Turqi, arrestohet kryetari i komunës së Beyoglut së bashku me 40 zyrtarë

15 gusht 2025 | 13:34

Autoritetet turke kanë goditur sërish opozitën. Të premten, policia turke ka arrestuar kryetarin e komunës së Beyoglut në Stamboll, Inan Guney, së bashku me 40 zyrtarë të tjerë, si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Lajmi është bërë me dije nga mediumi turk “Birgun”,  i cili ka raportuar se në pranga kanë përfunduar edhe truproja, këshilltari dhe ndihmësi i Guneyt. Ai është dërguar menjëherë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Guney vjen nga Partia Popullore Republikane (CHP), partia më e madhe opozitare në Turqi, e cila këtë vit është përballur me një valë të paprecedentë arrestimesh, sidomos në komunat që kontrollon.

Kujtojmë se në mars është arrestuar edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, kandidati presidencial i CHP-së për zgjedhjet e ardhshme. Arrestimi i tij kishte nxitur protestat më të mëdha në vend që nga viti 2013.

Sipas një analize të “Reuters”, më shumë se 500 persona janë ndaluar që nga tetori i kaluar, në kuadër të kësaj fushate të gjerë hetimore.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se operacioni synon “një rrjet të korruptuar që është si ‘oktapod me krahë që shtrihen në pjesë të tjera të Turqisë dhe jashtë saj’”.

Edhe pse zgjedhjet presidenciale janë të parashikuara për vitin 2028, spekulohet se Erdogani mund të synojë rikandidim të hershëm, përmes një ndryshimi kushtetues që do t’i lejonte një mandat të tretë.

Nga ana tjetër, kritikët e kanë cilësuar këtë fushatë arrestimesh si të motivuar politikisht, me qëllim që të eliminohen rivalët kryesorë të Erdoganit përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Qeveria turke vazhdon të këmbëngulë se gjykatat janë të pavarura dhe se vendimet nuk ndikohet nga politika.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori amerikan, Jason Momoa, zbuloi së fundmi se e la…