Të paktën tre të vdekur, shumë lëndime, aksidente të shumta të makinave, anulime të trenave…

10 janar 2026 | 11:48

Në Gjermani edhe më tej në shumë zona po bie borë, ndërsa rrugët janë të rrezikshme – me borë e ngrica. Situata ngadal po qetësohet, por edhe më tej bëhet thirrje që të keni shumë kujdes.

Kompania e Hekurudhave Deutsche Bahn ka njoftuar se sot gradualisht do të rifillojë me qarkullimin e trenave në distanca të gjata në Gjermaninë veriore, ku dje janë ndërprerë shërbimet.

Trenat e distancave të gjata duhet të fillojnë të qarkullojnë përsëri në linjat Hamburg-Berlin dhe Hamburg-Frankfurt rreth orës 10:00 të mëngjesit. Por kompania paralajmëroi se ndërprerjet dhe anulimet e trenave priten ende në të gjithë vendin.

Ndaj, nëse keni nevojë të udhëtoni me trena duhet të informoheni paraprakisht në aplikacionin DB Navigator dhe në faqen e internetit të Deutsche Bahn.

Në shumë pjesë të Gjermanisë ka pasur për fat të keq edhe aksidente të shumta me makina, kamionë dhe automjete të tjera. Ka pasur edhe viktimë dhe shumë të lënduar. Njoftohet për të paktën tre të vdekur si pasojë e aksidenteve në Bavari.

Policia bën thirrje që të shmangen udhëtimet nëse është e mundur. Edhe Shërbimi meteorologjik paralajmëron për kujdes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll për qarkullim…