Thesaret e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, trashëgimi e përbashkët

09 tetor 2025 | 16:10

 E nderuar drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha,

Të nderuar kolegë të bibliotekës,

Të nderuar të pranishëm,

Sivjet, për edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë, drejtoresha Blerina Rogova Gaxha na dha një ide dhe na angazhoi ta bëjmë një punë mjaft të madhe dhe të veçantë që s’e kemi bërë kurrë kaq voluminoze, me kaq kujdes dhe kaq shpejt. I bashkoi forcat e punës shpejt, me një fjalë i bashkoi disa punonjës të disa divizioneve dhe u shpërndau detyra të përzgjedhjes së materialeve, të përshkrimit bibliografik, të përzgjedhjes së fotografive nga hapësira të brendshme dhe të jashtme të bibliotekës për t’i paraqitur, po në një botim, edhe koleksionet më të çmueshme të bibliotekës sonë, edhe fotografitë më të bukura të hapësirës së bibliotekës sonë.

Edhe pse bëhemi dhe punojmë bashkë jo vetëm në të tilla raste, për edicione të javës, se kemi bërë punë të përbashkëta shpeshherë me kolegë, këtë herë u mblodhëm më shpejt se zakonisht dhe nisëm punën për përgatitjen e këtij katalogu të madh, të cilit i vumë titullin “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’”. Fillimisht zgjodhëm, nga Divizioni i Koleksioneve të Rralla, qindra libra, dhjetëra revista, dhjetëra gazeta, dhjetëra dorëshkrime orientale, disa letërkëmbime, një hartë dhe disa fotografi, nëpërmjet të cilave shohim rrugëtimin e botimit të librit, të revistave dhe të gazetave, edhe të materialeve të tjera, kryesisht në gjuhën shqipe dhe osmane, herë në një vend, herë në një tjetër.

Çdo libër, gazetë, revistë apo material tjetër bibliotekar në këtë katalog tregon një histori të veçantë prodhimi dhe përkujdesjen e veçantë tonën dhe të institucionit për ruajtjen e tyre. Pra, ideja e drejtoreshës Gaxha, edhe e gjithë grupit tonë që ka punuar për realizimin dhe botimin e këtij katalogu, ka qenë se institucioni më i lartë i librit në Kosovë, pavarësisht prej sfidave që ka pësuar gjatë luftërave, sidomos në luftën e fundit, ka arritur ta mbrojë dhe të ruajë në gjirin e vet pasurinë dhe trashëgiminë, kryesisht shqiptare, në mënyrën më të mirë. Pjesën më të madhe të këtyre materialeve e kam pasur në dorë vite më parë në laborator. Disa libra, gazeta, revista dhe lloje të tjera të materialeve të dëmtuara i kam restauruar edhe nga dy herë. Jam përkujdesur për ta siç përkujdesen prindërit për fëmijët sa janë të vegjël, madje shpeshherë jam bërë “kirurge” e tyre kur u janë paraqitur dëmtimet fizike nga faktorë të ndryshëm. E se si kanë qenë dikur këto materiale e se si janë sot, shpresoj se në Ditën e Bibliotekës, pas një muaji e gjysmë, do të mund të shohim një botim tjetër para dhe pas restaurimit të tyre. Këtë herë, për këtë katalog, ju njoftoj se në të janë përmbledhur 164 koleksione të veçanta të traditës sonë shkrimore dhe të bashkëjetesës sonë me kulturën evropiane dhe botërore, sepse në të kemi përfshirë edhe libra të rrallë në gjuhë të huaja.

Dhe pasi e përgatitëm këtë katalog dhe pasi që librat ende i mbanim në zyrë, shprehëm dëshirën që një pjesë të madhe të tyre ta ekspozojmë në hollin kryesor për t’i parë ne, për t’i parë edhe vizitorët vendorë dhe ndërkombëtarë që këtë vit janë shtuar shumë.

Po ashtu, ekspozita, karshi katalogut, sjell trashëgiminë tonë të përbashkët, nga e cila kuptojmë rrugëtimin historik dhe kulturor të publikimit të librave, trashëgiminë e pasur të shtypit shqiptar dhe rolin e mërgatës shqiptare për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës sonë.

Pavarësisht prej disa vështirësive për përzgjedhjen e thesareve të BKK-së për këtë botim, besojmë se ia kemi dalë mbanë t’i paraqesim edhe fondet më të rralla, edhe fondet më me vlerë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Për fund i falënderoj të gjithë punonjësit e Divizionit të Koleksioneve të Veçanta për përzgjedhjen e materialeve, kryeredaktoren e botimit, drejtoreshën Gaxha që na besoi këtë punë, gjithashtu redaktoren Shkëndije Pajaziti, përgjegjësin e ekipit punues për daljen në dritë të këtij katalogu, Berat Dakaj dhe Dalifin dhe Bujarin për skanim të materialeve.

Fjalë rasti e bibliotekares Blerta Krasniqi për katalogun “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç deklaroi se pjesëtarët…