Të ndalet praktika e të punuarit edhe në QKUK edhe në ordinanca private

25 mars 2019 | 11:50

Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), prof. dr. Arsim Morina, ka thënë se duhet të ndërpritet ndarja e buxhetit për shërbime jashtë vendit në mënyrë që ky buxhet të investohet në Kosovë, por përjashtim të kenë vetëm rastet specifike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se ka raste kur pacientët me tumor kanë kërkuar ndihmë mjekësore jashtë vendit, por shpëtimin e kanë gjetur sërish në Kosovë, në Klinikën e Neurokirurgjisë.

Ai ka thënë se është kundër praktikës që mjekët të punojnë edhe në sektorin publik, edhe në atë privat. Morina ka thënë se dikujt po i konvenon që të kontrabandojë me pacientët nga sektori publik në atë privat.

Në këtë intervistë, Morina ka folur edhe për ikjen e kuadrit shëndetësor nga Kosova. Ai ka thënë se Kosovën po e lënë profesionistët, ata që kanë përfunduar fakultetin dhe specializimin me meritë

“Epoka e re”: Z. Morina, në çfarë kushtesh po punohet në QKUK, konkretisht në Klinikën e Neurokirurgjisë?
Morina: Qendra jonë është e vetmja në Kosovë që kemi edhe pacientë të cilët gravitojnë nga Kosova Lindore dhe Mali i Zi por, fatkeqësisht, jemi të limituar sa i përket hapësirës dhe aktualisht punojmë vetëm me një sallë operative. Për disa sëmundje jemi të detyruar të bëjmë listë të pritjes, pasi gjatë një dite në të shumtën e rasteve mund të operohet vetëm një person. Ta kishim edhe sallën tjetër të cilën na shfrytëzon kirurgjia plastike nuk do të kishte listë të gjatë të pritjes së pacientëve për operim. Ajo sallë është në plan të lirohet. Pra, ta kishim në shfrytëzim do të mund t’i kryenim dhe tri operime të tjera në sallën tjetër operative, njëkohësisht ditët e qëndrimit në spital do të ishin shumë më të vogla. Derisa unë do ta kryeja një operim të rëndë të tumorit, kolegët në sallën tjetër do të mund t’i kryenin operimet e tjera më të lehta dhe nuk do të kishim listë të pritjes aq gjatë. Shëndetësia në Kosovë ka disa shtylla që duhet të ketë progres, në ndarje mes sektorit publik dhe ordinancave private. Pastaj duhet të ndërpritet ndarja e buxhetit për shërbime jashtë vendit, në mënyrë që ky buxhet të investohet në Kosovë. Pra, aty ku nuk ka pajisje të blihen e aty ku nuk dihet të punohet, të mësohemi të punojmë. Të gjitha rastet duhet të trajtohen në Kosovë nëse jemi shtet i pavarur. Në këtë mënyrë do ta eliminojmë listën e pritjes e cila po i konvenon dikujt që të kontrabandojë me pacientët nga sektori publik në atë privat.

“Epoka e re”: A ka kuadro të mjaftueshëm në Klinikën e Neurokirurgjisë?
Morina: Në vazhdimësi ka nevojë për kuadër profesional dhe për pajisje profesionale. Keni parasysh se për lëmin tonë nevojiten gjashtë vjet specializim, për faktin se është lëmë i rëndë dhe për atë dhe llogaritet ‘mbretëresha e kirurgjisë’. Në lëmenjtë e tjerë mund të ketë riprovim nëse ka dëmtim të një zorre dhe pas një kohe shfaqet nevoja për të intervenuar, pastaj sërish mund të pritet, aq sa është e nevojshme. Kurse te lëmi ynë, nëse e bëjmë një gabim, nuk ka kthim pas, do të thotë nuk ka riprovim. Prandaj gjithë kohën punohet kur ka gjak. Nuk mund të ndalet qarkullimi i gjakut në tru dhe të punojmë lirshëm siç është në lëmenjtë e tjerë. Edhe në Kardiokirurgji ndalet zemra, operohet dhe s’ka gjakderdhje, pasi punon aparatura, kurse ne nuk mund ta ndalim qarkullimin e gjakut.

