Tektonikat gjeopolitike e diplomatike në Ballkan dhe Kosova

23 nëntor 2018 | 12:36

Prof. Lisen Bashkurti

Zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë po dëshmojnë për tronditje të pozitave ndërkombëtare të saj. Në mënyrë të veçantë votimet e dështuara të Kosovës në dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, UNESCO dhe INTERPOL, janë treguesit më të matshëm të tronditjes së reputacionit ndërkombëtar të Kosovës dhe të luhatjes së besueshmërisë ndaj institucioneve dhe udhëheqjes së saj.

Në një shkrim timin të përpara disa ditëve kam analizuar shkaqet e brendshme dhe ato Rajonale që kanë sjell këtë pozitë të padëshirueshme për Shtetin e Kosovës. Në atë shkrim rendita këto shkaqe: agresiviteti në rritje lobimit Serb kundër pavarësisë së Kosovës; konfuzioni i politikës së jashtme të Kosovës dhe plogështia e amatorizmi diplomatik të saj; niveli i pakënaqshëm i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në fushat e politikës së jashtme dhe diplomacisë; dobësitë në sundimin e ligjit dhe të rendit në Kosovë; si dhe mos adresimin ligjor të akuzave për krimet e luftës dhe të pas luftës nga gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Duke pasur parasysh që jetojmë në një kohë kur ndërvarësia e shteteve është rritur së tepërmi, kur tendencat globale dhe integruese kanë zbehur natyrën dhe rolin e shteteve, sidomos të shteteve të vogla, kur ka ndryshuar së tepërmi vendi dhe roli i fuqive të mëdha në punët botërore është objektivisht e domosdoshme që të konsiderojmë edhe faktorë jashtë Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë që kanë ndikuar dhe ndikojnë në dinamikat politike në Ballkan.

Rritja e agresivitetit politiko-diplomatik ndërkombëtar Serb kundër Kosovës dhe rrëshqitja prapa e politikës së jashtme në kaos dhe e diplomacisë Kosovare në amatorizëm e plogështi janë ndikuar edhe nga dinamikat tektonike gjeopolitike në Balkan. Aktualisht ka tre tendenca gjeopolitike kontraverse në Ballkan, që nuk e favorizojnë si më parë Kosovën dhe kërkojnë reflektime serioze nga ana e saj.

  1. Ndryshimet e prioriteteve gjeopolitike të ShBA

Tendenca e ShBA-së për zhvendosje graduale të prioriteteve gjeopolitike nga Ballkani ka nisur në kohën e administratës Obama. Presidenti Obama lansoi rrëshqitjen e prioriteteve gjeopolitike të ShBA nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme, duke u fokusuar në adresimin e krizës nukleare me Iranin dhe krizës komplekse me Sirisë. Bazuar në këtë proces të ri gjeopolitik të ShBA, administrata e presidentit Tramp avancoi akoma më tej, duke zhvendosur prioritetet gjeopolitike të ShBA-ve nga Lindja e Mesme drejt Lindjes së Largët, me fokus kryesisht krizën nukleare me Korenë e Veriut dhe luftën tregtare me Kinën.

Kjo nuk duhet marrë si tërheqje e plotë e ShBA-ve nga Ballkani dhe as si ndryshim i politikave euroatlantike dhe i partnerëve të saj strategjik në rajon. Kjo qartësisht duhet lexuar vetëm si zhvendosje prioritetesh gjeopolitike. Dhe është normale. Si fuqi botërore, ShBA-të lëvizin prioritetet gjeopolitike në përputhje me interesat e tyre madhore dhe sfidat globale. Natyrisht kjo dinamikë gjeopolitike e ShBA-ve, ose e thënë më drejtpërdrejtë kjo zhvendosje e prioriteteve gjeopolitike të ShBA nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët ka ndikime të konsiderueshme në Ballkan, në Kosovë dhe tek mbarë faktori shqiptar.

