Të rimenduarit dhe të rishkruarit e historisë sonë kombëtare

22 gusht 2019 | 16:09

IBRAHIM GASHI

Historia si disiplinë moderne akademike dhe lëndë shkollore është kudo e lidhur ngushtë me shfaqjen e një vetëdije politike e kombëtare. Debatet rreth historisë në masë të madhe kanë qenë në lidhje me vendin e historisë kombëtare në arenën ndërkombëtare dhe prezantimin e saj në programet shkollore të historisë.

Kohët e fundit edhe ndër ne ka filluar të zhvillohet debati lidhur me nevojën e të rimenduarit dhe të rishkruarit të historisë sonë kombëtare, me theks të veçantë, atë pjesë të historisë që zë vend në tekstet shkollore të historisë. Por, për fat të keq, ky debat ka filluar jo si nevojë imediate e rishikimit dhe rishkrimit të historisë nga vetë historiografia jonë, por më tepër si pasojë e një presioni nga shtete të huaja që një pjesë të historisë së tyre e kanë të lidhur me gjeografinë dhe etninë shqiptare dhe të kaluarën e saj.

Ç’është e vërteta, historiografia jonë, por edha ajo e vendeve të rajonit, ka ngelur prapa në një proces të rimendimit dhe rishkrimit të historisë, i cili ka filluar në fillim të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe në ShBA. Të parët në këtë proces kanë hyrë institucionet akademike dhe shtetërore të Britanisë, përmes Ligjit mbi Reformën Arsimore (ERA), i cili drejtpërdrejt ka iniciuar nevojën e rishikimit të kurrikulumeve të historisë (Historical Curriculums) dhe të syllabuseve të lëndës së historisë për shkollat fillore dhe të mesme. Paraprakisht sugjerimet i ka sjellë Grupi Kombëtar i Kurrikulumeve të Historisë (NCWGH). Debati që filloi të zhvillohej u cilësua me të drejtë si debati mbi “historinë e historisë së Britanisë së Madhe”. Fuqia e debatit u orientua më tepër në pjesën e mësimit të përmbajtjeve historike në sistemin e arsimimit britanik në të gjitha nivelet.

Robert Phillips në librin History teaching, Nationhood and the State-a studies in educational politics shprehet se esenca e këtij procesi ishte që “sistemi edukativ të mos predominojë nga faktet historike”, pra të evitohet çfarëdolloj politizimi dhe përdorimi i fakteve historike për ta forcuar imagjinatën nacionale dhe rrugën e krijimit të identitetit. Ky debat i filluar nga administrata e kryeministres M. Thatcher, ishte një dritë jeshile tepër e rëndësishme për historianët që të çliruar ta interpretojnë historinë e Britanisë së Madhe (BM-së) në periudhat e ndryshimeve më dramatike gjatë ngritjes së saj. Ky diskurs i ri në historiografinë perëndimore, i nisur në BM shumë shpejt, në përmbajtje pothuaj të njëjtë, vazhdoi edhe në vendet e tjera, si në: Francë, Gjermani, Belgjikë, ShBA apo Kanada. Ai gjeti përkrahjen e teoricienëve më të mëdhenj botërorë, si: Benedict Anderson, Robert Philips, Richard Aldrich, Isiah Berlin, John Slater, Lee Dickinson, Keith Jenkins etj. Në këtë debat u përfshi edhe studiuesi i njohur F. Fukujama, i cili, në vitin 1992, duke analizuar këto sfida të historiografisë, i pari në mënyrë figurative tha se “ky është fundi i historisë”. Pra, fundi i historisë së konceptuar sipas shkollës historiografike të L. V. Rankes të shek 19.

Ranke, siç e dimë, e kishte vendosur historinë si një shkencë serioze që mund të shkruhet vetëm nga historianët profesionistë, të mbështetur në burime primare. Debati i nisur u zhvillua mbi atë se si historia është parë dhe si është shkruar. Atributi shkencor i historisë tani nuk lidhej aq ngushtë me shkrimin e historisë bazuar vetëm në burime primare, por më tepër i jepej vend fokusimit në aspekte më të ngushta të fenomeneve historike. Shumë studiues këtë kalim e kanë quajtur edhe zëvendësim të makrohistorisë me mikrohistori.

