Udhëheqja e dialogut nga presidenti, lehtësim për procesin

04 qershor 2018 | 15:54

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka deklaruar se udhëheqja e dialogut me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi do të jetë lehtësim për këtë proces.

Ai ka bërë me dije se përvoja e presidentit dhe përfshirja e tij nga fillimi në këtë proces do të jetë përparësi për Kosovën në këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Pajaziti ka deklaruar se përfshirja e institucioneve në këtë proces është më e rëndësishme sesa emrat.

“Kur e dimë se në krye të këtyre institucioneve janë njerëz kredibilë për shkak të kaluarës së tyre dhe për shkak të përfshirjes së tyre në proces, mendoj se kjo jo që nuk prish punë, por është një lehtësim. Ne që merremi me politikë, pozitë dhe opozitë, duhet të ndihemi të çliruar për faktin se njerëzit që udhëheqin institucionet kanë një kredibilitet të mjaftueshëm që të jenë në krye të këtij procesi”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka vlerësuar se askush nuk duhet të frikësohet nga përfshirja e presidentit në këtë proces. “Nuk duhet të frikësohemi fare për këtë. Përkundrazi, cilido që do të donte të eskivonte nga përgjegjësitë e tij në këtë situatë do të ishte keq. Gatishmëria e përfaqësuesve të institucioneve që të marrin përgjegjësi është një gjë pozitive. Në këtë drejtim pres që edhe politikanët opozitarë të jenë të kyçur në këtë proces. Askush nuk mund të fitojë politikisht nëse mendon se duhet ta kalkulojë partiakisht në këtë proces”, është shprehur ai.

Deputeti i PDK-së ka deklaruar se ata që kundërshtojnë që presidenti i vendit të jetë në krye të këtij procesi e bëjnë për çështje personale.

“Mendoj se një pjesë e debatit që është zhvilluar deri më tani dhe qëndrimeve që kanë dalë prej disa eksponentëve të partive opozitare, më shumë shprehin atë komunikimin e tyre me elektoratin e vet sesa një qëndrim të pjekur politik me interes nacional të vendit”, ka thënë Pajaziti, duke shtuar se në Kuvendin e Kosovës pret një debat konstruktiv për platformën e qeverisë rreth fazës finale të dialogut, e cila pritet të diskutohet sot (e hënë).

“Jam i sigurt se në Kuvend do të mbizotërojnë zërat që kanë në plan të parë interesin e shtetit tonë në këtë proces. Pra, do të duhej të dalin përmbi zërat partiakë. Debati për këtë çështje duhet të jetë serioz dhe t’i përvishemi bashkë punës, pozitë dhe opozitë, në këtë proces të cilin duhet ta përmbyllim”, ka thënë Pajaziti.

“Epoka e re”: Të hënën pritet të diskutohet në Kuvend rreth platformës për fazën finale të dialogut me Serbinë. Cili duhet të jetë qëndrimi i Kuvendit për këtë platformë?
Pajaziti: Nuk mund ta paragjykoj përfundimin e një debati të tillë, por ajo që pres unë dhe besoj shumica e deputetëve është që Kuvendi ta konfirmojë nevojën e domosdoshme të vazhdimit të dialogut, po ashtu ta konfirmoj nevojën e përmbylljes së këtij procesi, duke u angazhuar të gjithë faktorët politikë. Pra, pasi dialogu tashmë nuk kontestohet, duhet të arrijmë të pajtohemi rreth një platforme e cila do të jetë si një udhërrëfyes që do të përdoret nga përfaqësuesit tanë në dialog. Personalisht pres të këtë një pjekuri politike dhe të këtë seriozitet në këtë debat, sepse edhe dialogu është një proces serioz sikurse që është serioze edhe faza në të cilën ndodhemi. Po ashtu, duhet të kuptohet edhe serioziteti i partnerëve ndërkombëtarë që po ndërmjetësojmë për ta mbyllur këtë proces dhe të ecim përpara.

