UÇK-ja bëri një luftë për ta çrrënjosur njëherë e përgjithmonë kriminalitetin e Serbisë kundër popullit të Kosovës (21)

03 gusht 2020 | 11:16

Shkruan: Kudusi Lama

“Në qershor të vitit 2003, Beri Fleçer, zëdhënës i policisë së UNMIK-ut në Kosovë – Matohi, në deklaratën për media ka thënë se një nga pengesat më të mëdha me të cilën ballafaqohen forcat e kombeve të Bashkuara, është thellësisht e rrënjosur mafia shqiptare, e cila përdorë parullat nacionaliste të shqiptarëve të Kosovë-Matohisë atëherë kur ato iu përgjigjen kërkesave të tyre. (“Çdo herë kur burgosnin ndonjë prej udhëheqësve gangsterë, ai mbështillej me flamurin shqiptar, kurse në rrugët shpërthenin demonstruesit. Kjo nuk ishte shoqëri e qëlluar me krimin e organizuar, por shoqëri e bazuar në krimin e organizuar”, deklaroi Fleçer”.[1]

Jam i sigurt se në qoftë se Beri Fleçer ka përdorur një gjuhë të tillë ai nuk është tjetër veçse një i dërguar i Serbisë, pasi populli shqiptar e di mirë se UNMIK-u në Kosovë nuk ka pasur demonstrata për mbrojtje gangsterësh, por për mbrojtje të luftëtarëve të arrestuar sipas paragjykimeve serbe, të cilët në përgjithësi në gjykimet e gjykatave ndërkombëtare kanë dalë në pafajësi.

Dhe ajo që duhet theksuar në këtë moment është e vërteta se populli shqiptar në Kosovë nuk është një popull që do të largohet nga këto troje, por një popull që do ta gëzojë lirinë e tij aty në trojet e të parëve dhe që me gjithë vështirësitë e daljes nga një luftë e përgjakshme me pushtuesin do të ndërtojë gradualisht një jetë të begatë. Prandaj edhe shoqëria që ndërton me gjithë pretendimet që kemi për më mirë, do të jetë një shoqëri shqiptare e kulturuar dhe me ardhmëri, por pa pushtuesit serb sot e në shekujt e ardhshëm.

UÇK-ja bëri një luftë finale pikërisht për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë kriminalitetin e Serbisë kundër popullit të Kosovës. Ajo as që do të lejojë të instalohen struktura kriminale në këto hapësira të vendit të tyre, i cili është larë me gjakun e djemve dhe vajzave luftëtarë, të cilët në frontet e luftës kundër pushtuesit shekullor serb, derdhën gjakun e tyre të pastër për të çimentuar lirinë e përjetshme të atdheut.

“Grupet e para të armatosura të UÇK-së në zonën e Drenicës i ka udhëhequr Adem Jashari nga Prekazi i Poshtëm, ndërsa anëtarët ishin kushërinjtë e tij më të afërt dhe më të 1argët, kryesisht persona të prirë për dhunë dhe kryerjen e veprimeve kriminale të imta. Më vonë atyre iu bashkuan ish-oficerë të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe pjesëtar të MPB të Serbisë me kombësi shqiptare, të cilët iu larguan besnikërisë ndaj shtetit dhe organeve të tij, si dhe pjesëmarrës të ndeshjeve të armatosura në trevat e Kroacisë dhe të Bosnje – Hercegovinës, ku kanë fituar përvojë luftarake”.[2]

