Thirrjet në vesh të shurdhër

10 qershor 2021 | 13:57

Shkruan: Bekim Çollaku

Përkundër paqartësive dhe problemeve, së shpejti pritet të rifillojë dialogu për normalizimin e  marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përderisa periudha e shkurtër e udhëheqjes se  dialogut gjatë qeverisjes Kurti 1, nuk shënoi asnjë progres, tani mbetet të presim se çfarë do të ndodhë në periudhën e udhëheqjes së këtij procesi nga qeveria Kurti 2.

Sigurisht, ne të gjithë presim dhe duam sukses të qeverisë sonë në këtë proces, prandaj duhet të kemi durimin të mos  paragjykojmë procesin. Mirëpo, faza përgatitore për vazhdimin e këtij procesi është përcjell me të panjohura të shumta dhe veprime kontradiktore të cilat lënë pak hapësirë për shpresë. Procesi i  dialogut në këtë fazë, do të duhej të ishte vazhdimësi e një procesi të gjatë dhe të vështirë të filluar  në vitin 2011. Mirëpo, Kurti 2 insiston se nuk duhet të ketë vazhdimësi, por fillim të ri të këtij  procesi. Një gjë e tillë, jo vetëm që është e pakuptimtë nga çdo aspekt, por, përkundrazi, është madje edhe e rrezikshme për Kosovën. Fatmirësisht, BE-ja si ndërmjetësues i këtij procesi dhe  SHBA-të si mbështetës të pazëvendësueshëm, nuk mendojnë njëjtë si qeveria Kurti 2. Ata e dinë që nuk mund të ketë një proces të ri, mirëpo vetëm vazhdim të dialogut në përpjekje për të arritur  marrëveshjen përfundimtare obliguese ligjore, e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Tingëllon ironike, shikuar nga konteksti ynë i brendshëm, mirëpo tani vetëm pak ditë na ndajnë nga dita e takimit të përcaktuar ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit. Ky takim po ndodh në kundërshtim  me krejt parimet populiste të Kurtit kundër dialogut dhe negociatave me Serbinë, që në një fazë jo  të largët kohore përmes tyre inspironin aktivistët e VV të ushtronin dhunë kundër institucioneve  dhe zyrtarëve shtetërorë të Kosovës. Por, tani kur revolucioni ka ndodhur dhe rolet kanë ndryshuar,  një takim i Kurtit me Vuçiçin konsiderohet krejt normal nga militantët e VV. Kjo situatë e re, është  vetëm një shembull i mirë për aftësinë e një lideri populist për të manipuluar me lehtësi masat e  gjera në përputhje me qëllimet dhe ambiciet personale. Mirëpo nuk ka asnjë siguri se manipulimi  do kaloj pa u vërejtur. Sido që të jetë, takimi i parë i Kurtit me Vuçiçin nuk duhet të paraqet ndonjë  problem të madh, sepse do të shënojë vetëm fillimin e takimeve të shumta që do të pasojnë. Mirëpo,  shqetësimi kryesor lidhur me këtë takim ka të bëj me temat që do të diskutohen, për të cilat kjo  qeveri nuk është e gatshme të thotë asgjë. Për më tepër, Kurti 2 po tregohet tërësisht i pa interesuar dhe neglizhent ndaj kërkesave të liderëve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët me të drejtë kërkojnë përfshirjen e tyre në procesin e dialogut. Thirrjet e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për tu bërë pjesë e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë, po hasin në veshë të shurdhër. Zëri i tyre, nuk është mjaftueshëm i fortë për  të depërtuar tek veshët e qeverisë Kurti 2. Kjo situatë është vërtet e dhimbshme, mirëpo jo e  papritur.

Jo shumë kohë më parë, liderët politikë të shqiptarëve të komunave Preshevë, Bujanovc dhe  Medvegjë në një konferencë për shtyp së bashku më Presidentin e Republikës së Kosovës z.  Hashim Thaçi, duke artikuluar shqetësimet e tyre, ndër të tjera kërkuan që të respektohet vullneti  politik i tyre i shprehur përmes referendumit të vitit 1992. Adresimi dhe zgjidhja e problemeve të kamotshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës është obligim shtetëror dhe nacional për të  siguruar ruajtjen e identitetit dhe vetë ekzistencën e shqiptarëve atje. Duke e konsideruar si të tillë, në atë kohë, institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës për herë të parë filluan të artikulojnë këto kërkesa legjitime në mënyrë publike dhe ta trajtojnë si problem me prioritet përpara BE-së dhe SHBA-ve. Mirëpo, “gardianet e patriotizmit” në atë kohë në Kosovë dhe propaganda populiste në emër të patriotizmit, duke përdoruar edhe format e frikësimit dhe shantazhit, arriti ta shuajë shpresën e porsalindur tek shqiptarët e Luginës së Preshevës për të zgjidhur çështjen e tyre  nëpërmjet dialogut. Ata shpejt u mashtruan nga populistët dhe zëri i tyre papritur nuk dëgjohej më.  Ata heshtën, duke menduar se kështu po shpëtonin Kosovën nga “ndarja” por nuk e kuptonin dot  që “ndarja” ishte sajuar nga “patriotët” për qëllime politike dhe realizim të ambicieve personale.

Tani kur zërat nga Lugina e Preshevës janë zgjuar përsëri, duket qartë se ata po hasin në vesh të shurdhër tek qeveria e Kosovës. Liderët aktual shtetërorë të Kosovës nuk kanë vullnet politik që të artikulojnë përpara BE-së dhe SHBA-së kërkesat legjitime të shqiptarëve që jetojnë atje. Kjo  situatë nuk guxon të rezultojë në dorëzim dhe heqje dorë nga kauza e drejtë e tyre. Përkundrazi,  duhet të jetë motiv për ndërgjegjësim dhe thirrje edhe më të forta në drejtim të veshëve të shurdhër,  me shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet një ditë. Të përballur me këtë sfidë, shqiptarët e Luginës  së Preshevës dhe ata të Kosovës, nuk janë të etur për të gjykuar veprimet e gabuara në të kaluarën. Tani të gjithë presim që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe  Serbisë. Ndërsa, rifillimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe  Serbisë, është mundësia dhe mekanizmi i vetëm për të zgjidhur në mënyrë paqësore të gjitha  çështjet e hapura ndërmjet të dy shteteve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Prandaj, pa asnjë hezitim, qeveria e Kosovës duhet ta bëjë hapin e parë: hapjen e veshëve për të dëgjuar zërin e arsyes që vjen nga shqiptarët e Luginës së Preshevës për tu bërë pjesë e procesit të dialogut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Agron Bruqi është larguar nga skuadra e Arbërisë. Kjo…