TRIADA E KOSOVËS

09 mars 2021 | 11:07

Shqipëria dhe pranvera e vitit 1981 në Kosovë

Shkruan: Bedri Islami

Fillesa

Mbrëmja e 11 marsit 1981 dukej se do të ishte e zakonshme, në shumëllojshmërinë e të tjerave që largohen pa lënë shenjën e tyre. Çuditërisht, një mbrëmje e butë, me errësirën që ka rënë në qytetin studentor të Prishtinës, ku vetëm një sy i stërvitur mund të vinte re se kishte një lëvizje më të dendur se zakonisht dhe se në dyert e godinave të fjetjes dhe pranë mensave, kishte më tepër studentë se në mbrëmjet e tjera të marsit.

Thellimi i marsit duket se po ikte.

– Idetë e marsit po ikin, – tha një student i filozofisë.

Befas, kur dukej se iku edhe një natë, gjithçka ndryshoi. U dëgjuan zëra të zhurmshëm, pastaj përplasje dyersh dhe ndonjë krismë e rrallë që ngjante si thyerje pjatash dhe, ashtu si fryn befas një erë e furishme stuhie, njerëzit dolën në sheshe dhe filluan të flasin me zë të lartë. Fillimisht nuk kuptohej se çfarë po ndodhte. Gjithçka dukej si një lëvizje amorfe, e lindur befasisht dhe, si të gjithë gjërat e befta, edhe ajo ishte e rrëmujshme. Por, ndërsa zërat ngriheshin gjithnjë e më tepër, gjërat po organizoheshin përherë e më mirë.

Dritat në konviktet përreth po ndizeshin përherë e më shumë dhe u duk se u krijua një qiell tjetër, që edhe kishte lidhje me qiellin e ndriçuar, por edhe paralajmëronte se tashmë bëhej fjalë për diçka më të madhe nga ajo që po ndodhte.

Sheshi po mbushej dhe, kur hapësira nuk i zinte të gjithë ato që po mblidheshin jashtë, atëherë studentët iu drejtuan rrugëve të Prishtinës. Pra, kur u bënë shumë, kur sheshet e korpusit studentor nuk ishin të mjaftueshme, ata dolën në rrugë.

Deri atë moment, ata ishin studentë që protestonin, por, kur dolën jashtë hapësirës universitare, ata morën përsipër shumë më tepër. Nisën rrugën drejt kryengritjes, ndonëse nuk ishin ende kryengritës. Të tillë ata do të bëheshin disa ditë më pas, më 1 dhe 2 prill, duke pasur si mesore 26 marsin.

Katër ditët që do të ndryshonin përjetësisht fatin e Kosovës. E bashkë me të, do të sillnin ndryshime të mëdha në shtetin amë – Shqipërinë.

Gjithçka që kishte ndodhur deri atë dite kishte qenë parapërgatitje. Ajo që do të ndodhte pas saj do të ishte lufta.

Nëse nuk do të kishte qenë viti 1981, Kosovës do i kishte munguar dhe tetori e nëntori i vitit 1989. E, nëse nuk do të kishte qenë ky i fundit, vështirë se do të vinte pranvera e marsit 1998.

Ka një lidhje të hershme mes tyre. Ajo që ndodhi në vitin 1981 solli përgatitjen për luftën e ardhshme. Në mars 1981, studentët dhe njerëzit e zakonshëm veshën uniformat e luftëtarëve, por luftëtarë nuk u bënë. Ishte momenti kur e dinin se me cilët do të ndesheshin, por nuk e dinin ende se si. Sublimja ishte mbjell, por nuk ishte rritur. E rëndësishme që nuk humbi një brez luftëtarësh.

Shpeshherë, guximi ka bërë punë më të mëdha se sa vetë lufta e nisur para kohe. Guximi për të mbajtur brenda vetes çastin e duhur është më sublim se disa armë në çastin e gabuar.

Viti 1981 ishte çasti i duhur për të nisur një rrugëtim të gjatë, thuajse 20-vjeçar, dhe shumë nga ata, që e filluan, ishin edhe në përfundimin e saj. Të bësh luftë 20-vjeçare nuk do të thotë të jesh vetëm trim, por edhe i mençur e i duruar.

Njëri prej tyre, Adem Jashari, në vitet e mëpasshme, do të tregonte me pak fjalë gjithë filozofinë e kësaj lufte, që gjithkënd tjetër, veç idealistëve, do të kishte rraskapitur: “Ne mund të bëjmë edhe një aksion në javë, por nuk jemi kaçakë të panjohur. Dikush duhet t’i marrë përsipër aksionet tona. Duhet një strukturë drejtuese dhe koha është tani. Lufta e kaçakëve është e bukur, por shter shpejt. Ajo fillon me rrëzue një qeveri dhe vazhdon me sulmue depo drithërash apo ndonjë milic”.

