Të jetosh në 1981-n pa qenë i lindur në atë kohë
Nga: Albin Mehmeti
Të dëgjosh dhe të jetosh në vitin 1981 janë dy gjëra të ndryshme. Të dëgjosh për diçka do të thotë të informohesh, kurse të jetosh do të thotë që atë ngjarje ta përjetosh. Por, ta përjetosh duke lexuar është gjë e rrallë, por ja që më ndodhi teksa lexoja librin “1981” të Agron Shalës.
Përjetimi i librit fillon që nga kapitulli i parë, që vetë autori e quan “Një”, ku flet për ndarjen në ne dhe ata, për peripecitë të jetosh si shqiptar brenda një sistemi, ku ishte krijuar ndarja e madhe mes kombeve, ku ne (pra shqiptarët) ishim fajtorët për çdo gjë që ndodhte përreth, por që faji jonë më i madh ishte se ne ishim pa zot e pa shtet, dhe se nuk kishte kush të na mbronte. Këtu, autori ndalet duke përmendur sivëllezërit e heronjve të nazifashizmit, pra revolucionarët e LNÇ-së, të cilët luftuan kundër një ideologjie të egër për ta sjellë një robëri për një popull të tërë. Këtu mbase edhe fillon përplasje e madhe e autorit me bashkëkombësit e vet, të cilët ende jetojnë me iluzionet e parajsës socialiste jugosllave dhe mendojnë se atëherë ne dhe ata ishim njëlloj, se ne dhe ata jetuam nën hijen e një pushteti i cili për të dy palët ishte nënë, dhe jo nënë e njerkë siç thonë intelektualët e vërtetë dhe ata të cilët e ndalën edhe këtë ndarje.
Pas këtij kapitulli autori fillon të përqendrohet në atë se çfarë e lidh autorin me këtë vit. Autori thotë se ishte pikërisht viti 1981 dhe skenat e protestave ato që atë e zgjuan nga ajo që psikologët e quajnë amnezia infantile. Kjo sipas psikologëve është koha kur fëmijët nuk dinë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe. Ky kthim i kujtesës, apo më mirë të themi kjo vetëdije e autorit për gjërat që ndodhin bëjnë që individi ta merr rolin e kolektivitetit. Tani, kujtesa e autorit ndërlidhet me dijen a vetëdijen kombëtare, (vetë)dije e cila ishte shuar e venitur nga ideologjia komuniste dhe idetë utopiste të bashkim-vëllazërimit. Pikërisht në këtë kapitull, autori jep informacione të detajuara për komunizmin, shfaqjen e tij në botë si ide dhe më pas praktikë, si dhe raportin e tij me shoqërinë e historinë. Ai ilustron me shembuj sesi komunizmi ishte vetëm një utopi, ku shqiptarët kishin rënë në grackë të kësaj ideje dhe gjithë “zhvillimi” ekonomik ishte një pasqyrim jo real i kohës. Ai tregon se si në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova kishte zhvillimin ekonomik të vendeve të treta, kurse Sllovenia kishte nivel ekonomik aq të lartë, saqë krahasohej me shtetet e zhvilluara të Evropës.