Tarafi i Mahallës së të Marrëve

10 tetor 2025 | 14:09

Selajdin Abdullahu

Skena politike shqiptare jashtë shtetit amë, Shqipërisë, kurrë nuk ka qenë më e keqe se sot – si në polarizimin e brendshëm, ashtu edhe në raportet ndërkombëtare. Duke i analizuar që nga rilindasit e deri në periudhat e mëvonshme, gjuha e përdorur nga politikanët e sotëm është shumë e ulët dhe denigruese. Këtë gjuhë e shpiku Sali Berisha, e kultivoi “Bota sot” dhe po e vazhdon qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës.
Duke dështuar thuajse në të gjitha drejtimet – si në zhvillimin ekonomik ashtu edhe në përmbushjen e premtimeve të parealizuara – Kosova ndodhet sot e izoluar ndërkombëtarisht. Si “sukses” i vetëm paraqitet “çlirimi i Mitrovicës Veriore”. Ndërhyrja në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke përkrahur VLEN-in dhe neofashistin pro-serbo-rus, kryeministrin Mickovski – një antishqiptar i dëshmuar – nuk ka nevojë për koment.
Tentimi për të eliminuar krahun e luftës në Maqedoninë e Veriut është miopi politike dhe veprim antikombëtar me pasoja afatgjata në proceset politike. Kjo të kujton thënien e urtë: “Preja kokën, se trupi bie vetë.” Stigmatizimi dhe “prerja e kokave” të dëshmuara kombëtare kanë filluar prej vitesh nga një taraf i strukturuar, në sinkron me propagandën serbo-ruse: dëshmitarë të rremë, dërgim dosjesh në Hagë, luftë e brendshme dhe raporte të përkeqësuara ndërkombëtare të Republikës – të cilat as D. Qosiqi nuk do t’i kishte imagjinuar.
Në këto zhvillime dramatike që po ndodhin, duket se kanë rënë në gjumë të thellë intelektualët, ASHA, historianët dhe të gjithë ata që duhej të reagonin. Në këtë realitet negativ më kujtohet Asdreni me poezinë e tij:
“Kur në Kosovë mbulon egërsira, për të zhdukur çdo gjë mbi dhé…”
Mjafton të hapësh Facebook-un për të lexuar komentet e “të marrëve”, që në 98% të tyre shkruajnë me gabime trashanike – analfabetë funksionalë, siç i cilëson partia në pushtet.
Përpjekjet për të eliminuar dhe diskredituar figurat e UÇK-së, njerëzit që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në shërbim të kombit dhe atdheut, na kujtojnë proverbin kinez:
“Kur mungon luani, majmuni bëhet mbret.”
Historia e pas Luftës së Dytë Botërore ka krijuar në momente të caktuara figura të shquara historike si Adem Demaçi – simbol i rezistencës – dhe Adem Jashari, bashkë me qindra të tjerë. Përpjekjet e sotme për të krijuar “heronj të rinj” me protesta kundër pavarësisë dhe me hedhjen e gazlotsjellësit në parlament janë absurditet i kohës.
Propagandës dhe projekteve të krijuara antishqiptare nga I. Garashanini, I. Andriqi e V. Çubrilloviqi, të trasuara nga D. Qosiqi dhe të kultivuara në mënyrë djallëzore nga A. Vuçiqi, I. Daçiqi e M. Drecuni – me ndërtimin e “shtëpisë së gënjeshtrave”, siç do ta quante zëdhënësi i NATO-s, Xh. Shia – janë bërë pre shumë portale, faqe të zeza, analfabetë funksionalë dhe njerëz mediokër që i kemi me bollëk në mesin tonë.
Dështimet tona janë të përgjithshme: Ministria e Jashtme – që nuk e njeh as ABC-në e politikës ndërkombëtare; Ministria e Drejtësisë – një mediokre; Ministria e Shëndetësisë – drejtuar nga një mjek nën mesataren, ndërkohë që Kosova i ka me tepricë të tillë; Ministria e Arsimit – që më shumë i ngjan “Ministrisë së Mjerimit”.
Raportet ndërshqiptare janë në pikën më të ulët që kanë ekzistuar ndonjëherë. Madje, raportet Kosovë-Shqipëri ishin më të mira edhe në kohën e ish-Jugosllavisë.
I gjithë ky lëmsh që kemi krijuar ndër ne nuk do të mund ta shpjegonte as psikoanalisti Sigmund Frojdi.
Në këtë gjurulldi që po jetojmë, për fatin tonë, Shqipëria me politikën e saj gjithnjë e më mbresëlënëse, duke e bërë Tiranën qendër të Ballkanit Perëndimor, na jep shpresë për një të ardhme dhe një dritë në fund të tunelit.
Na priftë e mbara në këto kohë të turbullta!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tringa Berisha është specialiste e fushën së marketingut. Tringa e…