
Thaçit dhe tre të tjerëve u vazhdohet paraburgimi në Speciale
Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale në Hagë. Vendimi është marrë më 3 tetor nga një gjykatës i procedurës paraprake, mirëpo është riklasifikuar si publik tek sot.
Gjykatësja Marjorie Masselot, ka vlerësuar në vendimin e saj se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi dhe të tjerët kanë kryer veprat penale të shkeljes së fshehtësisë zyrtare dhe pengimit të drejtësisë. Gjithashtu, si argument për vazhdimin e mbajtjes prapa grilave, u përdor edhe e ashtuquajtura “klima intimiduese kundër dëshmitarëve” në Kosovë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Hajredin Kuçi, Fadil Fazliu e Isni Kilaj po përballen me akuzat për ndërhyrje dhe pengim të drejtësisë në Hagë. Çështja ndaj tyre është ende në fazën paraprake.