Të hënën në Kanal 10 shfaqet dokumentari “Dhimbja që nuk harrohet” i autorit Kushtrim Sadiku

24 janar 2026 | 10:23

Të hënën, në Kanal 10, do të shfaqet premiera e dokumentarit më të ri të autorit dhe gazetarit Kushtrim Sadiku, me titull “Dhimbja që nuk harrohet”.

Dokumentari është realizuar në Izrael gjatë fundit të vitit 2025 dhe sjell rrëfime e pamje ekskluzive mbi sulmet terroriste të 7 tetorit, si dhe zhvillimet që pasuan deri në hartimin e planit të paqes të iniciuar nga Presidenti amerikan Donald Trump. Projekti ofron një trajtim të thellë, autentik dhe analitik të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në rrafshin ndërkombëtar.

Premiera do të shënohet me një mbrëmje të veçantë, ku përveç transmetimit televiziv, ambientet e Kanal 10 do të shndërrohen në një kinema, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, korit diplomatik, shoqërisë civile, medias dhe botës së biznesit.

Në fokus të dokumentarit është edhe marrëdhënia e veçantë ndërmjet shqiptarëve dhe izraelitëve, që nga periudha e Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, lufta e Kosovës, e deri te raportet aktuale mes dy shteteve të pavarura.

Autorit i janë bashkuar në realizimin e këtij projekti kameramani Prekë Karaqi, producentja Shqipe Vishaj, kompozitori Agron Shala, si dhe montazheri dhe producenti i postproduksionit Krenar Bajqinovci. Në dokumentar janë përdorur gjithashtu materiale arkivore nga Israel Digital Center, TV I24 dhe muzeu Yad Vashem, si dhe fotografi të luftës së Kosovës nga maestro Hazir Reka.

Produksioni është realizuar në bashkëpunim me ekipin në Izrael dhe Televizionin e gazetarëve – Kanalin 10.

Premiera e dokumentarit “Dhimbja që nuk harrohet” transmetohet të hënën në Kanal 10, në një mbrëmje speciale që e shndërron televizionin në një skenë të rëndësishme të trajtimit të zhvillimeve kryesore ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Michelle Obama ka zgjedhur të flasë hapur për një nga…