Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Balla akuzon Berishën për bashkëpunim me Millosheviçin kundër Kosovës

26 qershor 2025 | 14:15

Ministri i Shqipërisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përfshi në një debat me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të enjte në seancën plenare.

Balla ka akuzuar Berishën se ka bashkëpunuar me Sllobodan Millosheviçin për ta furnizuar me naftë makinerinë e tij ushtarake kundër Kosovës.

“Që nga 1997, ti je një njeri ndaj të cilit rëndojnë të gjitha djallëzitë më të mëdha ndaj këtij vendi. Nga bashkëpunimi me Slobodan Millosheviçin për ta furnizuar me naftë makinerinë e tij ushtarake kundra Kosovës. Citoj Thaçin që tha: marrëveshje Berisha–Millosheviç, solli Arkanin në Shqipëri. Apo edhe akuzat për vrasjen e Ilir Konushevcit, ushtar i UÇK-së. Ka dëshmitarë, dy pilotë që thonë se ti u dhe urdhër për të bombarduar jugun”, deklaroi Balla.

Ndërkaq, Berisha u shpreh se një përfaqësuesi të shpifur dhe të neveritshëm të krimit në parlament nuk ia vlen t’i përgjigjesh, por sipas tij detyrimi ndaj qytetarëve e detyron të rikujtoj se Balla është një person i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve, filluar me trafiqet e prostitucionit e përfunduar tek droga.

“Është një njeri i akuzuar me dokumente zyrtare në sallë gjyqi se ka porositur vrasje. Është një person, i cili segmentet e drejtësisë, kriminale, kanë djegur me vendim regjistrimet që faktonin personin si një porositës së vrasjeve. Është i faktuar, është njeriu që ka porositur bandën e Elbasanit për të burgosur një familje të tërë, kundërshtare të bandës së Elbasanit dhe merret më vonë në mbrojtje nga Nuredin Dumani. Ky person rezulton se me datën 10.12.2020 ka rënë dakord, Targeti informon PIN-in aq e kaq, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos, këtij krimineli që është këtu, asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu përcoll kriminelit këtu…”, deklaroi Berisha./TopChannel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardon Jashari spikati me Club Brugge në sezonin e parë,…