Telekomi dhe Termocentrali ‘Kosova e Re’, sfidues për qeverinë e ardhshme

15 tetor 2019 | 13:28

Sekretari i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6) me seli në Itali dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndër sfidat kryesore ekonomike me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme janë sundimi i rendit dhe i ligjit, çështja e privatizimit të Telekomit si dhe Termocentrali “Kosova e Re”. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qeveria e re vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojë avancimit të raporteve me FMN-në dhe Bankën Botërore. Gërxhaliu  ka folur edhe për zvogëlimin e ministrive. Ai ka theksuar se Kosovës nuk i duhen 22 ministri. “Një qeveri e mirëfilltë mund të funksionojë me 12 ministri”, ka thënë Gërxhaliu.

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe njohësi i politikave ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me sfidën e sundimit të rendit dhe ligjit, termocentralin ‘Kosova e Re’, privatizimin e Telekomit të Kosovës, gjetjen e modelit të investimeve në ‘Trepçë’, negociatat me Serbisë, avancimin e marrëdhënieve fqinjësore. Sfida të tjera, sipas tij, do të jenë institucionet ndërkombëtare si, “ta zëmë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gërxhaliu ka thënë se duhet të përfillet modeli i investimit të partneritetit publiko-privat në çështjen e Telekomit dhe në çështjen e investimeve në “Trepçë”. Ndërkaq sa i përket ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, ai ka thënë se për këtë çështje ka mospajtime nga një grup njerëzish brenda koalicionit fitues dhe opozitës që, sipas tij, duhet të rishikohet kontrata. “Sfida për qeverisjen e re do të jenë: sundimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, pastaj çfarë do të ndodhë me Termocentralin ‘Kosova e Re’, projekt ky që ka rëndësi shumëdimensionale e që ka përkrahje të ndërkombëtarëve, veçanërisht Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe shteteve mikeve, pra vendeve evropiane. Në anën tjetër kemi edhe një grup të caktuar brenda partisë fituese që e kundërshton këtë, po ashtu edhe shoqërinë civile. Prandaj, mendoj se ky termocentral do të jetë ndër sfidat kryesore. Pastaj e kemi dhe problemin me ‘Trepçën’. Kur bisedohet për ‘Trepçën’ nuk mjafton vetëm të kemi ligj, por duhet të kemi një racionalizim që është në funksion të përmirësimit të ambientit për të bërë biznes. Besoj se partneriteti publiko-privat do të jetë një model ideal, por që duhet të analizohet edhe në rastin e ‘Trepçës”, ka thënë ai.

 “Epoka e re”: Z. Gërxhaliu, cilat janë pritjet tuaja sa iu përket çështjeve ekonomike për qeverinë e re?

Gërxhaliu: Në radhë të parë duhet të kuptohet që më 6 tetor fitoi Kosova dhe qytetarët e Kosovës. Më 6 tetor është demonstruar një frymë demokratike e zgjedhjeve që duhet të jetë model edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë. Nuk duhet harruar në këtë rast rolin e diasporës pasi angazhimi i saj ishte më i madhi për ndryshimet që ndodhën. Përderisa fituesi tregoi një modesti dhe gjakftohtësi duke kontrolluar euforinë e fitores, humbësi, në këtë rast z. Veseli, tregoi një pjekuri dhe burrëri të një burrështetasi pasi e pranoi humbjen, duke thënë para medieve se PDK-ja do të jetë në opozitë. Besoj se përmes kësaj vote fitoi Kosova dhe ardhmëria e saj, duke e ndëshkuar arrogancën dhe distancën e pushtetit, pasi ajo që ka ndodhur në pesë vjetët e fundit më së paku ishte në interes të Kosovës dhe ardhmërisë së saj, më së shumti ka qenë e orientuar për përmbushjen e interesave dhe grupeve të caktuara. E tërë kjo e ka çuar Kosovën në këtë situatë ku tashmë jemi para sfidave të mëdha. Dua të besoj se është një moment që nuk duhet të përcillet me eufori dhe me patriotizëm folklorik. Për ata për të cilët vendosi sovrani, duhet ta kenë prioritet sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe normalizimin e raporteve me vendet fqinje. Në qoftë se këto çështje nuk do të jenë prioritete, kam drojën se edhe qeverisja e ardhshme do të jetë e dështuar.

“Epoka e re”: Ku duhet të jetë përqendrimi ekonomik?

