
Të miturit gjithnjë e më shpesh në shënjestër të propagandës terroriste, paralajmëron EUROPOL-i
Agjencia Evropiane e Policisë (EUROPOL) bëri të ditur se pas një operacioni të gjerë në fund të muajit maj, ka hequr nga interneti mbi 2.000 linqe që përmbanin propagandë xhihadiste dhe ekstremiste të djathtë, e cila kishte për synim të shënjestronte të miturit.
Në këtë aksion morën pjesë Shqipëria, Austria, Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Çekia, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Malta, Portugalia, Serbia, Sllovenia, Spanja, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ky aksion i Agjencisë policore të Bashkimit Evropian vjen vetëm disa javë pasi EUROPOL-i krijoi një grup të ri operacional të punës, të dedikuar për luftimin e praktikës gjithnjë e më të përhapur të rekrutimit të të miturve në krim të organizuar dhe të rëndë. “Grupet terroriste gjithnjë e më shpesh i synojnë të rinjtë, duke shfrytëzuar dobësitë e tyre, por edhe aftësinë e tyre për të përdorur mjete digjitale, për të përhapur ide të dhunshme dhe ekstremiste”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle. “Mbrojtja e fëmijëve nga shfrytëzimi nga rrjetet kriminale është një nga prioritetet tona kryesore”, theksoi ajo.
Sipas EUROPOL-it, propaganda shpesh përfshin: kombinime të imazheve të fëmijëve me mesazhe ekstremiste, përmbajtje në formë memesh dhe video të shkurtra me elemente nga lojërat kompjuterike, glorifikim të të miturve që kanë marrë pjesë në sulme terroriste – ku djemtë paraqiten si “luftëtarë” dhe “shpresa e shoqërisë”, ndërsa vajzat si mbështetëse të luftëtarëve të ardhshëm.