
Taravari: Nëse nuk zgjidhet puna e përfaqësimit të shqiptarëve në qeveri, Maqedonia duhet të shkojë në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka bërë me dije se pas largimi të këtij subjekti politik Qeveria e Maqedonisë së Veriun nuk i përfaqëson shqiptarët.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka deklaruar se tashmë shumica e deputetëve shqiptarë janë në opozitë.
“Në shtetin multietnik të Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët janë shtetformues, duhet të ketë një Qeveri që i përfaqëson të gjithë, dhe jo një Qeveri maqedonase si është kjo që mbeti pas ikjes tonë, me vetëm 9 deputetë shqiptarë. Deputetët përfaqësojnë njerëzit, e nuk mund të pretendohet se shqiptarët janë të përfaqësuar në qeveri ku shumica dërrmuese e deputetëve shqiptarë janë në opozitë”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se nëse qeveria maqedonase nuk e zgjidh çështjen e përfaqesiit të shqiptarev, Maqedonia duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Zgjedhjet janë kosto financiare për shtetin, dhe parimisht unë nuk jam për Zgjedhje të parakohshme por nëse nuk zgjidhet puna e përfaqësimit të shqiptarëve në Qeveri, Zgjedhjet e Parakohshme do jenë të pashmangshme”, ka thënë Taravari.