
Thuram: Do t’i tregoj babait si fitohet Liga e Kampionëve
Finalja e Ligës së Kampionëve do të jetë një moment i veçantë për Marcus Thuram, jo vetëm sepse do të luftojë për një nga trofetë më prestigjiozë në futboll, por edhe sepse përballë do të ketë PSG-në, ekipin simbol të vendit ku ai u rrit.
Një sfidë e veçantë në shumë aspekte për sulmuesin francez të Interit, që për herë të parë në karrierën e tij do të përjetojë emocionet e një finaleje evropiane.
“Është një ndeshje speciale, sepse është finale e Ligës së Kampionëve. Për mua ndoshta edhe më shumë: do të luaj kundër ekipit në të cilin jam rritur. Shpresoj ta fitoj”, u shpreh Thuram gjatë Media Day të UEFA-s.
Francezi i njeh cilësitë e PSG-së, por e thekson qartë synimin: “Për mua nuk është surprizë që janë në finale, i njoh mirë: janë një klub i madh me lojtarë të mëdhenj dhe filozofi të qartë. Por shpresoj t’i tregoj babait tim si fitohet një Ligë e Kampionëve”, ka shtuar ai.
Forma e tij në pjesën e dytë të sezonit është ndikuar nga disa dëmtime, që sipas tij kanë ndikuar edhe në ecurinë e Interit: “Nuk kam qenë në të njëjtin nivel si në pjesën e parë të sezonit. Por e rëndësishme është që Interi është në finale. Kemi 90 minuta – ndoshta edhe më shumë – për të fituar një trofe të madh”.