Të gjithë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Marshin “Drejtësi, jo politikë” po merr përkrahje të madhe
Marshi “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të organizohet më 17 shkurt në Prishtinë, po merr përkrahje të madhe.
Qytetarë, studentë, politikanë, sindikata e organizata të ndryshme kanë dalë në mbështetje të këtij marshi.
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” çdo ditë po marrin përkrahje për këtë organizim, i cili do të jetë një solidarizim për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Vetëm në 24 orët e fundit, pro këtij marshi kanë janë shprehur disa kryetarë të komunave dhe sindikata të Kosovës.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka dalë në mbështetje të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë në Prishtinë.
Pas konsultimeve me strukturat sindikale, kryesia e SBASHK) ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”.
Në njoftimin e saj, SBASHK thekson se kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike, pasi shumë nga çlirimtarët e UÇK-së ishin njëkohësisht arsimtarë dhe punëtorë të arsimit
“Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar. Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës”, është thënë në njoftim e SBAShK-ut.
Po ashtu, gjatë ditës së premte disa kryetar të komunave iu kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre për të iu bashkua këtij marshin.
Njeri nga ta është edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Më 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të gjithë kemi një vendtakim të përbashkët: 📍 Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë. 🕑 Ora 14:00. Të bashkohemi në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të vlerave dhe lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për burrat që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, për themeltarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo është thirrje për dinjitetin tonë, për të vërtetën e historisë sonë më të re!”, ka shkruar Lushtaku në profilin e tij në Facebook.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.