 “Epoka e re”: Kemi një trend të ikjes së mjekëve dhe infermierëve nga Kosova. A po rrezikohemi për deficit të kudrave të mjekësisë?
Morina: Fatkeqësisht, për të dalë jashtë vendit ka tendencë të profesionistëve dhe atyre që e kanë përfunduar fakultetin dhe specializimin me meritë. Pra, nuk dalin kuadrot që janë më pak të përgatitura, pasi ata shfrytëzojnë lidhje të ndryshme dhe stabilizohen. Numerikisht nuk është numër i lartë, por kualitativisht po. Studentët më të mirë nuk gjejnë vend të punës dhe nuk u jepet e drejta për specializim, pastaj janë të detyruar ta marrin rrugën e kurbetit. Kjo është brengë. Edhe unë djalin tim e kam jashtë shtetit, në Gjermani. Me profesion është neokirurg. Ka studiuar në Gjermani dhe ka mbetur atje, si shumë të tjerë.

“Epoka e re”: A do të ketë konkurs për specializim, edhe pse kjo varet nga Ministria e Shëndetësisë?
Morina: Fatkeqësisht, çështja e specializimit është e centralizuar dhe kjo varet nga Ministria e Shëndetësisë. Ka vite që bëj kërkesa për pranim të specializimit, por kandidatët përzgjidhen nga Ministria e Shëndetësisë. Në vendet perëndimore ai që plotëson kriteret pranohet, kurse te ne ndodh që të pranohet lista që e sjell Ministria e Shëndetësisë. Një gjë e tillë duhet të ndryshohet, në mënyrë që përzgjedhja të bëhet nga ana jonë.

“Epoka e re”: Për cilët lëmë ka më së shumti nevojë për specializim?
Morina: Secili drejtor i klinikës në QKUK i bënë kërkesat aq sa ka nevojë. Mund të them se ne tani kemi nevojë për pesë specializantë, por kjo varet nga Ministria e Shëndetësisë kur shpallet konkursi. Megjithatë, prapëseprapë jemi të pafuqishëm në këtë drejtim, pasi përzgjedhja bëhet nga ministria.

“Epoka e re”: Rrija e pagave, a është stimuluese për mjekët ashtu siç është paraparë në Ligjin për nivelizim pagash?
Morina: Ende nuk i kanë marrë pagat me rritje derisa Ligji të hyjë në fuqi. Unë nuk jam ithtar që rritja të bëhet ashtu gjenerale në mënyrë uniforme. Duhet të ndërrohet kjo praktikë. Të shikohet ashtu siç e kanë bërë shumë vende evropiane, tash së fundi edhe Kroacia. Gjithashtu, duhet ta ndalim praktikën e të punuarit edhe në QKUK edhe në ordinanca private. Kush dëshiron të punojë në ordinancë private le të urdhërojë dhe paga më pas t’u rritet atyre që vendosin t’i rrinë besnik sektorit shtetëror. E përsëris, nuk mendoj se rritja e pagave do të duhej të bëhej në mënyrë uniforme.

“Epoka e re”: Paraprakisht më thatë se ju nuk punoni në ordinanca private. Rast i rrallë të dëgjohet në Kosovë.
Morina: Është konflikt interesi të punohet edhe në sektor publik, edhe në atë privat, pasi kjo shërben si trampolinë e kontrabandimit të pacientëve. E shihni si kanë mbirë ordinancat private si kërpudhat, madje edhe në oborrin e spitalit është një e ashtuquajtur ‘Klinikë Amerikane’, e mos të flasim për kilometra më larg ku janë qindra ordinanca private. Nga aeroplani shihet se është konflikt interesi. Nëse dikujt i duken pagat e vogla në spital, le të urdhërojë të punojë në ordinancë private dhe vetëm atyre që mbesin të përkushtuar në spitale shtetërore t’u rriten pagat.

