
Trajneri i sporteve të rënda, Sabri Dragusha, premton punë dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve
Sabri Dragusha është një figurë e njohur në jetën kulturore dhe sportive të Kosovës që nga vitet ’80. Ai është themelues i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Hasan Prishtina” në Bardhosh, e cila në atë kohë ishte ndër më aktivet në vend, duke promovuar vlerat kombëtare dhe trashëgiminë kulturore.
Përveç aktiviteteve kulturore, Dragusha ka dhënë kontribut të madh edhe në sport. Ai themeloi Klubin e Fitnesit dhe Bodibildingut si dhe Klubin e Karatesë “Bardhoshi”, duke promovuar një jetë të shëndetshme për të rinjtë. Për shumë vite ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Bodibildingut dhe Fitnesit të Kosovës, ku ka ndihmuar që sportistët kosovarë të përfaqësohen me dinjitet dhe sukses në arenat evropiane dhe botërore.
Së bashku me kryetarin e federatës, Esat Lata, kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme duke nxjerrë kampionë botërorë, nënkampionë botërorë, kampionë evropianë e shumë medalistë të tjerë.
Përveç angazhimit në kulturë e sport, Sabri Dragusha ka përvojë të gjatë edhe në administratën publike. Për shumë vite ka punuar si zyrtar në Gjendjen Civile të Komunës së Prishtinës, ku është vlerësuar për korrektësinë, ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij në shërbim të qytetarëve.
Me mbi 30 vite përvojë, njohuri të gjera dhe zotërim të pesë gjuhëve të huaja, Dragusha cilësohet si një shembull i qytetarit aktiv, vizionar dhe i përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët.
Pas gjithë këtij kontributi, ai ka vendosur të angazhohet edhe në politikë. Dragusha është kandidat i Lidhjes për Prishtinën, që udhëhiqet nga Fehmi Kupina, dhe garon me numrin 22 në listën zgjedhore për Asamblenë Komunale të Prishtinës.
“Do të punoj dhe do t’ju shërbej qytetarëve me nder e përkushtim,” ka deklaruar Dragusha.