Totaj: Të rinjtë janë forca shtytëse e zhvillimit digjital të Prizrenit (video)
Në hapësirat e “Makerspace Innovation Center”, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar takim frymëzues me të rinjtë inovatorë të qytetit, ku është diskutuar për rolin e teknologjisë, start-up bizneseve dhe inteligjencës artificiale në krijimin e mundësive të reja për karrierë dhe zhvillim ekonomik.
“Të rinjtë e Prizrenit janë forca shtytëse dhe energjia pozitive që e mban qytetin tonë në lëvizje. Inovacioni, kreativiteti dhe puna e tyre po e bëjnë Prizrenin një qendër gjithnjë e më të rëndësishme në fushën e teknologjisë”, ka thënë kryetari Totaj.
Ai ka shtuar se Komuna e Prizrenit do të vazhdojë ta mbështesë këtë sektor me projekte konkrete dhe bashkëpunime me qendra inovative e universitete.
“Ne besojmë se përmes bashkëpunimit me organizata si ‘Makerspace’, mund të krijojmë terren të përshtatshëm për ide të reja, për zhvillimin e start-up bizneseve dhe për përfshirjen e të rinjve në proceset transformuese të qytetit”, ka thënë Totaj.
Takimi ka shënuar një hap tjetër në drejtim të përkrahjes së inovacionit dhe zhvillimit digjital në Prizren, duke konfirmuar përkushtimin e komunës për ta bërë qytetin një qendër të teknologjisë dhe kreativitetit në Kosovë.



