Turqia thotë se ende është e interesuar të blejë avionë luftarakë evropianë
Turqia është ende e interesuar që të blejë 40 avionë luftarakë të llojit “Eurofighter Typhoon”, ka thënë një zyrtar i Ministrisë turke të Mbrojtjes, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë avancuar procesin e shitjes në Ankara të avionëve “F-16”.
Avionët amerikanë “F-16” pritet t’i kushtojnë Turqisë 23 miliardë dollarë.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Turqia ka thënë se po bisedon me Britaninë dhe Spanjën për të blerë avionët “Typhoon”, edhe pse Gjermania kishte kundërshtuar shitjen e këtyre fluturakeve luftarake për Ankaranë. Atëbotë, burimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë thanë se bisedimet kishin nisur pasi Ankaraja e pranoi se kërkesa për blerjen e avionëve amerikanë “F-16”, që fillimisht ishte bërë në tetor të vitit 2021, mund të mos pranohej.
Javën e kaluar administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, zyrtarisht ka njoftuar Kongresin për synimin që të procedojë me shitjen në Turqi të 40 avionëve “F-16”, të prodhuar nga “Lockheed Martin” dhe komponentë të tjerë ushtarakë. Njoftimi i administratës amerikane është bërë një ditë pasi Ankaraja ka përfunduar procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Edhe pse nuk pritet që Kongresi amerikan të bllokojë shitjen e avionëve “F-16”, Turqia ende dëshiron që të blejë avionë “Eurofighter Typhoon”, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, që foli në kushte anonimiteti, raporton “Reuters”.
“Ne ende jemi të interesuar, ne presim një qasje pozitive për këtë çështje nga anëtarja e konsorciumit, Gjermania”, ka thënë zyrtari turk.
Avionët “Eurofighter Typhoon” ndërtohen nga një konsorcium i përbërë nga Gjermania, Italia dhe Spanja, të përfaqësuar nga “Airbus”, “BAE Systems” dhe “Leonardo”.
Turqia, që po synon të forcojë fuqinë ajrore, po ashtu është duke zhvilluar avionët e saj luftues “KAAN”, në bashkëpunim me “BAE. Systems”.