“Epoka e re”: Platforma parasheh që udhëheqës i delegacionit të Kosovës të jetë presidenti Hashim Thaçi. Pse këtë proces duhet ta udhëheqë presidenti i vendit?
Pajaziti: Nuk besoj se ka nevojë që tani të merremi me emra të përveçëm. Mendoj se përfshirja e institucioneve në këtë proces është më e rëndësishme se emrat. Por, kur e dimë se në krye të këtyre institucioneve janë njerëz kredibilë për shkak të kaluarës së tyre dhe për shkak të përfshirjes së tyre në proces, mendoj se kjo jo që nuk prish punë, por është një lehtësim. Ne që merremi me politikë, pozitë dhe opozitë, duhet të ndihemi të çliruar për faktin se njerëzit që udhëheqin institucionet kanë një kredibilitet të mjaftueshëm që të jenë në krye të këtij procesi. Nuk duhet të frikësohemi fare për këtë, përkundrazi, cilido që do të donte të eskivonte nga përgjegjësitë e tij në këtë situatë, do të ishte keq. Gatishmëria e përfaqësuesve të institucioneve që të marrin përgjegjësi është një gjë pozitive. Në këtë drejtim pres që edhe politikanët opozitarë të jenë të kyçur në këtë proces. Askush nuk mund të fitojë politikisht nëse mendon se duhet ta kalkuloj partiakisht në këtë proces.

“Epoka e re”: Ka subjekte politike edhe brenda koalicionit qeverisës që janë shprehur kundër që z. Thaçi të jetë udhëheqës i këtij dialogu?
Pajaziti: Ne i kemi dëgjuar këto deklarime, por në rast se do të kemi një propozim ndryshe dhe do të mund të ishte serioz për të biseduar, kjo do të ishte diçka tjetër. Por, deri më tani nuk kemi propozim tjetër. Kundërshtimet e tilla kanë të bëjnë më shumë me relacionet personale të disa prej liderëve. Mendoj se këto tani për tani janë më pak të rëndësishme.

“Epoka e re”: As subjektet opozitare nuk e kanë mirëpritur që presidenti të jetë në krye të këtij procesi. LV-ja është shprehur kundër, ndërsa LDK-ja ende nuk ka marrë një qëndrim, ani pse disa prej zyrtarëve të lartë të saj janë shprehur kundër?
Pajaziti: Mendoj se një pjesë e debati që është zhvilluar deri më tani dhe qëndrimeve që kanë dalë prej disa eksponentëve të partive opozitare, më shumë e shprehin komunikimin e tyre me elektoratin e vet sesa një qëndrim të pjekur politik me interes nacional të vendit. Jam i sigurt se në Kuvend do të mbizotërojnë zërat që kanë në plan të parë interesin e shtetit tonë në këtë proces. Pra, do të duhej të dalin përmbi zërat partiakë. Debati për këtë çështje duhet të jetë serioz dhe t’i përvishemi bashkë punës, pozitë dhe opozitë, në këtë proces të cilin duhet ta përmbyllim.

“Epoka e re”: Në këtë proces po kërkohet edhe një konsensus nacional. Sa është e mundshme kjo, meqenëse në tryezat e partive politike ende nuk është arritur asgjë?
Pajaziti: Mendoj se një farë konsensusi mund të arrihet për çështjen e vazhdimit të dialogut, sidomos për dimensionin që duhet të ketë ky proces, në mënyrë që ne të mos lëshojmë pe përtej asaj që është thënë në Kushtetutë. Mirëpo, nuk besoj se do të ketë gjithmonë konsensus për çështjet më të vogla të këtij procesi. Pra, konsensusi duhet të arrihet për një platformë, për disa vija, për disa pika themelore. Nuk është e thënë të ketë konsensus për gjëra teknike apo për gjëra të specifikuara gjatë procesit. Do të jetë një fitore e madhe për ne që të kemi një platformë për këtë proces dhe të pajtohemi në Kuvend për këtë dokument.

“Epoka e re”: A duhet opozita të marrë përgjegjësi në këtë proces, meqenëse dialogu me Serbinë është një çështje nacionale?
Pajaziti: Nëse partitë në pushtet do të tentonin ta përvetësonin këtë proces, partitë opozitare nuk do të duhej ta lejonin një gjë të tillë. Nuk besoj se do të kenë farë kalkulimi të mirë politik për ata që dëshirojnë të mbeten jashtë këtij procesi, dhe nesër të thonë se ne nuk jemi pajtuar me këtë apo atë. Në çastet vendimtare, historike për vendin, të gjithë duhet të jenë aty. Interesi i vendit mendoj se është i përputhshëm edhe me interesat politike të partive, që të jenë të gjithë në proces.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analizë e KMDLNj-së Nuk ka përfunduar ende spiralja e dhunës:…