Trajneri i Zvicrës flet për Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin

28 gusht 2025 | 15:18

Leon Avdullahu ditë me parë vendosi të përfaqësojë Kosovën në vend të Zvicrës, kurse këtë vendim e ka komentuar të enjten përzgjedhësi “Helvetik”, Murat Yakin. Ylli i ri i Hoffenheimit u kritikua nga vendimi i tij në Zvicër, aty ku u lind e u rrit, dhe ku luajti në ekipet zinxhir të Zvicrës.

“Sa e di unë, kemi punuar fort për të gjatë pranverës. Natyrisht, me kalimin në Bundesligë, tash i ka synimet dhe pritshmëritë e veta. E kam një ndjenjë që nuk ishte e lehtë për të. Duhet ta pranojmë faktin se ka vendosur ta ndërrojë Kombëtaren. Natyrisht, është një zhgënjim për ne, për të të ardhur keq që ka ndodhur kjo. Interpretimi im është se ai ka konkurrencë të madhe në mesfushë (tek Zvicra) dhe ka dëshirë të luajë menjëherë (tek Kosova)”, ka thënë Yakin. “E pata një bisedë të gjatë me të në pranverë dhe ia shpjegova perspektivat sportive. Siç e shoh unë, ai nuk e ka zgjedhur rrugën sportive. Nëse dikush ndihet ndryshe për kulturën, ne nuk mund të ndikojmë këtu”, ka shtuar Yakin.

Përzgjedhësi i Zvicrës foli edhe për mbrojtësin Albian Hajdari, i cili mund ta ndjekë rrugën e Leon Avdullahut për t’iu bashkuar Kosovës. Yakin ka thënë se Federata e Futbollit të Zvicrës është duke punuar në këtë drejtim, por që nuk ka dashur ta ftojë për ndeshjet e shtatorit pasi lojtari së fundmi u bë me ekip të ri duke u transferuar në Hoffenheim. “Nuk e përfshimë në ndeshjet e shtatorit, për këtë kemi rënë dakord. E kemi një plan për të, por do ta trajtojmë këtë pas ndeshjeve të shtatorit”, u shpreh Yakin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga Dhomat…