UNË ÇDOHERË TË MENDOJ TY

28 tetor 09:27

ABDURRAHIM KARAKOÇ

 

UNË ÇDOHERË TË MENDOJ TY

 

Kur dëgjoj fjalë për dashurinë

Unë çdoherë të mendoj ty

Përgjatë imagjinatave të pafundme

Unë çdoherë të mendoj ty

Yjet rrëshqasin nga lart

Ngjyrat shkëputen nga nata

Zemra ime rrjedh lehtas

Unë çdoherë të mendoj ty

Qoshja e mendjes hiçin ta prekë

Një rrugë përbrenda kërkoj

Gjithësia fle në heshtje

Unë çdoherë të mendoj ty

Aty ku mbaron frika

Kënaqësi ndiej pak nga pak

Një varr po të shoh diku

Unë çdoherë të mendoj ty

Koha gjithnjë rrjedh drejt pafundësisë

Pema bie e dega ngrehët

Duke i shikuar lulet

Unë çdoherë të mendoj ty

Era fryn nga vendi në vend

Në jetesë nuk mbaron kjo vuajtje

Përtej ekzistencës, madje edhe në mosekzistencë

Unë çdoherë të mendoj ty

 

TURP

 

Syzeza ime, ndarja arrin

Dy sytë e mi u bënë lumë, eja më

Po të preku dora ime edhe uji që rrjedh do të digjet flakë

I tëri po digjem, eja më

Në shpinën e muajve vitet bartur janë

Mos mendo se të huajt për mua kanë menduar

Foshnjat u rritën e u martuan, rrugët u gërryen

Gonxhet bli u bënë, eja më

Llogarit që kur në kurbet ke shkuar

Sa kohë ka kaluar dhe tridhjetë herë hëna u zë

Edhe të burgosurit, syrgjynosurit, robërit

Në vendet e tyre u kthyen, eja më

Zemra te ti, e sytë në rrugë më mbetën

Ora u rebelua e kalendari u tërbua

Malli hanxharin ma nguli në gji

Zemra po më gjakos, eja më

Të kota i ka përpjekjet zogu i pafole

Gati është koka dheun të ta prekë

Po qe se s’më mendon mua, veten mendoje

Të gjithë po të turpërojnë, eja më

 

UNË

 

Unë, erë e furishme e maleve me borë

Unë, stoiku i rrugëve me pluhur

Unë, lumë i shteruar i dashurisë

Unë, rojtar i tokës, gur i varrit

Unë, plagë që vazhdimisht gjakosë

Unë, çoban që kopenë e mendimeve humbur ka

Unë, i rënë pas imagjinatës këmbëzbathur

Unë, ushqim fakiri në vende mërgimi

Unë, një anije e kalbur në detin e dashurisë

Unë, pika e shiut në gjurmët e dostit

Unë, u dogja e shkrumb u bëra në thëngjillin e dashurisë

Unë, bashkudhëtar i brengës së dashurisë së zezë

Unë, më i madhi armik i buzëqeshjes së kotë

Unë, i rënë pas një ëndrre që të mbarojë nuk di

Unë, që nga vjet qaj për të vdekurin e tashëm

Unë, luftëtari i parë i ndjenjës ku unë mungoj

Unë, i çmenduri që zemra mendjen s’ia dëgjon

Unë, i çmenduri i pangopur me pak mendime

Unë, i çmenduri që veten asgjë numëron

Më lini mua nga unë të largohem

 

FOTOGRAFI

 

Ti vajzë e bukur që të shikoj në fotografi

Të kam harruar, të kam harruar, të kam harruar ty…

Le të mbetet e vetme në një album të vjetër

Të kam harruar, të kam harruar, të kam harruar ty…

Dy shkronja, një nënshkrim, një datë, për çudi

Është e qartë që të palumtura e të vuajtura janë që të tria

Mos ma vështirëso mendjen përballë duke më qëndruar

Të kam harruar, të kam harruar, të kam harruar ty…

S’e di sa kanë kaluar vite

Nga je, kush je, emrin si e ke

Mos më shiko “kujtomë” sikur thua

Të kam harruar, të kam harruar, të kam harruar ty

 

MESELEJA E FLOKËVE

 

Mu si malet me dëborë kokën drejt e mban

Mjegullës së pranverës flokët e saj i ngjajnë

Të veçanta janë vetullat e qerpikët e saj

Plagët e gjoksit tim m’i shtypin flokët e saj

Sa zemra të varura në telin tënd mbetën

Valëviten në krahët e tu e në tëndin bel

Nganjëherë qafës, ndonjëherë ballit

Nga pllaja në pllajë shëtisin flokët e saj

Faqet e saj si shegë e lulëzuar

Sytë e saj si një lumë me guralecë

Gjoksi i saj si bora që bie në maja të bjeshkëve

Mirëpo më i bukuri se të gjitha është floku i saj

I lidhë që të mos ia trazoj era që fryn

E të mos i kundërvihen ata që ia shohin

Që të mos e pengojnë askënd

Vetëm mbrëmjeve i zgjidhë flokët e saj

 