“Epoka e re”: Cila është zgjidhja që duhet të bëhet në këtë rast sa iu përket ordinancave private, në mënyrë që t’i shmanget konfliktit të interesit?
Morina: Së pari duhet të verifikohen kredencialet. Ju e dini pas luftës disa individë se si kanë dalë të specializuar, duke sjell diploma nga kahmos. Pra, duhet të vërtetohet validiteti i diplomave, pastaj ka shumë dyshime se si i kanë marrë licencat e punës për të gjitha lëmenjtë. Mos të harrojmë se kemi mori specializantësh që po kërkojnë punë. Prapë dua të ndërlidhem tek ordinancat private të cilat po bëjnë konkurrencë jolojale në këtë drejtim, duke bërë që shumë mjekë t’i zënë dy vende të punës. Me ndarjen e publikes nga privatja do të krijoheshin shumë vende për mjekët e rinj, prandaj s’ka kurrfarë logjike që të punohet në të dy sektorët. Derisa të vazhdojë kjo punë kështu, atëherë kjo shkon në interes për trafikim të pacientëve dhe ordinancat private do të shërbejnë si trampolinë. Sektorin shtetëror nuk duhet ta dëmtojë asgjë. Atij që i konvenon për të punuar në QKUK le të punojë, nëse jo, le ta vazhdojë punën në ordinanca private dhe kështu lirohet rruga për mjekët e rinj. Për këtë kompetencë është Ministria e Shëndetësisë dhe deputetët e zgjedhur nga populli, të cilët duhet t’i japin zgjidhje këtij problemi. Gjithkund në botë gravitojnë nga spitalet e vogla në të shtetit, e jo të dërgohen pacientët nga QKUK-ja në ordinanca private. Kur pacientët po kanë implikime, na i sjellin në QKUK. Kjo më të vërtetë është dukuri shqetësuese. Unë për vete loboj që të ndalet kjo dukuri, pasi QKUK-së askush nuk mund t’i bëjë konkurrencë.

“Epoka e re”: Z. Morina, cilat janë rastet më të komplikuara në të cilat intervenoni në QKUK?
Morina: Rastet që janë më sfiduese kanë të bëjnë me kirurgjinë e enëve të gjakut të trurit. Këto raste janë mjaft interesante dhe sfiduese, por edhe të rënda. Pastaj janë tumoret e bazës së trurit që zgjasin me orë të tëra, deri në 12 orë mund zgjasë një operacion. Kjo është edhe sfidë, por në anën tjetër edhe kënaqësi, kur pas operimit pacienti është mirë. Këto ditë ne kishim një pacient, me mbiemrin Maloku, operacioni i të cilit zgjati gjashtë orë. Ne në Neurokirurgji intervenuam në një rast, ku pacienti më parë kishte qenë në Beograd për operim dhe ne përmirësuam gabimet e tyre.

“Epoka e re”: Është sfiduese të qëndrosh 12 orë në sallë operacioni?
Morina: Koha në sallën e operacionit kalon shumë shpejt pasi je i koncentruar në punën që bën dhe fare nuk je i koncentruar se sa orë mund të zgjasë. Nuk ndien as etje, as lodhje dhe as uri. Vetëm në fund sheh sa ka shkuar ora.

“Epoka e re”: Kemi një numër të madh të pacientëve të cilët po kërkojnë shërim jashtë vendit, në Beograd, Shkup dhe Tiranë, në saje të pritjeve të gjata në QKUK?
Morina: Nuk dua të ndalem as te Beogradi, Shkupi apo Tirana. Pacientët tanë duhet të shërohen në Kosovë pasi tanimë jemi shtet. Duhet ta heqim listën e pritjeve dhe të na lirohet salla në Neurokirurgji. Në gjithë këtë drejtim vetëm nevojitet vullnet dhe automatikisht hiqet lista e pritjes. Pacientët duhet të dalin jashtë vendit vetëm në raste shumë specifike, shembull nëse kanë nevojë për metoda të kirurgjisë me atë të ‘gama rrezeve’, pasi aparaturat janë të shtrenjta dhe për një shtet prej dy milionë banorësh nuk ia vlen të blihen pajisje milionëshe, atëherë rastet e tilla logjikisht mund të kërkonin ndihmë jashtë vendit, por jo edhe për sëmundjet e tjera. Prandaj duhet të bëhet një plan i mirëfilltë, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

“Epoka e re”: Z. Morina, cili është mesazhi juaj për studentët që studiojnë mjekësinë?
Morina: Të punojnë sa më shumë dhe me shumë vullnet, pra jo me zor. Studentët jo që duhet ta kryejnë mjekësinë dhe punën e mjekut, por duhet të ndiejnë kënaqësi për punën që bëjnë. Të jenë të mirësjellshëm me pacientët pasi cilado patologji apo sëmundje është armik i përbashkët, edhe i pacientit, por edhe i mjekut. Këtë armik as pacienti nuk mund ta luftojë vetë, por as mjeku nuk mund ta luftojë pa pacientin. Prandaj ata duhet të jenë së bashku kundër armikut të përbashkët dhe punën duhet ta kryejnë me seriozitet dhe përkushtim.

(Albulena S. MAVRAJ)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për “Süddeutsche…