Ukraina s’do të lëshojë tokë që Rusia ta përdorë si trampolinë për luftë tjetër

13 gusht 2025 | 08:11

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se Ukraina nuk mund të pajtohet me propozimin rus për të hequr dorë nga pjesë të territorit të saj në këmbim të një armëpushimi, pasi Moska do ta përdorte këtë si trampolinë për një ofensivë të ardhshme.

“Ne s’do të largohemi nga Donbasi. Nuk mund ta bëjmë këtë. Për rusët, Donbasi është trampolinë për një ofensivë të ardhshme.”, tha Zelensky.

Ai shtoi se nuk beson se presidenti amerikan Donald Trump mbështet kërkesat e Rusisë dhe shprehu shpresën se Trump do të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, që do të mbahet të premten në Alaskë.

Zelensky paralajmëroi se nuk ka shenja që Rusia po përgatitet për një armëpushim të vërtetë, duke përmendur raportet për grupe sabotazhi që kanë depërtuar rreth 10 kilometra në frontin e Donbasit, dhe theksoi se Rusia po planifikon ofensiva të reja në tri pjesë të vijës së frontit.

Duke folur për gazetarët para samitit Trump-Putin dhe një ditë para takimit të tij me udhëheqësit amerikanë dhe evropianë, Zelensky deklaroi se beson se Putini dëshiron të dominojë Ukrainën, pasi “s’dëshiron një Ukrainë sovrane”.

Ai theksoi se është e rrezikshme që SHBA ta detyrojë Ukrainën të pranojë kërkesën e Rusisë për dorëzimin e pjesëve të Donbasit që nuk i kontrollon aktualisht, të cilat sipas tij arrijnë në rreth 90 mijë kilometra katrorë.

Rajoni i kërkuar nga Rusia ka një rëndësi strategjike të madhe pasi është i fortifikuar dhe mbron qytetet qendrore të Ukrainës.

“Nuk kam dëgjuar asnjë propozim që garanton se një luftë e re nuk do të fillojë nesër dhe se Putini nuk do të tentojë të okupojë të paktën Dnipron, Zaporizhzhian apo Kharkivin, pasi të marrë gjithë Donbasin.”, shtoi Zelensky.

Ai theksoi se dëshiron që Putini të pajtohet për një armëpushim në vijat ekzistuese të frontit dhe që të dy palët të shkëmbejnë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e zhdukur para se të hapet çdo diskutim rreth territorit dhe sigurisë së ardhshme të Ukrainës.

Zelensky sqaroi se nuk do të marrë pjesë personalisht në samitin në Alaskë, por shpreson që pas takimit të Trumpit me Putinin të zhvillohet një “takim trepalësh” mes tyre, edhe pse lideri rus ka refuzuar deri më tani një takim me presidentin ukrainas.

Duke folur për Trumpin, Zelensky tha: “Nuk besoj se propozimi i Putinit është propozim i Trumpit. Besoj se Trumpi përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po vepron si ndërmjetës – është në mes, jo në anën e Rusisë. Le të mos jetë në anën tonë, por të jetë në mes.”

Lideri ukrainas theksoi se nuk e di saktësisht temat që do të diskutohen në Alaskë, por përmendi se mund të ketë bisedime dypalëshe për tregtinë, sanksionet dhe biznesin.

Ai gjithashtu tha se Putini po kërkon një fitore diplomatike me organizimin e këtij takimi, duke u shprehur: “Ai po kërkon, të më falni, fotografi. Atij i duhet një foto e takimit të tij me presidentin Trump.”

Zelensky akuzoi Rusinë për tentativë për të krijuar një narrativë në median amerikane se Rusia po fiton luftën dhe Ukraina po humb, përmes sulmeve sabotazhi në Donbas.

Ai pranoi se “grupe ruse kanë përparuar rreth 10 kilometra në disa vende”, por shtoi: “Ata nuk kanë pajisje, vetëm armë në duar,” duke theksuar se disa nga këto forca janë vrarë apo kapur.

Në fund, Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatit një ofensivë të re në vjeshtë me rreth 30 mijë trupa të zhvendosura nga rajoni i Sumy në verilindje të Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin…