
U. d. kryeshefja e Telekomit 320 punëtorëve ua ndërron pozitat, sindikata paralajmëron padi
Mëngjesin e ditës së sotme një numër i konsiderueshëm i punëtorëve kanë vërejtur se u janë ndryshuar pozitat dhe pagat.
Ata nuk kanë pranuar njoftime ose vendime lidhur me këto çështje, ndërsa vazhdojnë të jenë të shqetësuar me fatin e tyre.
Deri më tani bëhet fjalë për afro 320 persona, që kanë qenë “viktimë” e këtyre ndryshimeve të paparalajmëruara, raporton “GazetaBlic”.
Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës me mbledhjen e saj ditë më parë ka marrë vendim që të gjithë vendimet për caktimin në pozita të ndryshme të Telekom dhe vendimet e sistemimit dhe gradimit që janë lëshuar që nga viti 2018 deri 2019, të shfuqizohen. I menjëhershëm ka qenë shfuqizimi i këtij vendimi nga U.D e kryshefes së Telekomit, Burbuqe Hana, e cila pa vendim të Bordit ka ndërprerë edhe kontratat duke i selektuar vitet 2018, 2019, si dhe ka bërë degradimin duke i kthyer në pozita të mëparshme. Ndërsa, sipas informatave brenda Telekomit të Kosovës, pritet të emërojë në pozita udhëheqëse punëtorë pa përvojë drejtuese në menaxhment.
“Edhe pse kohë me parë vet Burbuqe Hana ka qenë e degraduar nga menaxhmenti i kaluar dhe që me anë të gjykatës e ka fituar gjyqin dhe i ka marrë të gjitha pagat sipas kontratës ajo tani dëshiron që në vend se të shpëtoj Telekomin nga kriza financiare, ia hap rrugën punëtorëve të padisin Telekomin në gjykata dhe t’i fitojnë të gjithë gjyqet”, ka thënë një burim brenda Telekomit të Kosovës.
Gazeta “Epoka e re”, ka kontaktuar edhe kryetarin e Sindikatës Profesionale të Punëtorëve, Muhamet Xhemajlin, në lidhje me zhvillimet në Telekom.
Ai ka thënë se sot është njoftuar për këto zhvillime dhe i’u kanë drejtuar më një shkresë Burimeve Njerëzore brenda Telekomit, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur më të vërtetë?!.
Xhemajli konfirmoi se Bordi i Përkohshëm i kësaj ndërmarrje ka marrë vendim qenë bazë të gjetjeve të Auditorit të shfuqizoj të gjitha vendimet për emërimin punëtorët gjatë vitit 2018-të dhe 2019-të, në lidhje me pozitat, gradat dhe pagën. “Sot, sipas informatave që kemi marrë nga punëtorët tjerë, pa vendim të bordit janë anuluar edhe kontratat për pozitat udhëheqëse kinse s’janë respektuar rregullat e konkursit”, u shpreh ai.
Po ashtu Xhemajli paralajmëroi se do t’i shikojmë vendimet e bordit dhe në bazë të gjetjeve qoftë kolektive apo individuale që i’u janë bërë, do të ngrehin padi penale dhe kolektive në Gjykatë ndaj këtyre vendimeve arbitrare.
Të gjithë të ata që u janë ndryshuar pozitat dhe gradat, nga sot kanë shprehë gatishmëri që t’iu drejtohen Inspektoratit të Punës dhe gjykatave për të kërkuar të drejtat e tyre.
Kujtojmë se javëve të fundit ka pasur jo pak ndryshime në Telekom, ku pika kyçe ishte edhe dorëheqja e drejtoreshës së marketingut, Vesa Haradinaj.
/Epoka e re/A.MAVRAJ