Kryengritja do të jetë e pranishme në tre këndet e një lëvizje që shumë herë nuk ka pika të tjera të përbashkëta takimi, dhe, herë të tjera, do të duket se janë në të njëjtën linjë.

Këndi i parë i saj është qendra studentore e Universitetit të Prishtinës.

Çfarë po ndodh aty?

Çfarë po ndodh jashtë saj?

A kanë lidhje ngjarjet brenda këtij korpusi me gjithë zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë?

Është kauza e drejtë ajo që shenjtëron deri edhe luftën! / Friedrich Nietzsche

Pyetja e parë që është bërë gjithnjë është: përse pikërisht viti 1981 dhe pranvera e tij? A nuk kishte një kohë tjetër, ta zëmë viti 1968, kur në Kosovë kishin shpërthyer protesta të përgjithshme, të cilat sollën edhe Statusin e Autonomisë së Kosovës? A nuk mund të kërkohej, që në atë vit, ajo që po kërkohej në vitin 1981: Kosova – Republikë?

Përgjigjja më e saktë e kësaj pyetje është dhënë nga politologu më i shquar i Kosovës, Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti e quante vitin 1981 nyje, zgjidhja së cilës e mundësonte lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. Ai shpjegon:

Kritika të tjera, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë- përse pikërisht viti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo edhe ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe, përgjigjja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet e tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet e tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës, por, sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e kuantitetit në kualitet dhe rastësisht i ndrydhi subjektet, që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet e tjera.

Edhe kundërgoditja e pushtetit do të ishte më e ashpër se asnjëherë tjetër, natyrisht jo sa ajo e vitit 1948. Në periudhën 1944 – 1947, në Kosovë, do të vriteshin 39 mijë shqiptarë, duke nisur që nga figura, do të thosha, mitike, të qëndresës, si Shaban Polluzha, Mulla Idrizi, e deri tek hartuesit e drejtuesit e Konferencës së Bujanit, ku ishte sanksionuar dëshira e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, si Xheladin Hana dhe Ymer Berisha.

Pas vitit 1981 do të ketë goditje masive. Gjer në vitin 1989, kishin përjetuar kontaktin e afërt të llojit “policor”, d.m.th ishin keqtrajtuar nga policia rreth 584.373 veta, përafërsisht një në katër shqiptar.

Shumë nga ish të burgosurit politikë të atyre viteve unë i kam njohur nga afër. Jam habitur nga dëshira e tyre, do të thosha etja, për çdo lloj diturie, sidomos për shoqërinë, filozofinë, politikën, artet e historinë. Shpeshherë, më është dukur se miqësia e tyre kishte një lloj misteri që unë nuk e shpjegoja dot. Habitesha, në fillim,se përse në burgjet serbe, ku ata kishin gatitur miqësinë e tyre, u lejoheshin libra në gjuhën shqipe, por kurrë lapsa. Pra, mund të lexonin, por jo të mbanin shënime. Si rrjedhojë, shumë prej tyre ishin të aftë, edhe pas shumë viteve, të recitonin vargje të shumta të Mjedës, Migjenit apo Fishtës; zelli i tyre kishte qenë i pafund, ashtu si edhe aspirata për të bërë pjesën e tyre të historisë.

Duke qëndruar gjatë me ta, teksa me jo pak syresh u bëmë miq të afërt dhe bashkëpunëtorë, mësova se shumë prej tyre kishin qenë studentë, të diplomuar apo që i kishin ndërprerë studimet pasi i kishin burgosur. Jo pak vinin nga zonat rurale të Kosovës. Kishte mes tyre edhe punëtorë të të gjitha fushave, por njëjtë, njerëz të ditur, dhe, thuajse të gjithë kishin kaluar në seanca të gjata torturash të rënda.

Nuk e kuptoja, ose më saktë, nuk doja ta kuptoja, se si pyetjeve që kishin bërë këta njerëz në sallat e gjyqeve të zgjatura, sidomos pyetjes, “përse Kosova nuk mund të jetë republikë brenda kuadrit të federatës”, jo vetëm që nuk u ishte dhënë kurrë përgjigje, por për këtë ishin quajtur irredentistë, si shumica e tyre, në të vërtetë, ishin, kundërrevolucionarë, e armiq të bashkim -vllaznimit. Por askush nuk kishte hedhur dritë mbi paqartësinë e tyre: përse nuk e kishin pasur këtë të drejtë?