Duke pasur parasysh specifikat e shtetit të ri të Kosovës, sfidat e brendshme shtetformuese, dialogun e komplikuar me Serbinë si dhe pozitat e saj ndërkombëtare akoma të pakonsoliduara mund të merret me mënd se çfarë konsekuencash ka dhe do të ketë mbi Shtetin e Kosovës pesha e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Ballkan edhe për shumë kohë. Krahas sfidave të Kosovës, gjendja e sigurisë në Ballkan, shtetet e dobëta, demokracitë në tranzicion, ekonomitë e paqëndrueshme, problemet dypalëshe dhe ato rajonale janë sfida të tjera, adresimi i të cilave do të varet shumë nga prezenca dhe roli i ShBA-vë në Ballkan.

Normalisht, lëvizja e prioriteteve gjeopolitike të ShBA nga Ballkani drejt Lindjes se Mesme dhe të Largët, kërkon rritjen e përgjegjësive dhe kontributeve të faktorëve lokal, rajonal dhe Evropian në Ballkan. Për Kosovën rritja e përgjegjësive dhe kontributeve individuale është një sfidë serioze që kërkon fuqizimin e aftësive shtet-formuese dhe të kapaciteteve drejtuese të saj.

  1. Diplomacia e ShBA në Ballkan, me rajonale dhe më e balancuar

Në këtë fazë, krahas fenomenit të zhvendosjes së prioriteteve gjeopolitike të ShBA-ve drejt Lindjes së Mesme dhe të Largët, vërehen edhe dinamika të tjera të diplomacisë së ShBA-ve brenda Ballkanit. Për një periudhë të caktuar kontributi ShBA-ve në Ballkan u fokusua në ndalimin e luftërave dhe vendosjen e paqes (1994-1995, konfliktet Kroaci, Serbi, Bosnje dhe Akordi i Paqes i Dejtonit). Më tej ShBA u fokusuan në shembjen e diktaturave, duke ndaluar krimet, gjenocidin, pastrimet etnike dhe shndërrimin e krizave lokale në konflikte të mëtejshme Ballkanike (Serbia e Kosova, 1998-2008, Rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe më pas Paketa e Ahtisarit dhe pavarësia e Kosovës).

Aktualisht, ShBA-të po shkojnë drejt një qasje me baza më Rajonale dhe diplomatikisht më të balancuar. Pra, tanimë në optikën e politikës së jashtme dhe diplomacisë së ShBA-ve, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova po vihen në një kontekst gjithnjë e më të përbashkët Rajonal. Kjo do thotë se Kosova nuk mund të vijojë të jetë më projekt individual prioritar i ShBA-ve, ndonëse mbetet për shumë kohë partner i rëndësishëm strategjik i tyre. Koncepti më shumë Rajonal sesa individual i politikës së jashtme dhe diplomacia më e balancuar e ShBA-ve në Ballkan kërkon edhe nga aktorët shtetëror në Rajon që të ndryshojnë qasjen e tyre të deritanishme drejt një diplomacie më të hapur dhe më bashkëpunuese, duke ekuilibruar më mirë interesat shtetërore me ato rajonale.

Ky ripozicionim i diplomacisë së ShBA-ve kërkon reflektime serioze dhe të shpejta edhe në Kosovë. Për Kosovën kjo do thotë përpilimi dhe implimentimi i një politike të jashtme mbi baza më të qarta dhe më të qëndrueshme strategjike kushtetuese dhe institucionale, bashkëpunuese dhe konsesuale, atdhetare dhe Evropiane e shoqëruar me një diplomaci të aftë e dinamike, me formim profesional dhe përvojë, me kulturë dhe integritet, me kapacitetet negociuese dhe implementuese në nivele bilaterale dhe multilaterale.

Për afro 15 vjet Kosova ishte projekt politiko-diplomatik prioritar i ShBA-ve në Ballkan e për rrjedhojë edhe një lloj protektoriati sui generes i tyre mbi të. Tanimë kjo fazë ka mbaruar. Për ShBA-të, Kosova nuk është më protektorat, por është një aleat. Pra, ShBA-të nuk e braktisin aspak Kosovën, por kërkojnë ngritjen në një fazë më të lartë të marrëdhënieve më të. Për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi Shtetin e Kosovës dhe lidershipin e saj. Është koha kur Shteti i Kosovës dhe lidershipi kosovar duhet të marrin më shumë përgjegjësi shtetërore, Rajonale dhe ndërkombëtare, nëpërmjet një politike të jashtme strategjike dhe kapaciteteve të afta diplomatike.

