
Thaçi i ofron Australisë mbështetjen e FSK-së për ndaljen e zjarreve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se i ka ofruar Australisë mbështetje të menjëhershme operacionale të Njësive Emergjente të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ndihmuar me ndaljen e zjarreve.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se përmes një letre drejtuar guvernatorit David Hurley dhe kryeministrit Scott Morrison, ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e Kosovës për popullin e Australisë në këtë situatë tragjike që kanë krijuar zjarret e shumta.
“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes një letre drejtuar guvernatorit David Hurley dhe kryeministrit Scott Morrison, kam shprehur solidaritetin dhe mbështetjen tonë për popullin e Australisë në këtë situatë tragjike që kanë krijuar zjarret e shumta. Atyre u kam ofruar mbështetje të menjëhershme operacionale të Njësive Emergjente të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’i ndihmuar në ndaljen e zjarreve. Kosova i qëndron pranë shtetit mik, Australisë”, ka shkruar Thaçi.