“Trafiku Urban” dhe NPB nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
U.D. i kryeshefit ekzekutiv të “Trafikut Urban”, Qendrim Vitija, dhe kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Arton Berisha, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që parasheh kryerjen e intervenimeve dhe riparimeve ndërtimore në objektet dhe hapësirat që administrohen nga “Trafiku Urban”.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i hapësirave më funksionale për stafin e ndërmarrjes, me fokus sigurinë në vendin e punës.
Vitija theksoi se kjo marrëveshje është një investim i drejtpërdrejtë në punëtorët dhe në cilësinë e shërbimit që u ofrohet qytetarëve. “Me këtë marrëveshje po investojmë drejtpërdrejt në punëtorët tanë dhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Kushte më të mira pune do të thonë shërbime më të mira për qytetarët”, ka deklaruar Vitija nga N.P.K. “Trafiku Urban”.
Nga ana tjetër, kryeshefi i NPB-së, Arton Berisha, u shpreh se ky bashkëpunim është shembull i qartë i funksionimit të mirëfilltë të ndërmarrjeve publike. “Jemi të bindur se investimi në infrastrukturën e objekteve dhe hapësirave të punës përkthehet drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve”, ka thënë ai.
Kjo marrëveshje pritet të sjellë rezultate konkrete në një afat të shkurtër dhe të përforcojë bashkëpunimin në mes të dy ndërmarrjeve.



