
Trump iu kërkon kompanive farmaceutike të zbulojnë të dhënat mbi efektivitetin e vaksinave Covid-19
Presidenti Donald Trump kërkoi që kompanitë farmaceutike të publikojnë të dhëna që lidhen me shkallën e suksesit të “ilaçeve” të tyre kundër Covid-it, në mënyrë që të sqarohet ajo që ai e quajti një “rrëmujë” mospërputhjesh mbi produktet.
Në një postim në Truth Social të hënën, Trump shkroi se ka parë informacione “të jashtëzakonshme” “nga Pfizer dhe të tjerë” që nuk janë publikuar kurrë për publikun. Ai shprehu skepticizëm se pse të dhënat nuk janë publikuar pavarësisht deklaratave mbi suksesin e “ilaçeve” kundër Covid-it.
“Me CDC-në (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve) të përçarë nga kjo çështje dhe nga mosmarrëveshjet me Sekretarin e Shëndetësisë Bobby Kennedy Jr., unë dua përgjigjen, dhe e dua tani dhe ta sqarojnë këtë RRËMUJË, në një mënyrë ose në një tjetër!!!”, shkruan Trump në llogarinë e tij në median sociale, Truth.
“Kam marrë informacion nga Pfizer dhe të tjerë, gjë që është e jashtëzakonshme, por ata nuk duket se ia tregojnë kurrë këto rezultate publikut”, shtoi presidenti amerikan.
Pfizer, e vetmja kompani e përmendur nga Trump, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Në një njoftim për shtyp që njoftonte shpërndarjen e vaksinave të reja javën e kaluar, kompania përfshiu një link për prezantimin e saj më të fundit, nga maji, mbi efikasitetin e vaksinës së saj.