Qasjen më Rajonale dhe të balancuar si dhe më pak individuale të ShBA-ve në Ballkan, Serbia e ka mirëpritur. Kjo është e natyrshme. Tanimë Serbia ndjehet e baras konsideruar në agjendën e ShBA-ve sa i përket Ballkanit. Por nëse ka ta drejtë ta mirëpresë qasjen e re të ShBA-ve, Serbia nuk ka aspak të drejtë ta keq interpretojë atë. Politika e diplomacia Serbe po e interpretojnë qasjen e re më rajonale dhe më të balancuar të ShBA-ve në Ballkan, si ‘heqje dorë të ShBA-ve nga Kosova’, ose si ‘mbështetje të ShBA-ve për Serbinë’. Kjo është kryekëput gabim.

Me këtë taktikë Serbia synon të arrijë tre objektiva: së pari, të dekurajojë Shtetin e Kosovës, së dyti, të hapë rrugën Ballkanike Rusisë dhe, së treti, të nxisë një lobim më agresiv kundër pavarësisë së Kosovës për të bllokuar njohjet dhe integrimin ndërkombëtar të saj. Egoizmi politiko-diplomatik Serb po shpërdoron dinamikën gjeopolitike e diplomatike të ShBA-ve. Idealizmi i ShBA-ve jo gjithnjë është mirëkuptuar në mjediset e mbrapshta Ballkanike. Por, natyrisht, ShBA-të kanë aq përvojë tash 100 vjet në Evropë dhe Ballkan sa nuk mund të mos e kuptojnë këtë mjedis të arnuar Ballkanik dhe këto dinakëri politiko-diplomatike Euro-Aziatike Serbe.

  1. Zhvendosje prioritetesh gjeopolitike Ruse drejt Ballkanit

Zhvendosja e prioriteteve strategjike të ShBA-ve nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët ka krijuar natyralisht një lloj vakumi të pranisë dhe rolit të tyre në këtë Rajon. Ndërkohë, duke përfituar edhe nga kjo zhvendosje gjeopolitike e ShBA-ve dhe konjukturat rajonale dhe evropiane, gjeopolitika ruse po rrëshqet gradualisht në mënyrë të sofistikuar drejt Ballkanit.

Gjeopolitika ruse synon të mbush vakumin e zhvendosjes së ShBA-ve drejt Lindjes së Mesme dhe të Largët, nëpërmjet aktivizimit të doktrinave tradicionale dhe të favorizimit të politikave, investimeve dhe strategjive drejt shteteve dhe popujve preferencial. Pra, nëse ShBA-të po zgjerojnë qasjen Rajonale dhe reduktojnë qasjen individuale në Ballkan, Rusia është duke zhvilluar qasjen preferenciale në shtete individuale dhe është duke reduktuar qasjen Rajonale. Qasjet e ShBA-ve dhe Rusisë në Ballkan duket të jenë të kundërta. Qasja rajonale e ShBA-ve synon t’i trajtojë njëlloj dhe miqësisht gjithë popujt e vendet e Ballkanit. Qasja prefenciale individuale e Rusisë synon t’i trajtojë në mënyrë të diskriminuar dhe jo miqësisht gjithë popujt e vendet e Ballkanit.

Kjo dinamikë gjeopolitike preferenciale individuale e Rusisë në Ballkan ka premisa diversifikuese dhe konfrontuese të linjave të politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit ndërmjet tyre. Kështu, Rajoni mund të devijojë nga tendencat unifikuese deri të tanishme Euro-Atlantike në orientime diverse e kontradiktore Euro-Aziatike. Kjo tendencë, për arsye që njihen mirë kombëtarisht e ndërkombëtarisht është kundër unifikimit Euro-Atlantik të Ballkanit, sikundër nuk është aspak në favor të Kosovës dhe të shqiptarëve, sa kohë që Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht nuk konsiderohen ndër popujt e shtetet preferenciale të Rusisë në Ballkan.

4. Dilemat gjeopolitike Evropiane në Ballkan

Midis tërheqjes relative të ShBA-ve nga Ballkani dhe rritjes së ndërhyrjes Ruse në këtë Rajon, Bashkimi Evropian po përpiqet që të rrisë praninë dhe investimin e vet në Ballkan. Kjo është në interes të të gjithë vendeve të Rajonit. Iniciativat e Shteteve të veçanta si Gjermania me Procesin e Berlinit, apo politikat e gjallëruara të Bashkimit Evropian për zgjerim në drejtim të Ballkanit Perëndimor në tërësi janë mirëpritur dhe mbështetur nga gjithë aktorët shtetëror dhe jo shtetëror Ballkanik.

