U mbajt Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit

01 nëntor 2025 | 21:29

Sot u mbajt Konferenca Vjetore e Prokurorëve të Shtetit, një ngjarje e rëndësishme e sistemit të drejtësisë që mblodhi drejtuesit më të lartë të institucioneve prokuroriale, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile.

Konferencën e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e këtij takimi si moment reflektimi, bashkërendimi dhe vizioni për forcimin e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Z. Istrefi foli për angazhimin e palëkundur të administratës së sistemit prokurorial në mbështetje të punës së prokurorëve të shtetit, me qëllim që ata të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

Në fjalën e tij, ai veçoi disa nga arritjet kryesore të viteve 2024–2025:

Përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe menaxhimit buxhetor;

Investimet kapitale në renovimin e objekteve të sistemit prokurorial;

Fillimi i projekteve për ndërtimin e objekteve të reja për Prokuroritë Themelore, Speciale dhe të Apelit;

Rritja e sigurisë në objektet e prokurorive;

Digjitalizimi dhe modernizimi i shërbimeve, përfshirë funksionalizimin e uebportalit të ri të sistemit prokurorial;

Thellimi i bashkëpunimit me mediat dhe rritja e transparencës publike;

Avancimi i statusit ekonomik dhe profesional të punonjësve të administratës;

Bashkëpunimi i ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Drejtori Istrefi theksoi se, pavarësisht sfidave, progresi i arritur është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për zhvillimin institucional, forcimin e integritetit dhe garantimin e efikasitetit në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve të vendit.

Në përmbyllje, ai u zotua se Sekretariati i Këshillit Prokurorial do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për të gjithë prokurorët e shtetit, me qëllim të përmbushjes sa më efektive të misionit të tyre kushtetues.

Administrata e sistemit prokurorial do të vazhdojë të jetë shtylla mbështetëse e drejtësisë, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri Islami Fatos Nano nuk ishte as i pari…