Tregim / ZEMRA E PASTËR E ENGJËLLIT

04 nëntor 2025 | 15:07

Demir Reshiti

Në një pasdite të ngrohtë fillimvjeshte, stadiumi i qytetit gumëzhinte nga zhurma, brohoritjet dhe fishkëllimat. Flamujt valëviteshin në ajër, ndërsa djemtë në fushë vraponin pas topit sikur po ndiqnin një ëndërr të madhe.

Mes atyre qindra shikuesve në tribuna ishte edhe Engjëlli, një djalosh tetëvjeçar me fytyrë të ndritshme dhe sy të kristaltë. Ishte hera e parë që vinte në këtë stadium me babain e tij, dhe çdo gjë i dukej e mrekullueshme – ngjyrat, zërat, lëvizjet, çdo gjë.

Por ajo ditë nuk do të mbahej mend për golat. Do të mbahej mend për diçka tjetër…

Teksa ngjitej shkallëve të tribunës, Engjëlli pa një letër të vogël të gjelbër që lëkundej nga era. U përkul dhe e mori. Ishin pesë euro të vërteta.

Zemra i rrahu fort. Nuk ishte gëzim, por diçka që i ngjante më shumë një shqetësimi të ëmbël. Ai e dinte – që në shtëpi ia kishin mësuar – se nuk duhet marrë asgjë që nuk është jotja.

– Babi, shiko! Dikujt i kanë rënë pesë euro! – tha, duke i shtrënguar fort në dorën e vogël.
– Po a, ku i gjete? – u përgjigj babai, pa ia ndarë sytë fushës. – Hajde, ulu tani, do ta gjejmë më vonë njeriun që i kanë humbur.

Por Engjëlli nuk u ul. Ai nisi të pyeste njerëzit përreth, një nga një:
– A ju kanë rënë pesë euro?
– Jo, jo, jo mua, – i përgjigjej secili, disa me buzëqeshje, disa fare pa kujdes.

Një burrë i moshuar madje i tha:
– Ruaji ti, se të takojnë ty pasi i ke gjetur!

Por Engjëlli nuk pranoi. Ndiente se duhej t’i kthehej pronarit, kushdoqoftë ai. Dhe nuk do të qetësohej, derisa ta bënte.

Babai filloi të ndiente lodhjen e pyetjeve të pafundme.
– Shko, bir, pyete atë njeriun që shet fara. Ndoshta janë të tijat.

Engjëlli ngriti kokën dhe pa burrin që ecte ngadalë ndërmjet rreshtave, me një shportë në dorë të mbushur me fara në krah dhe me thirrjen e njohur:
– Urdhëroni fara kungulli… fara luledielli!

Djaloshi vrapoi drejt tij, e preku lehtë në dorë dhe e pyeti me zë të ndrojtur:
– Zotëri, a ju kanë rënë pesë euro? I gjeta këtu afër…

Shitësi u kthye, e pa shkurt, dhe pa as më të voglin hezitim, ia mori paratë nga dora. As “faleminderit”, as buzëqeshje, as një grusht fara për djalin që ia kishte kthyer.

U largua shpejt, duke vazhduar thirrjen e tij:
– Urdhëroni fara kungulli… fara luledielli!

Disa njerëz që panë skenën mbetën të habitur. Ndër ta ishte edhe një burrë me kostum të errët, që kishte ardhur gjithashtu ta shikojë ndeshjen, një deputet. Ai e ndoqi Engjëllin me sy dhe tundte kokën me një buzëqeshje të lehtë.

– A paska ende njerëz që nuk e marrin atë që s’u takon… – pëshpëriti ai për vete, sikur të kishte zbuluar një shpresë të re për botën.

Engjëlli u ul më në fund pranë babait. Ndeshja vazhdonte, por për të gjithçka ishte e qetë. Ndoshta nuk e dinte nëse kishte bërë gjënë e duhur apo jo, por ndiente diçka të bukur brenda vetes – një qetësi që nuk blihej me para.

Në atë stadium plot zhurmë, djaloshi tetëvjeçar ishte i vetmi që fitoi me të vërtetë – jo paratë e gjetura, por ndershmërinë e tij. Dhe ajo vlente shumë më tepër se çdo gol, çdo duartrokitje apo çdo fitore tjetër.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për…