
Tribunali i Hagës s’e liron nga burgu Mladiçin
Në vendim thuhet se megjithëse opinionet mjekësore sugjerojnë se Mladiç po i afrohet fundit të jetës së tij, ai po merr kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës, i cili mbështetet qartë nga raportet mjekësore.
Tribunali penal në Hagë, të martën, ka refuzuar kërkesën e Ratko Mladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë për lirim nga burgu për arsye humanitare për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.
Në vendim thuhet se megjithëse opinionet mjekësore sugjerojnë se Mladiç po i afrohet fundit të jetës së tij, ai po merr kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës, i cili mbështetet qartë nga raportet mjekësore.
“Informacioni që kam në dispozicion tregon se rrethanat humanitare bindëse të përmendura nga Mladiç si arsye për lirimin e tij nuk janë provuar”, thuhet në vendim.
Në vendim ndër të tjera thuhet se Mladiç nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute terminale që mund të justifikojë lirimin e tij dhe se kushtet aktuale i ofrojnë atij kujdes me cilësi të lartë të përshtatur sipas nevojave të tij specifike.
Në qershor trupi mbrojtës i Mladiçit, kërkoi kryetares së gjykatës ndërkombëtare në Hagë që klienti i tyre të lirohet urgjentisht për arsye humanitare, duke u mbështetur në vlerësimet e mjekëve se ai pritet të vdesë së shpejti.
Mladiç, 83 vjeçar, u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit ndaj myslimanëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë terrorizimin e civilëve në Sarajevë nga viti 1992 deri më 1995.
Ai ndodhet në paraburgim në Hagë që nga fundi i majit 2011, kur u arrestua në Serbi dhe iu dorëzua Tribunalit.