Takimi me shefin e Zyrës Amerikane në lagjen “Dragodan”

02 mars 2018 | 12:36

Prekazi, një krim serb i shekullit (2)

Basri Musmurati

Pas konferencës me gazetarë unë dhe Rexhep Gjergji shkuam në Zyrën Amerikane e cila kishte selinë në lagjen “Dragodan” në Prishtinë. Aty na priti shefi i Zyrës me dy persona, njeri përkthyesi e tjetri ishte person i panjohur për ne. Pasi i sqaruam ato që pamë e dëgjuam për luftimet në Prekazin e Poshtëm, posaçërisht në lagjen e Jasharëve, shefi i Zyrës Amerikane e urdhëroi atë personin, i cili tërë kohën qëndronte në këmbë, të dalë dhe të shpërndajë informatë atje ku duhej.

Në ndërkohë na sollën nga një kafe dhe vazhduam bisedën se çka mund të ndodhë më tej. Kurrë në jetën time nuk më ka ndodhur ta pi kafen aq shpejt. Më duket se e kam pirë pa e afruar mirë te buzët. Isha humbur në një farë mënyre, pasi më kujtohej se të rrethuar e të vrarë e nën rrënojat e atyre shtëpive, përveç të tjerëve, mund të ketë edhe fëmijë, pa pasur mundësi t’u ndihmohej. E di që shefi i Zyrës Amerikane më ka thënë: “Keni nevojë për ndihmë të mjekut?” Me kokë kam mohuar një gjë të tillë. Pasi përfunduam e u ngrehëm në këmbë që të dalim, Rexhepi i thotë shefit të Zyrës: “Llogaritni se aty bëhet e po vazhdon të bëhet masakër mbi fëmijë, gra, pleq e qytetarë tjerë nga ana e policisë serbe. Ju mund të ndihmoni shumë”.

Për herë të parë e pashë se Shefit të Zyrës Amerikane në Kosovë iu drodh mjekra dhe plot shqetësim na përcolli deri te dera e jashtme e objektit. U ndamë me Rexhepin, ai u nis të shkojë në shtëpi e unë u ktheva edhe një herë në Shoqatë të Shkrimtarëve te Cima (Rasimi) i cili vazhdimisht, me atë faksin e vjetruar, shpërndante informata nëpër dynja për krimet serbe në Prekaz të Poshtëm. Cima më tha: “Thirre gruan në shtëpi se ishte shqetësuar pasi dikush paska shpërnda lajm se ju dyve, ty e Rexhepin dhe shoferin Lulëzim Makolli ju ka vrarë policia serbe”. (Lulëzimi ishte djalë i ri, i mrekullueshëm për ta kryer detyrën, bile nganjëherë i padëgjueshëm se donte domosdoshmërisht të jetë afër nesh). Jo more Cimë, neve s’na gjen gjë, por ata në Prekaz po i djegin për së gjalli i thashë me gjysmë zëri.

Megjithatë, e thirra gruan dhe i thashë mirë jam, për gjysmë ore jam në shtëpi.
Kur mbërrina në shtëpi ora kishte vajtur 1:20 e natës. Përkundër që isha i lodhur dhe i tmerruar për atë që pashë e dëgjova se çka ndodhte në Prekaz, atë natë nuk munda të bëja gjumë. Sa kotesha më bëhej se dëgjoja fëmijë duke kërkuar ndihmën e prindërve, gra duke thirrur fëmijët e tyre, e plot të tjerë që i kishte marrë flaka. Ndonjëherë duhej të merrja receptorin e telefonit fiks, (telefona mobilë nuk kishim) për të dhënë ndonjë informatë atyre pak njerëzve që ma dinin numrin. Numrin e telefonit e pata siguruar nëpërmjet shumë lidhjeve e që ishte në emër të një personi i cili kishte ndërruar jetë ma herët.

Të nesërmen, 6 mars 1998 në orën 7:30 minuta dola sërish në Shoqatën e Shkrimtarëve. Për habi Ibrahim Rugova, që ishte kryetar i LDK-së, erdhi ma herët, në 8:10 minuta. Përkundër që ishte informuar nga burime të ndryshme, u interesua të merr informatat nga dora e parë. Kishte shqetësim maksimal dhe nuk kishte ide çka të bëjmë.

U morëm vesh që të thërriste një konferencë për shtyp dhe gjithashtu ai të thërriste vetë direkt personalitete të ndryshme nëpër botë, veçmas në ShBA dhe t’i njoftonte për atë çka po bëjnë policia e ushtria e Millosheviqit në Kosovë. Kërkova mendimin e tij që sërish të shkoj me dikë nga Kryesia e LDK-së në Prekazin e Epërm. Pas një qëndrimi të papërcaktuar më tha: “Ti di. Vendos vet” dhe u ndamë.

