Po të lëmë 45 ditë, por plani të jetë i argumentuar saktësisht e deri në çdo detaj nga ana ushtarake”. Marrja e detyrës u bë fakt i kryer, ishte një detyrë e vështirë, jo e lehtë, por thellë ndjeva një gëzim e kënaqësi të pa provuar. Meqenëse më lejohej të bashkëpunoja vetëm me një njeri, nuk ishte e lehtë të zgjidhja e për më tepër të vendosja vetë. Kërkova se a kishin ata ndonjë mendim se me cilin do të punoja unë. Enveri më thotë: “Zgjidhe vetë!” Propozova nja tre persona, ndër kuadrot më të lartë e më të përgatitur ushtarakë të vendit. Pasi dëgjojnë, Mehmeti i thotë Enverit: “Do të punojë vetëm me Maliq Sadushin që është zëvendësministër i Mbrojtjes, është i aftë, konspirativ, ka mbaruar akademinë ushtarake “Frunze”, ndërsa unë do të jem në krye të këtij grupi!”. Mehmeti i kishte idhuj të gjithë ata ushtarakë që kishin mbaruar akademitë ushtarake “Frunze” dhe “Vorshillov”, por Maliqi qe i përzgjedhuri i tij, edhe për faktin se ka qenë partizan i Brigadës 5 Sulmuese në çlirimin e Kosovës dhe e njihte shumë mirë terrenin, garanci kjo e domosdoshme për një planëzim e zbatim të saktë të planit luftarak. Për mua, ishte një kënaqësi tepër e veçantë se do të punoja me Maliqin për hartimin planit për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për faktin se ishim shokë, kolegë, njiheshim mirë, si dhe ishte profesionalisht tepër i aftë.

Fillimi i punës për përgatitjen e planit

Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyra do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera. Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne.
Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehu vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoi detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t’i jepte ai. Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do të merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj. Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi. Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: “Unë kaq munda t’ju jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania do të zgjasë masën e izolimit të pjesshëm në…