Gërxhaliu: Duhet të kuptohet se problemet nga e kaluara janë të grumbulluara dhe duhet të kuptohet se asnjë qeveri nuk e ka shkopin magjik për t’i zgjidhur ato probleme për një kohë të shkurtër. Çdo qeveri duhet t’i humbë disa vjet jo për t’i përmirësuar, por për t’i ndalë gabimet e trashëguara nga qeveria e kaluar, e cila burgosi popullin me izolim, qoftë me demarkacion, qoftë me popullizëm përmes mënyrave të ndryshme. Prandaj, nuk është e rrugës të bëhet presion që për një kohë të shkurtër të zgjidhen këto probleme. Dua të besoj se vetë fakti që shpresojmë se do të ketë një koalicion të madh mes dy partive fituese, do ta mundësojë realizimin e objektivave. Sfidat për qeverisjen e re do të jenë sundimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, pastaj çfarë do të ndodhë me Termocentralin ‘Kosova e Re’, projekt ky që ka rëndësi shumëdimensionale dhe që ka përkrahje të ndërkombëtarëve, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve mikeve, pra vendeve evropiane. Në anën tjetër, kemi edhe një grup të caktuar brenda partisë fituese që e kundërshton këtë, po ashtu edhe shoqërinë civile. Prandaj, mendoj se ky termocentral do të jetë ndër sfidat kryesore. Pastaj e kemi dhe problemin me ‘Trepçën’. Kur bisedohet për ‘Trepçën’ nuk mjafton vetëm të kemi ligj, por duhet të kemi një racionalizim që është në funksion të përmirësimit të ambientit për të bërë biznes. Besoj se partneriteti publiko-privat do të jetë një model ideal, por që duhet të analizohet edhe në rastin e ‘Trepçës’. Pastaj çfarë do të ndodhë me fatin e Telekomit të Kosovës që është në një situatë kritike. Në këtë drejtim, në aspektin interno, janë këto sfida me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e Kosovës dhe nevojitet dialog intern. Kabineti i ri qeveritar duhet ta përmirësojë imazhin e Kosovës në mënyrë që të kemi investime të huaja të cilat kanë përjetuar rënie. Gjithashtu, duhet pasur parasysh normalizimin e raporteve me vendet fqinj duke zbatuar rekomandimet për ta rishikuar marrëveshjen e CEFTA-s. Mjaft sfidues do të jetë edhe normalizimi i raporteve me Serbinë, mirëpo vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet avancimit të raporteve me FMN-në dhe Bankën Botërore.

“Epoka e re”: Pra, edhe me FMN-në dhe Bankën Botërore qeveria e re duhet të ketë kujdes?

Gërxhaliu: Kosova nuk e ka komoditetin t’i prishë marrëdhëniet me FMN-në siç ka ndodhur në dy vjetët e fundit, pasi rëndësia e këtij institucioni sa është ekonomike, aq është edhe strategjike. Prandaj, besoj se këto raporte do të jenë prioritare. Gjithashtu, dua të besoj se qeveria e ardhshme do të orientohet në ekspertizë shkencore dhe dijeni, duke depolitizuar administratën publike. Me një fjalë, më e lehta që mund të bëjë qeveria e re është që mos t’i bëjë gabimet e qeverisë paraprake.

 “Epoka e re”: Sa ministri ekonomike janë të nevojshme?

Gërxhaliu: Kosovës nuk i duhen 20 ministri, as 22 ministri. Një qeveri e mirëfilltë mund të funksionojë me 12 ministri, atë të Financave, që është shtyllë e menaxhimit të parasë publike dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, në të cilën mund t’i inkorporojë ministritë e tjera. Prandaj, besoj se duhet të bëhet më tepër në reformim të administratës publike dhe reformim të stafit në mënyrë që të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe jo barrë e buxhetit.

“Epoka e re”: Z. Gërxhaliu, cili është mendimi juaj rreth privatizimit të Telekomit të Kosovës?

Gërxhaliu: Bazuar në indikatorët aktualë, Telekomi i Kosovës nuk ka kuptim që të vazhdojë në këtë mënyrë, por duhet të shikohen format më të avancuara të privatizimit. Një qeveri me një vizion të qartë mund të gjejë forma të avancuara të privatizimit dhe partneritetit publiko-privat, ku pjesa dërrmuese e aksioneve i takojnë qeverisë dhe pjesa tjetër investitorëve të huaj. Në këtë drejtim, pos aspektit ekonomik, duhet të jemi vigjilentë që t’i tërheqim brendët e teknologjisë nga mbarë bota. Sot e kemi ‘Deutsche Telekom’ dhe ‘Vodafon’, kompani nga Norvegjia dhe të tjera që janë mjaft të suksesshme dhe duhet vërtet që përmes privatizimit të Telekomit të kemi rezultate pozitive.

“Epoka e re”: A duhet të ndërtohet “TC Kosova e Re” dhe çfarë pasojash mund të ketë dështimi i këtij projekti?

Gërxhaliu: Nëse e analizoni praktikën aktuale në vendet e rajonit dhe vendet që kanë shumë më pak thëngjill, shikoni Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Serbinë, besoj se kontrata duhet të analizohet më mirë. Kosova ka nevojë për kapacitete të tjera gjeneruese pasi në qoftë se flemë mbi thëngjill dhe ballafaqohesh me të, atëherë je duke e përjetuar ‘mallkimin e hirtë’ që quhet në shkencë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korab Lita, kryetari i ri i grupit parlamentar “Demokrat” tha…