
Tare flet për kaosin e krijuar rreth situatës me Boniface
Drejtori i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse do të nënshkruajnë me Victor Boniface nga Bayer Leverkusen, pas një sërë kontrollesh mjekësore.
Pyetjet për Taren ishin të pashmangshme dhe lidhen me Boniface, i cili prej dy ditësh i është nënshtruar kontrolleve mjekësore të thelluara dhe ende nuk e ka kompletuar transferimin nga Bayer Leverkusen.
“Nuk ka pasur kontrolle shtesë. Ne e dinim që kishte pasur probleme në të kaluarën, po e vlerësojmë gjithçka sipas planit, sa i përket shëndetit dhe formës fizike së lojtarit”.
“Cilësitë e tij nuk vihen në dyshim. Thjesht po përpiqemi të marrim vendimin e duhur për këtë situatë”, ka thënë Tare për DAZN Italia.
Marrëveshja parashihte një huazim me pagesë, me mundësi blerjeje në fund të sezonit për një shumë totale rreth 30 milionë euro.
Sipas raportimeve, Milani po shqyrton mundësinë për të kërkuar një zbritje në çmimin e huazimit, duke ruajtur opsionin për ta blerë Boniface pas përfundimit të sezonit.