U përuruan dy drama të Ekrem Kryeziut

09 dhjetor 2019 | 21:25

Drama “Mbreti Zog, Geraldina dhe të tjerët” dhe monodrama “Ëndrra amerikane”, të autorit Ekrem Kryeziu, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, u përuruan sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Sipas udhëheqësit të kësaj shtëpie, këtë libër me këto dy drama, para se ta përurojnë, së bashku me autorin e kanë shpërndarë në dy-tri librari të Prishtinës, kurse autori Ekrem Kryeziu e ka nxjerrë për shitje edhe në “Amazon”.

Për dramën “Mbreti Zog, Geraldina dhe të tjerët” ka folur kritiku i arteve dramatike, Agron Shala, i cili ka thënë: “‘Mbreti Zog, Gjeraldina dhe të tjerët’ nuk është dramë që mëton të jetë vepër historike. Ta thotë të vërtetën absolute. Është një histori alternative, për shkrimin e së cilës autori ka hulumtuar mjaft në literaturë. Ai mëton ta vë gjithmonë në anën pozitive jetën e Ahmet Zogut, si familjar, atdhetar, sovran, si i mëshirshëm, përherë i rrezikuar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, si viktimë që e detyruan ta braktiste Shqipërinë dhe që nuk e lanë të kthehet e të luftojë. Megjithatë, lë hapësirë që Zogu të duket edhe si një aktor i mirë në një teatër të keq, siç ishte Shqipëria e viteve 1920-’30, kaotike dhe e brishtë, për çka loja e tij e mirë apo e keqe nuk varej vetëm nga ai”.

Sipas studiuesit të dramaturgjisë, Emin Emini, autori Ekrem Kryeziu në monodramën “Ëndrra amerikane” përdorë “tipin e monologut të dialogizuar, që për nga kontesti dhe karakteri semilogjik mund të përkufizohet edhe si dialog i tri formave të ndryshme dialogjike, ndërsa sipas funksionit dramaturgjik të monologëve përdorë kryesisht tipin e monologut teknik dhe lirik pa e përjashtuar dhe monologun e të vendosurit, përkatësisht të të menduarit. Ndërsa stikomitia kryesisht gjendet në tipin e dialogut të ashtuquajtur i shurdhër, i cili është element i antidramës”.

Për monodramën “Ëndrra amerikane” ka folur edhe kritiku i letërsisë, Flamur Maloku. Ai ka thënë se me këtë monodramë “Kryeziu në mënyrë mjeshtërore arrin që këtë ndërthurje ta bëjë përmes personazhit të quajtur Luli, i cili, me përshkrimin që i bëhet, del të jetë një person shumë i thellë në perceptimin e jetës”.

Për karrierën dhe për veprimtarinë e vet, për kushtet dhe rrethanat e të bërit gazetar, dramaturg, regjisor, profesor, për realizim të filmave, ka folur edhe profesor Kryeziu, i cili i ka falënderuar të pranishmit dhe ka uruar që veprimtari të tilla, për përurim të librave, të organizohen sa më shpesh.

Për dhe rreth autorit

Ekrem Kryeziu (1943) lindi në Pejë. Është 76 vjeç. Është plakur, është mplakur dhe, në ditët e burgut, është mpakur. E kanë plakur hallet dhe vuajtjet e popullit të vet, kurse e kanë mplakur edhe problemet dhe veprimtaria e vet, e nisur qysh moti, për çështje kombëtare, edhe në ambiente izolimi për tetë vjet. Megjithatë, burgu nuk ia ka ndryshuar as fizikun, as mendjen, as bindjen. As tortura s’e ka ligështuar dhe tjetërsuar. Dramën e vet, e cila ka qenë dramë e kombit të tij, e ka zhvendosur në dramë shkrimi. Jo në këto dyja këtu, por në dyzet e sa të tjera të cilat mund t’i keni lexuar dhe t’i keni parë edhe në skenë, edhe në televizion sepse dramat e tij u përshtaten mediumeve më të mëdha të publikut: televizionit, radios, teatrit.

Ekrem Kryeziu ka lënë gjurmë në dramën dhe filmin shqiptar me një vargmal veprash, si: drama, seri televizive, filma artistikë, filma televizivë, komedi dhe dokumentarë, të realizuara ndër vite në Televizionin e Beogradit, në Televizionin e Prishtinës, në Televizionin Shqiptar, në Radio-Televizionin e Kosovës, në Kosova Film, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, në Teatrin e Gjakovës si dhe në produksionin e vet “Labia”. Duke trajtuar temat e ndjeshme të historisë dhe kulturës shqiptare, fatit shqiptar në përgjithësi dhe gjendjes së tij politike, pikërisht atëherë kur ishte e vështirë kjo të bëhej, duke trajtuar në artin e tij kauzën shqiptare, Ekrem Kryeziu fitoi respektin e publikut shqiptar, ndërsa për nivelin e realizimit të veprave ka marrë disa herë çmime nga juritë e festivaleve dhe institucioneve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndër veprat e tij më të njohura janë: Viktimat e Tivarit, Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna (I dhe II), Epoka para gjyqit, Kur pranvera vonohet, I biri i Rozafës, Pushkatimi, Përplasjet, Kodi i jetës, Përtej bunarëve, Komploti ilir, Dashuria, Korridoret e tmerrit, Pranvera në Prishtinë, Të korrat e Kosovës, Buka e hidhur, Pa pardon, Sherif patrioti, Rruga pa kthim, Një jetë e tërë, Tepricat, Gjurmë të bardha, E kafshoja terrin, Mallkimi i kuajve, Por…, Trenat për veri, Të ngujuarit, Pikë e gur, Sofra, Dita e mërgimtarëve, Po vdes Rugova, Po e zëmë – po e zëmë, Luftëtarët, Dhe dita e dasmës erdhi, Një lindje, Binjakë siamezë, Përtej varrit, Mbreti Zog, Geraldina e të tjerët…, Ëndrra amerikane etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Mabetex Prishtina e ka mundur Penzën me rezultat 116:45…