Diskursi i ri postmodernist në historiografi filloi t’i trajtojë zhvillimet historike nga shumë dimensione të veçanta. Studimi i historisë aktualisht është shumë i fokusuar në disiplina më të ngushta shkencore. Sot në universitet e ShBA-së, por edhe në një pjesë të universiteteve të EU Perëndimore, studimet nga fusha e historisë kanë fituar karakter interdisiplinar. Ato tani zhvillohen nëpërmjet kurseve dhe subdisiplinave, si: Every day life history, Gender History, Human Rights History, Social History, Oral history, Cultural history, History of Ides, Labour history etj. Këto janë vetëm disa nga sfidat e epokës postmoderne në diskursin historik, ku fokusi nuk bie vetëm në dimensionin politik dhe kombëtar, por më tepër në njohjen më të thellë dhe shumëdimensionale të rrethanave historike që kanë ndikuar në ngjarje dhe zhvillime të caktuara, pra duke i parë në këndvështrimin real të realitetit historik në të cilin kanë ndodhur si dhe duke i interpretuar pa emocion dhe paragjykim nga këndvështrimi i realitetit të sotëm. Pra, ideja e postmodernistëve është që historia si lëndë shkollore të përqendrohet tek aspekti edukativ. Nga mesi i viteve të nëntëdhjeta historianët amerikanë Joyce Appleby (Epelbai), Lynn Hunt dhe Magaret Jacob, i bënë jehonë pikëpamjes se: Janë tronditur themelet shkencore të historisë.

Sfida e postmodernizmit e shtyri historianin e madh Lowrence Stone, nga Universiteti Princetonit, të shprehej se profesioni i historianit është “në një krizë të besimit të vet në lidhje me atë që është duke bërë dhe se si është duke bërë”. Madje, që të jemi shumë korrektë me tërësinë e temës që po trajtojmë, shumë autorë perëndimorë janë fare pak optimistë se një çlirim i historisë nga qasjet subjektive mund të ndodhë ndonjëherë. Sipas Paul Ricouer, as profesionalizmi i historianit e as bollëku i fakteve nuk janë të mjaftueshëm për të përligjur një “tablo të qartë të realitetit të kohës” sepse, vazhdon Ricouer, nga të gjitha gjurmët që lë e kaluara, historianët “i përzgjedhin dhe i shërbejnë” vetëm disa prej atyre fakteve që ata i konsiderojnë më të rëndësishme dhe më domethënëse.

Si është historiografia shqiptare dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Historiografia jonë dhe ajo e rajonit më pak dallime, në periudhën e ndryshimeve globale të diskursit të historisë nga ai modernist në atë postmodernist, kanë qenë farë larg këtij shqetësimi. Në fakt, historiografia e vendeve postkomuniste nga fundi i Luftës së Ftohtë i është futur një misioni sa të nevojshëm aq edhe të pamundur të rishikimit të historisë, për ta çliruar atë nga ndikimet ideologjike dhe ndërhyrjet e shtrembërimet politike që i janë bërë të kaluarës historike gjatë periudhës komuniste.

Duke mos arritur që ky proces tepër i rëndësishëm i rishkrimit të historisë, të bëhet në frymën e postmodernizmit historik, efektet e tij kanë mbetur mjaft të kufizuara. Historiografia shqiptare aktualisht gjendet përpara një boshllëku të madh pikërisht për shkak të përshkrimit përzgjedhës të së kaluarës në funksion të një vizioni totalitar. Historia jonë, por edhe ajo ballkanike, nuk ka arritur të çlirohet nga ndikimet e aktualitetit politik në përshkrimin e imazheve nga e kaluara. Për më shumë vërejmë se historiografia jonë vazhdon të vuajë nga deformimet e tipit: “Çfarë ishte dje e shkruar zi, sot patjetër duhet të shkruhet bardh dhe anasjelltas”. Ky është diskurs vendnumërues, mendoj unë, që do të na detyrojë t’i rikthehemi dhe ta rimendojmë në mënyrë kritike e ta rishkruajmë edhe këtë që e kemi shkruar në dy deceniet e fundit, nën inercionin e pastrimit të historisë nga përmbajtjet ideologjike. Natyrisht shoqëritë postkomuniste kanë shumë çfarë të kujtojnë nga e kaluara e tyre autoritariste, por ato kanë, gjithashtu, shumë edhe çfarë të harrojnë.

