Të shterën të gjitha mundësitë kushtetuese para se të mendohet për zgjedhje

08 janar 2020 | 14:37

Analisti politik Artan Murati ka bërë me dije se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Ai ka deklaruar se është humbje kohe dhe degradim i një procesi të mirëfilltë zgjedhor nëse shkohet përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka thënë se duhet të shterën të gjitha mundësitë kushtetuese e reale para se të mendohet për zgjedhje.

“Është e papranueshme të flitet për zgjedhje të reja tre muaj pas një procesi të rregullt zgjedhor, vetëm pse subjektet politike nuk arrijnë t’i tejkalojnë dallimet e vogla për pozita të caktuara. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh edhe mundësinë e mandatimit të një kandidati tjetër për kryeministër nëse dështon mandatari i parë. Konsideroj se duhet të shterën të gjitha mundësitë kushtetuese e reale para se të mendohet për zgjedhje sepse nuk kemi kaq shumë kohë për të humbur”, ka thënë Murati.

Ai ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë për obligim të arrijnë një marrëveshje bashkëpunimi për ta çuar në vend vullnetin e rreth 500 mijë votuesve të cilët votuan më 6 tetor.

Sipas Muratit, të dy këto subjekte politike duhet të jenë realiste në kërkesat e tyre.

“Nëse ka vullnet për ta shtyrë procesin përpara, e sidomos nëse reflektohet në vullnetin qytetar të 6 tetorit, sigurisht se mund të tejkalohen dallimet aktuale dhe mund t’i hapet rrugë një marrëveshjeje për bashkëqeverisje mes dy palëve. Që të dy subjektet duhet të jenë realiste në kërkesa. LV-ja nuk është fituese absolute e zgjedhjeve, e LDK-ja nuk i ka fituar ato. Pra, para se të ketë kërkesa maksimaliste nga të dyja palët, duhet të reflektohet në rezultatin real të zgjedhjeve. Kjo do ta lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje të koalicionit”, është shprehur Murati.

“Epoka e re”: Z. Murati, edhe tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk kemi një marrëveshje për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe LDK-së. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Murati: Arsyeja kryesore përse edhe pas tre muajsh nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk kemi institucione funksionale është kryekëput politike, më konkretisht pamundësia e LV-së dhe LDK-së për të arritur një marrëveshje të bashkëpunimit. Siç duket, që të dyja këto subjekte politike nuk po arrijnë ta ndërtojnë konsensusin e nevojshëm për ta finalizuar marrëveshjen e koalicionit, e cila fillimisht u duk se mund të arrihej shpejt, sidomos pas përafrimit të programit qeverisës mes dy palëve. Veprime të njëanshme, pasuar me kryeneçësi, kanë lënë peng procesin e bashkëpunimit mes të dyja subjekteve. Qasja të cilën që të dyja subjektet politike e kanë aktualisht është e gabuar dhe lë pak hapësirë për të pasur mundësi bashkëpunimi të sinqertë. Qytetarët e Republikës së Kosovës qartazi kanë shprehur vullnetin e tyre më 6 tetor, por ky vullnet ende nuk u materializua me një marrëveshje të mirëfilltë bashkëpunimi.

 “Epoka e re”: Negociatat mes këtyre dy subjekteve politike kanë ngecur pas veprimit të njëanshëm të LV-së për ta propozuar dhe zgjedhur kryeparlamentarin, i cili parashihej t’i takojë LDK-së. Si e keni parë këtë veprim?
Murati: Në fakt, çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit ishte paksa e çuditshme dhe konfuze jo vetëm për publikun, por edhe për vetë deputetët e LDK-së dhe LV-së. Propozimi i z. Konjufca si kryeparlamentar në esencë është në rregull, sepse z. Konjufca e njeh mirë punën e Kuvendit dhe konsideroj që si kryeparlamentar do të bëjë një punë të mirë. Megjithatë, ky veprim i Lëvizjes Vetëvendosje pa dyshim se ka konsekuenca politike në raport me LDK-në. Ky post veçse ishte marrë vendim që t’i takonte LDK-së, e marrja e tij nga LV-ja pa dyshim se ndryshon edhe rrjedhën e negociatave mes tyre. Tani normalisht se apetitet e LDK-së do të rriten dhe, me gjasë, pozita e presidentit tanimë është e pashmangshme në kalkulimet politike mes dy palëve. Propozimi i fundit i z. Kurti për ndarjen e barabartë të numrit të ministrive dhe pa postin e kryeparlamentarit, e vështirëson edhe më tej një pajtim mes të dyja palëve. Vlen të përmendet si shumë pozitiv veprimi i LDK-së për votimin e kryeparlamentarit, sepse kësisoj u krijua mundësia e konstituimit të legjislaturës së shtatë dhe nuk ndodhën skenarë të bllokadave e lojërave të panevojshme politike.

