Tërheqja nga fushëbeteja e kufomës së komandant Ahmet Kaçikut dhe varrimi i tij
Pjesë nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”
Shkruan: Lulzim Sahiti
Më 20 janar, në orët e mëngjesit, zëvendëskomandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake, Nusret Salihaj, së bashku me Avdullah Musliun dhe Nazmi Baliun “Amerikani” nga Luzhaku, janë nisur për në Petrovë. Atje takojnë zëvendëskomandantin e Brigadës 161, Nebih Musliun, i cili kishte rreshtuar ushtarët para shtëpisë së Fehmi Beqajt, me qëllim që t’i dërgonte në vendin ku ishte vrarë Ahmet Kaçiku, për ta tërhequr kufomën e tij.
Ata i tregojnë se nuk ka nevojë të dërgohen ushtarët, pasi vullnetarisht kishin vendosur të shkonin vetë në vendin e ngjarjes, duke pasur parasysh se ushtarët në fjalë ishin të lodhur dhe të rraskapitur nga luftimet e përditshme. Në të vërtetë, as këta tre nuk qëndronin më mirë për sa i përket lodhjes, por vullneti dhe morali i fortë për të sakrifikuar gjithçka nga vetja ishin të mëdha.
Kështu, rreth orës 09:00, janë nisur nga Petrova drejt Luzhakut, rreth dy kilometra larg nga vendi i vrasjes së Ahmetit. Para nisjes kishin përgatitur strategjinë për tërheqjen e kufomës, pasi e dinin se forcat serbe ishin të pozicionuara aty dhe madje dyshonin se kufoma mund të ishte marrë nga forcat armike.
Përafërsisht u janë dashur dy orë për të mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kontrolluar çdo pëllëmbë të terrenit. Kur janë afruar rreth 20 metra nga vendi, kanë parë nga larg vetëm këmbët e dëshmorit. Më pas kanë qëndruar rreth 20 minuta pa lëvizur, për të dëgjuar ndonjë zë apo lëvizje të forcave armike. Pasi nuk kanë dëgjuar asgjë, janë afruar te kufoma, e cila kishte qenë e paprekur nga askush.
Radiolidhjes së të ndjerit i ishte harxhuar bateria dhe i ndizhej vetëm drita e mbushjes. Avdullahu fillon personalisht ta kontrollojë kufomën për të parë nëse ishte e minuar, ndërsa Nusreti dhe Nazmiu kontrollonin terrenin përreth. Nga vendi ku ishte vrarë Ahmeti, forcat serbe kishin qenë të pozicionuara vetëm 4–5 metra larg. Aty Nusreti dhe Nazmiu kanë gjetur një pushkë automatike A-47, katër karikatorë, katër maska të zeza dhe një orë dore “Zenit”. Po ashtu, në atë vend kishte një sasi të madhe gjaku, që dëshmonte për praninë e forcave serbe.
Pasi u bindën se nuk kishte forca armike, të tre kanë tërhequr kufomën e Ahmet Kaçikut dhe e kanë dërguar në Luzhak, në oborrin e Shtabit, ku e kanë mbuluar me një batanije. Nusreti u sugjeron shokëve që ta ruajnë kufomën, pasi aty nuk ndodhej asnjë ushtar tjetër, ndërsa vetë niset drejt Zonës, përkatësisht në Mollopolc, për të siguruar një xhip për bartjen e kufomës.
Pas pak minutash vjen një grup fshatarësh nga Reçaku, nga Topilla. Kur e shohin kufomën në oborr, e pyesin Avdullahun: “Kush është aty?”. Me dhembje ai u tregon se bëhej fjalë për komandantin e ndjerë. Të gjithë stepën dhe, me pikëllim të thellë, e përqafojnë dëshmorin në ballë.
Ndërkohë vjen një traktor nga Petrova dhe Avdullahu, duke vrapuar nëpër ara, e ndal dhe e pyet Hamitin e Rancës: “A ka mundësi ta bartim një kufomë deri në Mollopolc?”. Hamiti nuk heziton aspak, por e kthen menjëherë traktorin drejt Shtëpisë së Pylltarëve dhe vjen në bazë. Aty, komandanti i ndjerë vendoset në qerren e traktorit. Nazmi Baliu dhe Avdullah Musliu qëndronin pranë arkivolit dhe nisen drejt Mollopolcit.
Nuk kishin kaluar as njëqind metra, kur shohin dy xhipa që vinin me shpejtësi në drejtim të Luzhakut. Xhipin e parë, të bardhë, e drejtonte vetë komandanti i Zonës, Shukri Buja. Avdullahu u bën shenjë për t’u ndalur dhe thotë: “E di, komandant, që nuk kam të drejtë t’ju pyes se ku jeni nisur, por kësaj radhe vendosa t’ju pyes.”
Komandanti i përgjigjet: “Jemi nisur për të rrezikuar e për ta tërhequr kufomën e Ahmet Kaçikut.”
“Nuk ka nevojë të shkoni më tutje, sepse ja ku e keni”, thotë Avdullahu.
Menjëherë pason pyetja: “Kush e ka tërhequr?”
“Ne të dy, së bashku me Nusretin, i cili është nisur më herët për të ardhur në bazë dhe po çuditem se si nuk ju paska takuar në rrugë”, shpjegon Avdullahu.
Të gjithë zbresin nga xhipat: Shukri Buja, Imri Ilazi, Agim Buja, Naim Beka, Lulzim Buja, Driton Islami dhe Lutfi Buja. Komandanti i Zonës e shpalos kufomën, e përqafon Ahmetin e ndjerë dhe qan me zë. Më pas përqafon dhe përgëzon Avdullahun dhe Nazmiun për guximin dhe trimërinë e treguar gjatë këtij aksioni të suksesshëm.
Xhipat kthehen, ndërsa pranë kufomës, përveç Nazmiut dhe Avdullahut, qëndrojnë edhe Driton Islami dhe Naim Beka. Me mbërritjen në Mollopolc, rreth orës 14:00, kufoma vendoset në oborrin e Brigadës, e cila ishte e vendosur në shtëpinë e Avdyl Shaban Isufajt. Aty mblidhen rreth njëqind veta, të cilët bëjnë homazhe pranë kufomës së të ndjerit. Më pas, kufoma vendoset në odën e Avdyl Isufajt dhe caktohen rojet e nderit.
Të nesërmen, rreth orës 14:00, u bë varrimi i dëshmorit Ahmet Kaçiku. Varrimi nuk ishte i lehtë, po të kihet parasysh se Varrezat e Dëshmorëve në Mollopolc ndodheshin shumë afër pozicioneve serbe që ishin të vendisura në “Kodrën e Gështenjave” në Shtime, çka nënkuptonte se pjesëmarrësit në ceremoninë mortore ishin të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të vdekjes.
Në varrim morën pjesë nëna Velime, bashkëshortja e dëshmorit, Mexhidja, si dhe vajza e vogël e Ahmetit, Festina. Ishte një ngjarje thellësisht prekëse kur nëna e Ahmetit e pa birin e saj të shtrirë, të pajetë, dhe tha: “Ani, bir, t’paska hije. Ti kështu ke pasur qejf. Edhe nana do të jetë e kënaqur, sepse ti shkove për atdhe.”
Ajo e përqafoi dhe e puthi në ballë, pa derdhur asnjë pikë loti.
Pas fjalimeve përshëndetëse të bashkëluftëtarëve, në fund, komandanti u nderua me tri krisma pushkësh.



