Transformimi marramendës i anijes e cila “lindi” dy vite pas mbytjes së Titanikut!

26 gusht 2025 | 12:34

Në vitin 1914, vetëm dy vjet pas tragjedisë së Titanikut, kantieri detar i Newport News në Virxhinia nxori në det një anije të re me avull: SS Medina. E projektuar fillimisht për transport mallrash bujqësore – kryesisht qepë – ajo do të kishte një jetë të gjatë dhe të pazakontë, duke ndërruar vazhdimisht emra, pronarë dhe misione përgjatë më shumë se një shekulli.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Medina u mobilizua nga ushtria amerikane, ndërsa më vonë u transformua në anije pasagjerësh me emrin SS Roma. Pas disa modernizimeve me motorë me naftë, iu rikthye turizmit si MS Franca C. Në vitin 1977, një organizatë e krishterë e bleu dhe e riemëroi MV Doulos, duke e shndërruar në anije misionare dhe bibliotekë lundruese. Për dekada, Doulos vizitoi mbi 100 shtete, përshkroi rreth 360 mijë milje detare dhe u bë e njohur si një “anije e dijes dhe besimit”. Madje në vitin 1991, gjatë një sulmi me granata nga separatistë në Filipine, humbën jetën dy misionarë.

Pas viteve të gjata në shërbim, në 2010 anija nuk plotësonte më standardet e sigurisë dhe rrezikonte të shkonte për skrap. Atëherë në skenë doli biznesmeni singapuras Eric Saw, i cili e bleu për 900 mijë euro, me idenë e guximshme për ta kthyer në një hotel të pazakontë, por edhe për të mbështetur kauza bamirësie. Investimi arriti në rreth 18 milionë dollarë dhe kërkoi plot 15 vite punë të palodhur.

Sot, anija quhet Doulos Phos – që në greqisht do të thotë “Shërbëtori i Dritës”. E tërhequr mbi një platformë betoni në ishullin Bintan të Indonezisë, ajo është kthyer në një hotel luksoz me rreth 100 dhoma. Shumë pjesë origjinale, si dhomat e ekuipazhit, varkat e shpëtimit dhe madje edhe boshti i helikës, janë ruajtur për të mbajtur gjallë frymën historike.

Hoteli u hap fillimisht në vitin 2019, por pandemia e mbylli për disa vite. Që nga 2023, ai mirëpret turistë nga e gjithë bota, duke u ofruar jo vetëm akomodim të veçantë, por edhe një përvojë historike. Fitimet shkojnë për bamirësi, ndërsa Eric Saw e sheh projektin si një “thirrje hyjnore”, më shumë se një sipërmarrje fitimprurëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Çdo popull e meriton udhëheqjen që ka” Udhëheqësit e institucioneve…