U mbajtën në Kumanovë “Takimet Poetike të Karadakut”

14 mars 2022 | 13:02

Të premten, më11 mars 2022 (datë kjo që shënon pranverën e vitit 1981 në Kosovë, kur rinia studentore iu kundërvu regjimit totalitar jugosllav dhe lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë), në Kumanovë, Klubi Letrar “Jehona e Karadakut” shënoi 30-vjetorin e themelimit me një manifestim letrar në të cilin morën pjesë poetë dhe poetesha nga e gjithë hapësira etnike shqiptare.

Këtë ngjarjeje letrare e shpalli të hapur drejtori i Klubit “Jehona e Karadakut”, Fatos Rushiti, i cili foli për rrugëtimin e vështirë dhe plot sakrifica, për sukseset dhe botimet, për vlerat dhe arritjet, për figurat dhe personalitetet e këtij klubi letrar që tashmë ka bërë emër në letrat shqipe.

Në këtë jubile u vlerësuan dhe nderuan me mirënjohje për kontribut ndër vite shumë poetesha dhe poetë që nga themeluesi i Klubit Letrar (i ndjeri Fadil Bekteshi), me emrin e të cilit u dhanë çmimet për poezi.

U shfaq edhe filmi dokumentar për veprimtarinë e klubit në tridhjetëvjetorin e tij.

Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje edhe përfaqësues të institucioneve nga komuna e Kumanovës dhe komuna e Likovës.

E ftuar në këtë organizim ka qenë poetja dhe veprimtarja Shefqete Gosalci, së cilës i është dhënë mirënjohje me motivacionin për kontributin e dhënë për zhvillimin dhe afirmimin e Klubit “Jehona e Karadakut”. Ajo, me rastin e marrjes së mirënjohjes, i ka shprehur falënderim organizatorit: “Për 30 vjet besoj kam qenë mysafirja më e shpeshtë e këtyre takimeve dhe ruaj mbresa dhe kujtime shumë të bukura. Falënderoj poeten dhe miken time Zejnure Salihu e cila më ka ftuar për herë të parë si dhe të gjithë miqtë e mi poetë, Nehas Sofaj, Bejtush Mehmeti, Burhanedin Xhemaili, Sunaj Raimi, Sevdail Demiri etj., drejtuesit dhe organizatorët që më kanë ftuar e nderuar si dhe kanë vlerësuar vargjet e mia.

Falënderoj publikun kumanovar që më ka mirëpritur dhe duartrokitur dhe më ka mbajtur në skenë për 30 vjet. Uroj që datëlindja e Klubit Letrar “Jehona e Karadakut” si dhe numri i krijuesve që do të dalin nga ky klub të bëhet shumëshifror. Mbarësi dhe suksese!”, ka shkruar Gosalci në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nënë e një fëmije duket aq e re saqë…