
Talibanët kërcënojnë personat që kanë bashkëpunuar me ShBA-të
Talibanët po intensifikojnë sulmet ndaj personave, që kanë bashkëpunuar me NATO-n dhe ShBA-në, sipas një dokumenti të lëshuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“Talibanët po arrestojnë dhe po kërcënojnë se do të vrasin ose arrestojnë anëtarët e familjeve të individëve të synuar (që kanë punuar për SHBA dhe NATO), nëse nuk i dorëzohen talibanëve” shkruhet në dokument, sipas BBC.
Në dokument nënvizohet se personat që kanë punuar në ushtri, polici, ose njësi hetimore janë në rrezik të lartë.
“Talibanët kanë kryer harta paraprake të individëve para se të merrnin nën kontroll të gjitha qytetet e mëdha”, shkruhet në dokumentin konfidencial të OKB-së.
Prej 5 ditësh kaosi dhe paniku mbizotërojnë në Afanistan, që prej marrjes së pushtetit të vendit nga talibanët. Që prej 15 gushtit, qytetarët afganë janë dyndur drejt aeroportit për të shpëtuar nga grupi ekstermist.
Pavarësisht se talibanët thanë në konferencën e tyre të parë se synojnë paqen, ata kanë penguar evakuimin e afganëve, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave në aeroportin e Kabulit.