Trump kërcënon Kanadanë me tarifë 100% nëse ajo bën marrëveshje me Kinën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë një tarifë 100% për të gjitha mallrat kanadeze nëse kryeministri i vendit arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të përballet menjëherë me një tarifë 100% kundër të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në Truth Social.
Tensionet midis Trumpit dhe kryeministrit kanadez Mark Carney janë përshkallëzuar ditët e fundit, pasi Carney mbajti një fjalim në Davos të Zvicrës, duke ushtruar presion kundër fuqive të mëdha të botës.
Ai u takua së fundmi me presidentin kinez Xi Jinping dhe njoftoi se vendet e tyre kishin arritur një marrëveshje tregtare që përfshinte edhe automjetet elektrike.
Trump iu referua kryeministrit si “guvernatori Carney” dhe tha se nëse “mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘Port Dorëzimi’ për Kinën për të dërguar mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabohet rëndë”.
Trump nuk dha një afat kohor apo më shumë informacion në lidhje me tarifën e kërcënuar.
Vitin e kaluar, kur ai kërcënoi për herë të parë me tarifa të reja ndaj fqinjit verior të SHBA-së, Trump filloi ta quante Kanadanë “shtetin e 51-të” të SHBA-së me Carney si “guvernator” të saj, dhe sugjeroi se mund të përpiqet ta blejë vendin tërësisht, raporton Telegrafi.
Ndërsa marrëdhëniet midis vendeve ishin përmirësuar në muajt e fundit, shtytja e Trumpit për të marrë kontrollin e Grenlandës dhe komentet e tij në lidhje me NATO-n e kanë vënë atë në kundërshtim me udhëheqësit kanadezë dhe evropianë.
“Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.Më pas, presidenti amerikan tërhoqi ftesën e Kanadasë për t’u bashkuar me Bordin e Paqes të sapokrijuar, i cili po paraqitet nga SHBA-të si një organizatë e re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.



