“This is my live”, album me këngë të bukura
Sadik Krasniqi
Albumi i dalë në Gjermani përmban 15 këngë në gjuhë të ndryshme, prej tyre katër në shqipe, të interpretuara nga Driton Gashi në orkestrim të Björn Prenzel
Driton Gashi është një i ri që veçohet me talentin shumëdimensional. Ai merret me gazetari, krijime letrare, përkthen letërsi, mbledh dhe seleksionon muzikë tradicionale shqipe, komponon dhe këndon shumë bukur. Të gjitha këto i bën me kompetencë të lartë profesionale. Ai këto ditë doli me albumin e dytë muzikor me stil dhe gjuhë të ndryshme. Albumi This is my live (Kjo është jeta ime), siç tregon edhe vetë titulli, përmban këngë të ndryshme që kanë një motiv përafërsisht të ngjashëm, të jetuarit me artin e muzikës. Të jetuarit me pasionin e të krijuarit të së bukurës. Këtë motiv e shpreh edhe vetë Dritoni në shkrimin e tij shoqërues të këtij albumi, i cili thekson: “Janë këto këngë që më kanë përcjellë dhe impresionuar gjatë tridhjetë vjetëve të fundit. Andej vendosa t´i interpretoj në mënyrën time, ashtu siç thotë i madhi Frank Sinatra… I diti it my way”.
Albumi muzikor i dalë si CD përmban 15 këngë në gjuhë të ndryshme (katër prej tyre shqip) të interpretuara nga Driton Gashi dhe të orkestruara nga miku i tij Björn Prenzel. Këngët e interpretuara në këtë album në gjuhën angleze, gjermane, spanjolle, italiane janë këngë botërisht të njohura si: Love is the air, Maledetta primavera, Besamo mucho, Ich war noch niemals in New York, My Way, This is my live etj.
Pos këtyre këngëve në album janë përfshirë dhe këngët e bukura shqipe: Poçari, A do të vish, Valsi i lumtur si dhe Rrjedh në këngë dhe ligjërime.
Albumi This is my live sjell një mbresë të veçantë plot kënaqësi, emocion dhe përjetim shumë të këndshëm. Shija e përzgjedhjes së këngëve shumë të bukura e të kënduara aq bukur me orkestrim të përkryer fascionon befasueshëm. Interpretimi i këtyre perlave muzikore nuk është një imitim i thjeshtë, por është një kreacion me një zë origjinal dhe shumë të ëmbël. Janë këngë të kënduara me plot frymë dhe shpirt të një artisti të formuar me shije fine dhe kulturë të lartë profesionale.
Shumëllojshmëria gjuhësore e interpretimit e bën këtë album të veçantë dhe të këndshëm për dëgjim, ndërkaq Driton Gashin artist shumëdimensional, modern dhe bashkëkohor.
Inkorporimi i këngëve shqipe në këtë CD tregon dellin etnik të një shqiptari të emancipuar dhe të kulturuar shumë mirë familjarisht e institucionalisht e, si i tillë, bën të dëgjohet, të ndihet dhe të duhet e çmohet.
Bukuria e të kënduarit me një spontanitet sovran tregon për talentin e këtij të riu dhe dhuntinë që ka si këngëtar. Zëri prej një timbri blu dhe të shqiptuarit e qartë të tekstit nga ky këngëtar, na përkujton dhe përngjason të madhin dhe të paharrueshmin Jusuf Gërvalla. Ai trazon rrugën e Jusufit edhe për nga ndjeshmëria, finja, delikatesa dhe mallëngjimi që atribuon mërgimtarin. Andaj shpesh këngët e tyre janë balada plot mall dhe nostalgji. Të dëgjuarit e kësaj CD-je bëhet me ëndjen e të dëgjuarit të një simfonie të akorduar mrekullueshëm. Kjo vjen nga orkestrimi shumë i bukur i instrumenteve muzikore të koordinuara aq mirë saqë krijon përshtypjen e të përjetuarit të muzikës së gjallë. Në të ardhmen ne dëgjuesit dhe adhuruesit e këngëve dhe muzikës së këtij këngëtari të talentuar presim shumë e shumë, ngaqë këtë shpresë na e imponon me fillimin e tij të shkëlqyeshëm. Më në fund këtë mbresë për këtë album të bukur dhe për vetë këngëtarin do ta kishim përfunduar me thënien e prof. Ramiz Kelmendit për talentët e mëdhenj: “Mbani mend këtë emër”, Driton Gashin.



