Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

26 qershor 2025 | 11:37

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar që Izraeli ta falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ose ta anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtojë atë ashtu siç e shpëtoi vendin e tij.

Ndaj Netanyahut u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. AI i mohon të gjitha akuzat.

Gjyqi ndaj tij filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale. Netanyahu është deklaruar i pafajshëm.

“Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin [e Izraelit]”, shkroi Trump në platformën Truth Social të mërkurën, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën.

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

“Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur”, tha Lapid.

“Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që ai [Trump] po i jep atij [Netanyahut], sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën”, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

Trump e lavdëroi Netanyahun si një “luftëtar”, por shtoi në postimin e tij: “Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahun”.

Duket se ai po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes së SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit.

Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se SHBA-ja mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash” – një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA, dhe të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për ta përshkruar gjyqin ndaj tij.

Fjalët e ngrohta të Trumpit vijnë pas një qortimi të rrallë që ai ia bëri të martën Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit pas armëpushimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia ka arrestuar një person në Prishtinë, pasi i njëjti…