Mirë që Serbia e di se grupet e para të armatosura të UÇK-së në zonën e Drenicës i ka udhëhequr Adem Jashari nga Prekazi i Poshtëm, por nuk thotë asgjë se si me ushtri masive ndërmori një operacion të posaçëm kompleks për të luftuar kundër Adem Jasharit, duke u vënë përballë fëmijëve e grave, pleqve e plakave, të cilët luftuan deri në pikën e fundit të gjakut, për t’i thënë jo Serbisë njëherë e përgjithmonë. Vërtet a ndihet krenare Serbia që duke luftuar kundër Adem Jasharit ka vrarë pleq e fëmijë? Besoj se ndihet shumë krenare përderisa nuk përmendet fare ky operacion i gjerë. Por me gjithë madhështinë e qëndresës, me gjithë fuqinë e rezistencës, me gjithë jehonën e luftës kombëtarisht e ndërkombëtarisht, me gjithë rënien heroike të 56 luftëtarëve të moshave prej 80 e deri në 8 vjeç, Serbia përsëri ka guximin dhe i quan “persona të prirë për dhunë dhe veprimtari kriminale”. Kur lexon këtë vlerësim edhe njeriu më indiferent e kupton saktësinë e vlerësimit të Serbisë për shqiptarët dhe gjithçka që ndërmarrin ata për jetën dhe lirinë e tyre. A e dinë shqiptarët se në Luftën e Prekazit kanë marrë pjesë 8 mijë trupa ushtarake e policore serbe me të gjitha llojet e armëve? A e dinë shqiptarët se në Luftën e Prekazit, organizimi i forcave serbe ishte në dy fronte, në frontin e brendshëm me 4 mijë trupa dhe në frontin e jashtëm me 4 mijë trupa? A e dinë shqiptarët se brenda unazës së frontit të brendshëm luftonin vetëm 60 luftëtarë të moshave të ndryshme deri edhe fëmijë? A e dinë shqiptarët se, çdo luftëtari lirie brenda unazës së rrethimit i ka takuar të ketë përballë 67 luftëtarë serb të armatosur deri në dhëmbë? A e dinë shqiptarët se ata luftëtarë lirie bënë 3 ditë luftë? A e dinë shqiptarët se ata luftëtarë lirie rezistuan sa të ishin një perandori? Shqiptarë – përuluni përpara akteve të tilla të atdhetarisë, të cilët Lufta Çlirimtare e Kosovës i ka pasur të shumtë në të gjitha frontet e luftës prej fillimit e deri në mbarim.

“Megjithëse përbërja fillestare e këtij organizimi nuk e kishte reputacionin me të cilin të tërhiqte anëtarë të rinj, UÇK-ja, për një kohë relativisht të shkurtër, arriti të siguronte masivitet të rëndësishëm. Për këtë sipas serbëve “efekte pati edhe terrori i kryer nga ana e shtabeve terroriste vendore mbi pjesën “indiferente” të popullatës shqiptare. Duke organizuar të ashtuquajturat treshe, ekstremistët frekuentonin udhëheqësit e fiseve dhe i kërcënonin me likuidimin e disa anëtarëve të atyre familjeve, të cilat nuk do të jepnin përfaqësuesit e vet për repartet e UÇK-së (Ka ekzistuar edhe mundësia që pjesëmarrja në repartet e UÇK-së “është blerë”, me pagesë nga 2 deri 5 mijë marka gjermane (DEM) komandantit të vendit të UÇK-së, gjoja për nevojat e organizimit, edhe pse një pjesë e rëndësishme e këtyre mjeteve ka përfunduar në xhepat e privatëve). Forcimit të UÇK-së i kanë kontribuar edhe paratë e krimit, si dhe ndihma e diasporës shqiptare”.[3]

Me gjithë dashakeqësinë Serbia edhe kur është e detyruar të deklarojë një fakt të asaj kohe përpiqet ta njollosë në mënyrën më të ndyrë. Më sipër lexojmë: “UÇK-ja, për një kohë relativisht të shkurtër, arriti të siguronte masivitet të rëndësishëm”, që është një e vërtetë e pranuar ndërkombëtarisht. Gjithë bota ka pranuar se UÇK-ja është organizata guerile më e suksesshme në botë, që për një kohë shumë të shkurtër u njoh prej botës, u vlerësua prej saj, u pranuar si qytetare bashkëkohore e botës moderne dhe në përfundim kjo botë e madhe u bë bashkëluftëtare e saj që ajo të plotësonte detyrat e saj me dëmtime sa më të vogla në popullatën që mbronte prej armikut, duke ardhur në përfundimin e luftës me një fitore të përbashkët të UÇK-së dhe të NATO-s.

Por ja që ky sukses nuk paska qenë sipas serbëve i merituar, sepse shtabet e UÇK-së paskan bërë presion mbi pjesën indiferente të popullatës shqiptare. E sa për sqarime për atë periudhë, me pahir e detyrim nuk lejohej të merrej askush në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi të marrët me mashtrim apo me presion gjithnjë të lënë pa përkrahje në situata të vështira luftarake e të lënë frontin bosh, pasi ikin, sepse ata nuk kanë ideal dhënien e jetës për atdhe e liri. Prandaj edhe UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, ku kishte të drejtë të rreshtohej çdo shqiptar i gatshëm për sakrifica në emër të atdheut. Por këto shpifje të rinovuara në vitin 2010 nga Dick Marty, nuk do të kenë të ndalur, sepse realisht Serbia nuk mund të kuptojë lirinë e të tjerëve dhe çdo veprim kundër saj, pavarësisht se është i drejtë, do të ketë pas një skenar të ngritur me shumë mjeshtri për ta njollosur atë e për të krijuar një mjegullnajë që opinioni në vend të së vërtetës të pranojë gënjeshtrën.

