
T’përbashkuar në marrëzi
Shkruan: Bekim Çollaku
Kosova ndodhet, sërish, përballë pasqyrës së vet dhe nuk i pëlqen aspak ajo që sheh. Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, vendi vijon të mbetet në një kaos institucional, pa kryetar dhe kryesi të Kuvendit, pa qeveri legjitime dhe funksionale dhe, mbi të gjitha, pa ndjesinë elementare se ky shtet ka zot shtëpie.
Shumë shpejt euforia e festimit primitiv të natës së fitores u shndërrua në një heshtje që rëndon. Ajo po lëshon jehonë në çdo cep të shoqërisë sonë.
Kjo heshtje po lë shije të keqe jo vetëm në vendimmarrje publike, e cila ka ngecur, tek ekonomia që pret miratimin e buxhetit, por edhe te diplomacia, te miqtë tanë perëndimorë, që po duken të zhgënjyer përditë nga mungesa e sjelljes racionale të elitës politike kosovare.
Rezultati i zgjedhjeve i 9 shkurtit ishte mjaftueshëm i pastër për të legjitimuar Lëvizjen Vetëvendosje si forcën më të madhe, por jo aq i thellë sa t’i kapte numrat magjikë 61, që hapin derën e pushtetit. Si rrjedhojë, lideri suprem zgjodhi pengmarrjën e Kuvendit të Kosovës qysh në seancën e parë.
Opozita e refuzoi kandidaten e VV-së për kryetar — me arsyetimin se ajo përdoret si kamçit politik përçarës nga Albin Kurti. Për ta thelluar përçarjen, VV nguli këmbë në zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pa arritur marrëveshje politike paraprake me ndonjë nga partitë tjera parlamentare. Prej asaj dite salla dhe korridoret e parlamentit gumëzhijnë vetëm për regji televizive, ndërsa reporterët ngelen me mikrofonat në korridore duke përsëritur lajmin se “seanca u shty” apo “dështoi përsëri”. Mjerisht, për demokracinë tonë të brishtë, politika po luan poker me legjitimitetin e vet.
Si të mos mjaftonte ky ngërç, ligji i ri zgjedhor — miratuar me ngut vitin e kaluar — doli të jetë një eksperiment i pasuksesshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është hisedarë i këtij kaosi politik. Votimi nga diaspora ishte një dështim dhe në vend që të siguronte përfaqësim adekuat, ai solli degradim dhe manipulim të skajshëm të votës.
Në vend që t’i afrojë qytetarët jashtë vendit me vendimmarrjen në Kosovë, reforma ua mbylli derën duke i bërë të ndihen sërish “kosovarë me kohë të pjesshme”. Kulmi i dështimit ishte procesi i numërimit dhe i shpalljes së rezultateve. Pas kësaj përvoje të dështuar urgjentisht duhet ndryshuar ligjin zgjedhor dhe duhet adresuar problemet.
Shqipëria ka raportuar se verifikimi elektronik i identitetit të diasporës uli abuzimin me 92 %, ndërsa Estonia ka dy dekada që voton online, pa kontestim serioz. Nuk ka arsye pse Kosova të mos adoptojë modele të provuara dhe të njohura. Mirëpo, si duket partitë politike preferojnë një sistem të tillë të deformuar, prandaj edhe nxituan të riemërojnë anëtarët e njëjtë në KQZ-ë.
Fushata që parapriu 9 shkurtin e thelloi hendekun. Gjuha e urrejtjes u bë normë. Liderët partiakë zbresin në podium me slogane sovraniste. Kundërshtarët etiketohen “hajvana” e “mercenarë”, ndërsa rrjetet sociale e amplifikojnë çdo fyerje për klikime.
Ky diskurs i helmuar vazhdon edhe sot kontaminues brenda një Kuvendi të pakonstituuar, ku deputetët i shmangen çdo kompromisi nga frika e reagimit të tifozëve të tyre virtualë. Polarizimi është bërë gur rëndues në ngrehinën e sistemit: sa më e madhe zhurma denigruese, aq më pak hapësirë për dialog dhe marrëveshje politike. Produkti i vetëm dhe i sigurt mbetet vetëm kaosi dhe anarkia politike – institucionale.
Albin Kurti duhet ta kuptoj se vazhdimësia e qeverisjes së tij, është e pamundur pa bërë marrëveshje me ndonjërën nga partitë tjera parlamentare, që ai i ka cilësuar si parti të udhëhequra nga “…”. Në anën tjetër, partitë parlamentare PDK, LDK dhe AAK+NISMA, duhet ta pranojnë që paaftësia e tyre për të bërë marrëveshje politike për qeverinë e re, është e pajustifikueshme.
Lufta për pozitën e kryeministrit iu ka verbuar mendimin dhe veprimin racional të domosdoshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Veprimet për të gjetur zgjidhje brenda kornizës kushtetuese, duke anashkaluar domosdoshmërinë e marrëveshjeve politike ndër partiake, vetëm do të mund të prolongojnë kaosin institucional. Implikimi i Gjykatës Kushtetuese në situatën aktuale, edhe pse mund të jetë rrugëdalja e vetme, rrezikon prolongim dhe mbase zgjidhje që mund ta komprometojnë Kushtetutën.
Kërcënimet liderëve politikë, duke ofruar opsionin e zgjedhjeve të reja, janë tallëse dhe fyese, duke marrë në konsideratë kostot milionëshe dhe lodhjen e elektoratit. Asnjëra nga partitë politike nuk është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ato janë në ankth për zgjedhjet lokale që po afrohen, e lere më të mendojnë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Si përfundim, Albin Kurti duhet të gjejë një partner politik për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes së tij; ose, si alternativë, PDK, LDK dhe AAK+NISMA duhet te bëjnë marrëveshje politike që së bashku të bëjnë qeverinë e re. Nëse realizohet ky opsion i dytë, këto parti pa asnjë vonesë duhet ta pranojnë dhe votojnë cilindo kandidat të propozuar nga VV për kryetar të kuvendit të Kosovës.
Ndërsa institucionet luajnë shah, shoqëria civile dhe mediat po luftojnë për të siguruar transparencë për qytetarët duke monitoruar çdo seancë në “livestream”. Ky aktivizëm është oksigjeni i vetëm që mban gjallë shpresën se demokracia nuk është thjesht një fjali në Kushtetutë. Por ai nuk mjafton pa sinjalin e duhur nga liderët: pranim se retorika dehumanizuese dhe ngujimi partiak janë çmim i papërballueshëm.
Kosova ka kaluar kriza më të rënda: pasluftën, shpalljen e pavarësisë, dialogun e stërzgjatur me Serbinë etj. Në çdo rast, zgjidhjet erdhën kur politika pranoi të ulej bashkë, jo kur njëra palë triumfoi mbi tjetrën. Nëse sot na bashkon diçka, fatkeqësisht është marrëzia e të mosvepruarit ose veprimet e gabueshme. Por, po aq na bashkon edhe mundësia për ta prishur këtë heshtje.
Në fund të fundit, ta zhbllokosh Kuvendin, të reformosh sistemin zgjedhor dhe të sigurosh votën e diasporës, të rifitosh besimin e miqve perëndimorë—këto nuk janë opsione luksi, por kushte minimale për t’i dhënë vendit një shans tjetër. Është koha që liderët tanë të mos fshihen pas numrave, por t’i japin kuptim fjalës “përgjegjësi” para se e nesërmja të shkruajë epitaf në mermerin e një demokracie të vdekur.