Ky dinamizim i BE-së ka dy impakte gjeopolitike pozitive në Ballkan. Së pari, por ekulibron më mirë ndryshimet gjeopolitike dhe politiko-diplomatike të ShBA në Ballkanit dhe, së dyti, po ngushton hapësirat e faktorëve gjeopolitikë jashtë Euro-Atlantik që synojnë të përfitojnë nga këto konjuktura të Fuqive të Mëdha. Dinamizimi i BE-së në Ballkan po synon mbështetjen e demokracive në tranzicion, normalizimin e marrëdhënieve të tyre fqinjësore dhe nxitjen e projekteve interkonektive në ekonomi, tregti, turizëm, infrastrukturë bazuar në parimet Traktatit të Lisbonës. Ky kontribut e BE po jep shenja mjaft pozitive. Projekti i BE-së akoma po i frymëzon dhe motivon popujt dhe politikat e Ballkanit. Nëse Europianizmi do vijojë të dominojë mbi tendencat nacionaliste, populiste e fobiste në zgjedhjet e ardhshme, BE-ja pa dyshim do përshpejtojë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor.

Por, Bashkimi Evropian ka një sfidë të brendshme – nuk ka një politikë të jashtme, diplomaci dhe siguri të unifikuar. Në politikën e jashtme, diplomaci dhe siguri brenda BE-së në disa aspekte ka qasje unike, në aspekte të tjera ka qasje të ndryshme sikundër nuk mungojnë edhe qasjet e kundërta. Përballë kësaj situate kontraverse brenda BE-së, organizata është e detyruar politikisht e diplomatikisht të mbajë qëndrime neutrale në kuadër rajonal dhe të shmang çdo politikë preferenciale. Në rastin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, neutraliteti politiko-diplomatik i BE-së është problematik. Neutraliteti politiko-diplomatik i BE-së në qasjen Kosovë-Serbi i zgjatë pa afat Serbisë rrugën e anëtarësimit në BE. Ndërkohë që neutraliteti politiko-diplomatik i BE në qasjen Kosovë-Serbi i zgjatë Kosovës pa afat margjinalizimin dhe izolimin.

Por, në analizë të fundit, nga ky neutralitet politiko-diplomatik i BE përfitojnë më shumë shtetet e konsoliduara, ekonomitë e stabilizuara dhe vendet më të avancuara në proceset e integrimit. Gjithashtu duhet marrë mirë parasysh se nga ky neutralitet i BE-së përfitojnë më së paku shtetet e reja, shtetet e dobëta, shtetet në trazicion të tejzgjatur dhe popujt me problematika më të shumta në Ballkan. Në këtë rast Kosova si shtet i ri dhe i panjohur nga pesë shtete anëtare të BE-së si dhe shqiptarët përgjithësisht, për shkak të trashëgimive problematike historike dhe të dobësive aktuale nuk do të mund të jenë përfituesit kryesor Evropian në Ballkan, së paku për një periudhë të caktuar.

Në këto rrethana për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët përgjithësisht mbetet strategji afatgjate ruajtja e prioritizimit në çdo mënyrë, çdo mjet dhe çdo sakrificë e partneritetit strategjik me ShBA dhe njëkohësisht përmirësimi gradual i balancimit të këtij partneriteti me Bashkimit Evropian. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët sërish kanë një mision historik: të shërbejnë si bazë e fuqishme unifikuese dhe jo diversifikuese Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimorë dhe si urë e qëndrueshme lidhëse dhe jo përçarëse e partneritetit BE-ShBA në këtë rajon. Më këtë kontribut Kosova, Shqipëria dhe faktori shqiptarë në Ballkanin Perëndimorë kontribuojnë në zgjerimin dhe konsolidimin e hapësirave gjeopolitike Euro-Atlantike në këtë rajon dhe në kufizimin e hapësirave të faktorëve të tjerë gjeopolitik rajonal dhe global.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra angleze West Ham United po planifikon transferimin e sulmuesit…