Harresa, siç vë në dukje Nietzche, është e domosdoshme për revolucionet, madje deri në një nivel të fshirjes së kujtesës, siç e quan ai një “tabula rasa në ndërgjegje”, thjesht për t’u bërë vend gjërave të reja. Këtë Edmond Burke e quante “jo thjesht një çështje dëshire, por domosdoshmëri”. Rrjedhimisht, përpara historishkruesve tanë janë shumë sfida, nga të cilat do t’i veçoja.

Historia duhet të shkruhet në përputhje të standardeve metodologjike të shkollës liberale perëndimore, e çliruar nga çfarëdo lloj presioni apo ndikimi nga jashtë dhe çfarëdo lloj dyzimi në pikëpamjet dhe prirjet e atij që e shkruan historinë. Natyrisht një gjë e tillë është skajshmërisht e vështirë, sepse historiani nuk mund të jetë i shkëputur nga konteksti në të cilin jeton dhe, rrjedhimisht, nevojitet shumë kurajë për të shkruar i pandikuar nga ai kontekst. Në veçanti mbetet tepër e rëndësishme mënyra e përshkrimit të së kaluarës në tekstet shkollore të historisë. Mesazhet do të duhej të ishin siç shkruan studiuesi Carl Schorske, në librin e vet Thinking with history: Duke menduar me historinë, nuk është e njëjtë si të mendojmë për historinë. Sipas këtij studiuesi, të menduarit me historinë nënkupton shfrytëzimin e materialeve nga e kaluara duke i organizuar dhe përfshirë ato për ta orientuar veten drejt të sotmes dhe jo të kaluarës.

Shkolla jonë historiografike duhet të jetë më e përqendruar në sjelljen e imazheve sa më të plota nga e kaluara, duke trajtuar ato nga aspekti gjithëdimensional i tyre. Duhen evituar qasjet përzgjedhëse lidhur me aspektet që merren në studim. Duhen shmangur, po ashtu, kualifikimet për ngjarje apo për personalitete. Nëse duam të jetojmë me historinë duhet që kualifikimet dhe vlerësimet t’ia lëmë lexuesit që ta krijojë impresionin e vet, i pandikuar nga kualifikimet e autorit.

Historiografia jonë duhet të jetë më racionale dhe analitike dhe më pak përshkruese. J. H. Plumb, në librin The death of the past, thotë: Historia në embrionin e saj dominohej nga narracioni, pastaj një kohë u mbështoll nga legjenda dhe mite dhe, për një kohë të gjatë, u mor vetëm me përshkrimin e ngjarjeve më kryesore. Tani ajo është fare e re në përpjekjet për trajtime racionale dhe analiza. Pra, historia duhet të mos i ketë faktet si qëllim në vete, por ato t’i vejë në funksion të analizës.

Krejt në fund, dua të them se këto lëvizje transformuese në diskursin e historiografisë ka qenë e pamundur të ndodhin nga vetë historianët. Ka ndodhur ndërhyrja e institucioneve shtetërore akademike dhe edukative, siç përmendëm politikat e M. Thatcherit në Britani, në Irlandë apo në ShBA. Politika të tilla të institucioneve shtetërore janë rëndësishme edhe për historiografinë tonë kombëtare. (Revista “Akademia”)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit  përkatësisht  Drejtoria Shërbimeve  Publike  dhe Emergjenca ka…