
Të dielën pensionohet Mats Hummels
Të dielën, përballja miqësore mes Borussia Dortmundit dhe Juventusit nuk do të jetë vetëm një ndeshje luksi verore, por edhe një moment historik për klubin gjerman.
Ajo do të shënojë largimin përfundimtar nga futbolli i luajtur i Mats Hummels, një prej figurave më të dashura dhe simbol i skuadrës verdhezi.
Mbrojtësi gjerman, i cili ka mbajtur për vite me radhë shiritin e kapitenit dhe ka qenë një prej liderëve në fushë dhe jashtë saj, do të zbresë për herë të fundit në fushë me fanellën e Borussia Dortmundit.
Sipas planit, Hummels do të luajë disa minuta simbolike, për t’u dhënë mundësinë tifozëve dhe ish-shokëve të ekipit ta përshëndesin siç e meriton.
Kjo ditë do të jetë një festë e vërtetë për historinë e klubit, ku tributat dhe emocionet do të dominojnë mbi rezultatin. Mats Hummels, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Borussia Dortmundit dhe të futbollit gjerman, do të mbyllë një karrierë të mbushur me tituj, paraqitje të shkëlqyera dhe momente të paharrueshme.