“Policia Gjermane, në mars të vitit 1999, ka konstatuar se rritja e tregtisë me heroinën, me të cilën në tregun e Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave merren shqiptaret, ka koinçiduar me forcimin e shpejt të UÇK-së. Është vërtetuar se nga një ushtri fshatare e armatosur lehtë, siç ishte disa vjet më parë, UÇK-ja u zhvillua deri në forcë prej dhjetëra mijëra njerëzish, të pajisur me raketahedhëse, me armatim kundërtank dhe me pushke AK-47. (“The Times”, 24 mars 1999, teksti me titull “Paratë e drogës janë të lidhura me kryengritësit kosovarë” autorët janë korrespondentë nga Boni, Roxher Bojs dhe Eske Rajt)”.[4]

Unë nuk ndjejë ndonjë trysni nga informacione të tilla, pasi e kam të njohur praktikën e Serbisë që shpifjet nuk i bën gjithnjë vetë, por në shumicë të rasteve blenë autorë të ndryshëm në vende të tjera, siç duket edhe rasti i këtyre dy gazetarëve që Serbia i njeh me dhëmbë e dhëmballë. Por ashtu siç duket në të gjitha pamjet edhe rasti i zotëri Marty, i cili ka ngritur një tajfun mashtrimesh me një raport voluminoz në emër të Evropës, por që është si dy pika uji me këtë libër të shkruar nga Serbia 6 vjet para raportit. Sidoqoftë, unë ndihem krenar që dikush atje në Gjermani e paska ditur se UÇK-ja ishte bërë një ushtri e fuqishme kur bota vendosi të bëhet partnere e saj në luftë kundër Serbisë. Se ka edhe këtu në Kosovë e në Shqipëri, që megjithëse i thonë vetes shqiptarë dhe flasin shqip, nuk arrijnë të kuptojnë atë që qenka kuptuar në Gjermani që në vitin 1999, e në Serbi komentuar në vitin 2004.

“Numrin më të madh UÇK-ja e ka pasur gjatë bombardimeve të NAT0-së kur nën armë u rreshtuan mbi 20.300 pjesëtarë. U formuan brigada, të cilat, pa bashkërendime të rëndësishme ndërmjet tyre, vepronin në shtatë zona operative – Drenica, Pashtriku, Dukagjini, Shala, Nerodimje dhe Karadak”.[5]

Me thënë të drejtën më duket interesant që Serbia në atë kohë paska pasur një informacion thuajse të saktë. Por meqë jemi këtu, dua të saktësoj plotësisht, se me fillimin e goditjeve të NATO-s, UÇK-së iu bashkëngjitën 19 mijë luftëtarë, të cilët i dhanë një hov të mëtejshëm luftës për liri dhe bashkëpunimit me NATO-n.

“Pas shpalljes zyrtare të çmilitarizimit të UÇK-së në tetor 1999, në intervale të ndryshme, në territorin e Kosovë – Metohisë janë regjistruar veprimtaritë e rreth 40 grupeve të armatosura të shqiptarëve, me nga 10 deri 300 anëtarë aktiv kryesisht nga radhët e ish-UÇK-së dhe persona të gatshëm për kryerjen e veprimeve kriminale. Një numër i madh i këtyre grupeve ishte i formuar me nismën ose angazhimin e drejtpërdrejtë të Rustem Mustafës, të quajtur “komandant Remi”, të Fatmir Humollit dhe të disa oficerëve të tjerë të K3K, por që veprojnë nën patronazhin e Hashim Thaçit, ose të ashtuquajturave shërbime sekrete shqiptare të formuara në Kosovë – Metohi”.

Gjithkush ka të drejtën të bëjë krahasimin e gjuhës së përbashkët të Serbisë dhe të zotëri Martyt. Fjalor, që duke u përpjekur të nxijë gjithçka, është i formuluar në atë mënyrë që të njollosë gjithë hapësirën e Kosovës. Por populli i njeh mirë edhe Rustem Mustafën edhe bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët e tij dhe nuk mund të zbehet portreti i tij me shpifjet serbe, përkundrazi, sa më shumë të shpif Serbia për djemtë e luftës, aq më i madh bëhet portreti i tyre në sytë e popullit shqiptar që i gëzohet lirisë, duke parë se Serbia është hedhur jashtë njëherë e përgjithmonë. (Vijon)

 

[1] Po aty, faqe 11

[2] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 12, botimi serbisht

 

[3] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 12 – 13, botimi serbisht

[4] Po aty, faqe 13

[5] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 13, botimi serbisht

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjeku pneumolog Anibal Byberaj ka ndërruar jetë si pasojë e…