Përgjigjen, së pari, ata e kishin kërkuar nga autoritetet shqiptare në Kosovë – nuk kishte marrë një prej përgjigjeve që prisnin. Pastaj e kishin kërkuar nga gjykatat që i dënonin dhe as aty nuk kishin marrë gjë tjetër, veç dënimit. E kishin kërkuar nga historianët e Kosovës, por kishin gjetur vetëm belbëzime dhe rrallë shumë rrallë u ishte qetësuar shpirti me të vërtetën. E kishin kërkuar nga shkrimtarët e tyre,  mirëpo, as aty, nuk kishin gjetur hapësirën e duhur, përkundrazi, ndonjë si A.P. i kishte bërtitur me të madhe se, nuk i duam librat nga Shqipëria, se janë dogmë. Në fund, e kishin kërkuar nga gardianët, që ishin po ashtu shqiptarë, dhe që i rrihnin egërsisht, ndërsa eprorët serbë qëndronin në karrige duke parë këtë “ndeshje” brenda llojit.

Ukshin Hoti do të ishte e para përgjigje shpresëdhënëse. Ish ministri i jashtëm i Kosovës, që pasi kishte lënë detyrën, kishte studiuar dhe ishte specializuar në Harvard, kishte vendosur të qëndronte pranë tyre. Këto djem, shpeshherë të quajtur “kundërrevolucionarë”, ai i kishte parë në aksion. Kishte qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe mes tyre dhe milicisë. I qetë, serioz, me pamjen e një njeriu të panatyrshëm, sytë e të cilit shikonin thellë, ndërsa fjalën e kishte elokuente dhe të kuptueshme deri në palcë. Ukshin Hoti kishte soditur fytyrat e “nxira” nga “betejat”, të zbehura nga lodhja dhe të kuqura nga përplasjet. Sytë e përlotur nga gazi, por edhe nga dhembja. Do të ishte ndër të parët, e ndoshta krejt i pari, që nuk i kishte menduar asnjëherë si armiq, të indoktrinuar, apo si kundërrevolucionarë. Kishte fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga tërë historia.

Nuk e kam takuar asnjëherë Ukshin Hotin, por miqtë e tij ishin dhe janë edhe miqtë e mi. Si të thuash, e kam njohur përmes shikimit të miqve të tij, sidomos të Bislim Elshanit, kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Kosovës”, që kishte qenë bashkëpunëtori i tij i afërt. Jam në një mendje me të që thoshte se, në vitin 1981, u vetlind Kosova. Në shtëpi kam ende një foto të tij, në formatin e atyre të një pasaporte, ku ka shkruar me dorën e tij gjeneralitetet, dhe të cilën ia kishte dhënë Fehmi Lladrovcit për përgatitjen e një pasaporte. Sepse, veç të tjerave, Ukshin Hotit i ishte ndaluar edhe e drejta e lëvizjes. Njëjtë, si miqtë e tij, të burgosur, të cilët, edhe kur i kishin kërkuar t’i ndërpriste përpjekjet nuk e kishte bërë. Do të jetë i burgosur me to, gjatë, shumë gjatë, dhe, vetë zhdukja e Ukshin Hotit, kur lufta po përfundonte, ishte sinjali i parë se paqja do të ishte e vështirë dhe se do të rëndohej nga mungesa e tij.

* * *

Në mbrëmjen e 11 marsit 1981, nga Qendra Studentore në Prishtinë, një masë e madhe njerëzish, shumica studentë, ishin nisur drejt qendrës së kryeqytetit. Rrugës iu ishin bashkuar të tjerë, të cilët, edhe pse e dinin se kjo lëvizje do të kishte pasojat e saj, përsëri e kishin parë më të arsyeshme të ndodheshin aty. Një eskortë e madhe policësh u ishte vënë prapa, disi të habitur nga kjo që po ndodhte, por edhe të heshtur, pasi ende shumica e tyre ishin të kombësisë shqiptare dhe e kuptonin krejt mirë se çfarë kërkonte ajo masë njerëzore, që po lëvizte drejt qendrës. Askush nuk e dinte se disa qindra metra më tej, një masë tjetër e madhe, por kësaj here milicë, shumica e tyre të kombësive të tjera jugosllave, po priste. Aty ku rruga fillon e zbret dhe ngushtohet për një çast, do të ndesheshin me autoblindat e para dhe me policë të armatosur. Ndeshja mund të ishte e çdo kohe, një mur i armatosur ishte ngritur para tyre, milicët kishin vendosur maskat kundërgaz, armët ishin të hequra nga supet, e megjithatë asnjë nga studentët nuk po tregohej i dhunshëm. Ishte një ndeshje në fillimin e errësirës mes dy skajeve të një litari, që, ndërsa vërvitej në këmbët e një populli, në fakt ishte përgatitur për t’i zënë frymën përfundimisht atij.

Gjithçka rreth tyre ishte e frikshme, por ata nuk kishin frikë!

Shumë vite më vonë, kësaj here në një fshat të shtrirë në kodrinat rreth Kërçovës, në Zajas, pikërisht asaj dite kur po hidheshin themelet e një banese të re, të Ali Ahmetit, dhe data ishte 20 prill, ditë që jo rastësisht përkonte me ditëlindjen time, do të flisnim gjatë me të për shumë gjëra e, mes të tjerave, edhe për vitin 1981. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të…