Gradualisht në seli të LDK-së filluan të vinin anëtarët e Kryesisë dhe shumë shpejt u mblodhëm shumica. Vendosëm që të shkonim në Prekazin e Epërm. Sërish me ne erdhi shoferi Luli i papritueshëm dhe i pafrikësuar. Atë ditë, sa më kujtohet, Luli kishte marrë armë më vete, një granatë dore dhe një pistoletë. Unë të shumtën e herëve merrja me vete dy granata dore, njërën e mbaja në xhep të djathtë e tjetrën në fund të këmbës së majtë nën pantallona ku e kisha rregulluar njëfarë si xhep. E kisha një përvojë se asnjëherë nuk më kishte ndaluar polica kur shkonim në varrimet e njerëzve që i vriste policia, por përcilleshim nga vetura private nga policë serbë pa uniformë.

I patëm identifikuar veturat me të cilat na përcillnin, por asnjëherë nuk kishin të njëjtat tabela dhe as të njëjtit njerëz. Kur jemi këtu, më falni për një digresion të vogël. Kur u vra Adrian Krasniqi, shkuam në varrim me gazetarin e QIK-ut Bajram Mjeku dhe, kësaj here më sa mbaj mend, shofer ka qenë Imer Reҫica. Kur arritëm te masa shumë e madhe që ishin tubuar për varrimin e këtij trimi të pashoq, më doli përpara gazetari i “Zërit të Amerikës” Ibrahim Osmani i tëri i shqetësuar. Kërkoi të skejoheshim nga turma dhe më tha: “Me ndali policia para se të arrija këtu ku jam. Më pyeten se ku po shkoja. Ju thashë se po shkoj të familja e gruas që është këtu nga një fshat afër.

Ma kërkuan letërnjoftimin. Polici që ma mori letërnjoftimin e mbante në dorë dhe herë shikonte letërnjoftimin tim e herë më shikonte mua. Duke ma kthyer letërnjoftimin më tha: “A, edhe ti po merresh me këto punë a? Ik prej kёtuhit”! Kur e pyeta Ibrahimin se pse po m’i thoshte këto mua e nuk po i thotë në radio e gazetë ku punonte. Ai m’u përgjigj: “Po ju jeni në Kryesi të LDK-së dhe ju konsiderojmë si të paprekshëm”. Kjo qe jo vetëm shokuese, por edhe trishtuese për mua, veçmas kur i dëgjoja këto fjalë nga një burrë që e çmoja për zgjuarsi dhe gazetar i agjencionit ma të fuqishëm në botë “Zëri i Amerikës. E, unë i gjori me 8 vjet burgim të kaluara në burgjet jugosllave, me dy izolime, me tortura të shpeshta, me kurriz të shtrembëruar para do kohe në Ferizaj… paskam qenë “i privilegjuar e i paprekshëm” nga kjo polici serbe kriminale. Ta kujtojmë atë populloren: Hajt dynja, hajt!

Më 6 mars, diku rreth orës 10:30 me shoferin Lulin, Alush Gashin, Fatmir Sejdiun e Rexhep Gjergjin sërish shkuam në Prekazin e Epërm. Në Galicë ishte tubuar një numër ma i madh gazetarësh të cilët së bashku me ne shumica arritën në Prekaz të Epërm. Në Prekaz të Epërm, afër shkollës, takova Haqif Mulliqin, një gazetar të mirë i cili aso kohe nxirrte gazetën e tij “Kombi”. Sa mbaj mend, Alush Gashi ishte i vetmi prej nesh që kishte telefon celular.

Punën e parë që bëri ishte se bëri një foto (sot po i thonë selfi) me shpinë nga Lagjja e Jasharëve. Aty takuam ma shumë njerëz se një ditë më parë dhe kishin arritur të kenë ma shumë informata. Njëri nga ata na kërcënoi duke na thënë se ju në Prishtinë keni shkruar në gazetën “Koha” se është vra Adem Jashari e ai është gjallë. E vërteta ishte se përveç se në Zyrën e Amerikës që e kisha përmendur emrin e tij, por jo si të vrarë, askujt tjetër nuk i kisha thënë gjë, madje as Ibrahim Rugovës. Gazeta “Koha” merrte informata nga vija tjera.

Njëri nga këta drenicasit ma dha një letër me 19 emra të cilët ishin vrarë ditën paraprake. Ai më tha se ende mund të ketë njerëz brenda rrethimit të cilët mund të jenë gjallë. Këtë, më tha se ia ka thënë njëri që ka mundur të dalë nga rrethimi. Alushin, në ndërkohë, pasi se ishte mjek, e dërguan në një shtëpi ku qëndronte personi i cili kishte dalë nga rrethimi një ditë më parë, gjegjësisht më 5 mars. Në lagjen e Jasharëve dhe përreth shiheshin policë serbë, të cilët shkrepnin armë kohë pas kohe.

Armët e rënda dëgjoheshin shumë më rrallë se një ditë ma përpara, pasi se në ditën e parë të sulmit patën rrënuar tërë Lagjen e Jasharëve. Mundësia për t’u futur në Prekaz të Poshtëm nuk ekzistonte. Nuk mund të merreshin informata të tjera se çka po ndodhte atje poshtë në Lagjen Jashari. U përpoqëm të bëjmë fotografi sa ma shumë si dokument material. Me ata pak vendas që takuam biseduam që të mos kthehen familjet njëherë në shtëpitë e tyre deri sa nuk ka një epilog. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  “L’Equipe” shkruan se trajneri i Paris Saint-Germainit, Unai Emery,…