
U tha se është larguar nga boksi pas skandalit në Paris – reagon Imane Khelif
Boksierja algjeriane, Imane Khelif, fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ka reaguar pas raportimeve se është tërhequr nga sporti i boksit. Ajo i ka quajtur këto pretendime “të rreme dhe dashakeqe”, duke theksuar se vazhdon të jetë aktive.
Lajmet për tërheqjen e saj u nxitën nga deklaratat e ish-menaxherit, Nasser Yesfah, i cili kishte thënë se Khelif nuk ishte stërvitur dhe nuk kishte marrë pjesë në gara pas Olimpiadës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, 26-vjeçarja sqaroi: “Dua të bëj të ditur për publikun se raportimet për pensionimin tim nga boksi janë të rreme. Unë mbetem e përkushtuar ndaj karrierës sime sportive”.
Ajo shtoi se pretendimet e ish-menaxherit nuk pasqyrojnë realitetin, ndërsa theksoi se është ende e fokusuar në rrugëtimin e saj sportiv.
Khelif ishte në qendër të një debati të madh gjatë Olimpiadës së Parisit, pasi më parë ishte përjashtuar nga Kampionati Botëror i vitit 2023 nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) për shkak të testimeve të gjinisë.
Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) e lejoi të garonte, duke e cilësuar vendimin e IBA-së si “të papritur dhe arbitrar”. Ky rast shkaktoi diskutime të gjera mbi verifikimin e gjinisë në sport.
Pas triumfit në kategorinë e grave deri në 66 kilogramë, algjeriania u përball me abuzime të shumta online dhe kritika nga figura të njohura publike, përfshirë edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Së fundmi, Khelif është shfaqur me një pamje të re, më femërore, duke folur hapur për “fazën e vështirë” që ka kaluar pas Olimpiadës, por duke theksuar se ambiciet e saj sportive mbeten të pandryshuara.