 “Epoka e re”: Kanë kaluar javë që liderët e këtyre dy subjekteve politike nuk kanë komunikuar. A është ende e mundshme një marrëveshje mes tyre dhe si mund të arrihet ajo?
Murati: Konsideroj se një marrëveshje në mes të LV-së dhe LDK-së është e mundshme dhe se ka kohë të mjaftueshme për të ndodhur. Elementi më pozitiv në raport me të dyja subjektet është harmonizimi i programit qeverisës, pra puna e madhe për bashkëpunim potencial veçse ka përfunduar me sukses. Ndasitë mes të dy palëve janë kryekëput politike dhe nëse ka vullnet për ta shtyrë procesin përpara, e sidomos nëse reflektohet në vullnetin qytetar të 6 tetorit, sigurisht se mund të tejkalohen dallimet aktuale dhe mund t’i hapet rrugë një marrëveshjeje për bashkëqeverisje në mes të dyja palëve. Që të dyja subjektet duhet të jenë realiste në kërkesa. LV-ja nuk është fituese absolute e zgjedhjeve, e LDK-ja nuk i ka fituar ato. Pra, para se të ketë kërkesa maksimaliste nga të dyja palët, duhet të reflektohet në rezultatin real të zgjedhjeve. Kjo do ta lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje të koalicionit.

 “Epoka e re”: Lideri i LV-së, Albin Kurti, ka filluar konsultimet me presidentin, por nuk është mandatuar ende. Sa besoni se mund të zgjasë kjo kohë?
Murati: Çështja e mandatimit më tepër po duket si blerje kohe sesa proces që njëmend është duke ndodhur. Është krejtësisht e qartë kush është i mandatuari i LV-së për kryeministër. Këtë e dinë të gjithë qytetarët e vendit, e normalisht edhe presidenti Thaçi. Mirëpo, meqenëse ende nuk ka një marrëveshje me LDK-në dhe, duke pasur parasysh faktin se afati kushtetues për votim të kabinetit qeveritar në Kuvend fillon të rrjedhë pas mandatimit formal nga presidenti, LV-ja është duke e shfrytëzuar këtë periudhë për të blerë sa më shumë kohë për të arritur një marrëveshje me LDK-në. Kjo, në fakt, nuk ka asgjë të keqe, sepse gjithçka është duke u zhvilluar brenda afateve dhe kornizave kushtetuese.

“Epoka e re”: Nëse nuk ndodh ndonjë marrëveshje në mes të LV-së dhe LDK-së, cila është alternativa. Zgjedhje të reja, apo ndonjë qeveri teknike?
Murati: Konsideroj se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Është humbje kohe, shpenzim i panevojshëm e, mbi të gjitha, degradim i një procesi të mirëfilltë zgjedhor siç ndodhi më 6 tetor. Rezultati është i qartë, vullneti i qytetarëve të vendit po ashtu. Është e papranueshme të flitet për zgjedhje të reja tre muaj pas një procesi të rregullt zgjedhor, vetëm pse subjektet politike nuk arrijnë t’i tejkalojnë dallimet e vogla për pozita të caktuara. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh edhe mundësinë e mandatimit të një kandidati tjetër për kryeministër nëse dështon i mandatuari i parë. Konsideroj se duhet të shterën të gjitha mundësitë kushtetuese e reale para se të mendohet për zgjedhje, sepse nuk kemi kaq shumë kohë për të humbur. Nëse do të kishte zgjedhje të reja, Kosova me gjasë do të mbetej pa institucione funksionale deri në maj. Për më tepër, mbajtja e zgjedhjeve pa reformë zgjedhore rrezikon përsëritjen e anomalive të shfaqura në zgjedhjet e fundit të cilat ndikuan në vonesa të mëdha deri në certifikimin e rezultateve. Pra, LV-ja dhe LDK-ja e kanë për obligim që të arrijnë një marrëveshje bashkëpunimi, për ta çuar në vend vullnetin e afro 500 mijë votuesve kosovarë të cilët votuan më 6 tetor.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mesfushori i Romës, Daniele De Rossi dhe përfaqësueses italiane, shpjegoi…