BISEDË ME BJESHKËN

 

Bjeshkë e madhe me dëborë e pisha të zeza

Më thuaj se çfarë është madhështia

Kur netëve e vetme mbetesh

Vetmia çfarë është, më thuaj

A të dhembë koka, a lodhesh ndonjëherë

Me ndonjë a je hidhëruar e zemëruar

A ke dashuruar, puthur e përqafuar

Malli çfarë është e s’është, më thuaj

Kush e matë harenë e hidhërimin

Për sa vite kalon plaga e fjalës së hidhur

Të presësh është e dhimbshme e ndarja hanxhar

Kurbeti, çfarë është e s’është, më thuaj

Ke pyll, lumë e zogj

Në të katër stinët kokën e rrethuar me ré

S’e di, por ke një jetë të stërgjatë

Koha, çfarë është e s’është, më thuaj

 

BEREQET

 

Dashuri the e në gjoks hanxharin ma ngulite

Gjaku im nuk shteron lumë pa u bërë

Lulja e kësaj plage që mban erë dashurie

Pa u bërë hoje mjalti nuk mbaron

Çka është malli, të nesërmen e të djeshmen pyet

Po qe se nuk beson rikthehu e pyet përsëri

Pyetmi netët e mia të kaluara pa ty

Orët vit pa u bërë nuk përfundojnë

Po të shoh ta them ngjyrën e pamjes

Fati i keq e ngreh të ulëtën

Zjarri i kësaj dashurie që në brendësi kam

Pa m’i bërë eshtrat hi nuk shuhet

 

MOS E DËMTO

 

Ulu në hije, por gjethet nga ti

Mos të dëmtohen

Pastrohu e në varr hyn

Toka nga ti mos të dëmtohet

Rrugët janë të gjata e të largëta

Shkurtohen kur vjen dashuria

Shtrihu e kurban bëhu si Ismaili

Por thika nga ti mos të dëmtohet

Këtu jam thuaj nëse të kërkojnë

Të vërtetën thuaje nëse të pyesin

Nëse tabutin ta mbështjellin

Flamuri nga ti mos të dëmtohet

Kur ti shpërngulesh edhe atdheu le të ikë

Rruga le të digjet kur kalon ti

E kur nga uji pi

Burimi nga ti mos të dëmtohet

Mos të të prek pluhuri ty

Haku i popullit të kalon ty

E afërta mos të thyhet nga ti

E largëta mos të dëmtohet nga ti

 

UNË ÇDOHERË TË MENDOJ TY

 

Kur dëgjoj fjalë për dashurinë

Unë çdoherë të mendoj ty

Përgjatë imagjinatave të pafundme

Unë çdoherë të mendoj ty

Yjet rrëshqasin nga lart

Ngjyrat shkëputen nga nata

Zemra ime rrjedh lehtas

Unë çdoherë të mendoj ty

Qoshja e mendjes hiçin ta prekë

Një rrugë përbrenda kërkoj

Gjithësia fle në heshtje

Unë çdoherë të mendoj ty

Aty ku mbaron frika

Kënaqësi ndiej pak nga pak

Një varr po të shoh diku

Unë çdoherë të mendoj ty

Koha gjithnjë rrjedh drejt pafundësisë

Pema bie e dega ngrehët

Duke i shikuar lulet

Unë çdoherë të mendoj ty

Era fryn nga vendi në vend

Në jetesë nuk mbaron kjo vuajtje

Përtej ekzistencës, madje edhe në mosekzistencë

Unë çdoherë të mendoj ty

 

DO TË VIJ

 

Edhe po të jenë vitet njëzet apo tridhjetë

Edhe po të jenë rrugët me borë, lloç e akull

Trupi im i lodhur, uritur e etur po të jetë

Një ditë këmbëzbathur, këmishë djersitur

Do të vij, më prit

Ndoshta së shpejti e ndoshta më vonë

Mbi shpinë kujtimet e në flokë të bardhat

Ditë, datë nuk di por, gjithsesi,

Me një zell, durim e përpjekje të pafund

Do të vij, më prit

Mos mendo s’e harroj, e mundur nuk është

Mos beso edhe po të thonë nuk do të vijë

Mos e humb shpresën në kalimin e kohës

U vonua duke thënë mos u hidhëro

Do të vij, më prit

Mbase në një mbrëmje të ngrohtë vere

Mbase në një mbrëmje të verdhë vjeshte

Mbase në mbrëmjen e bardhë të dimrit

Në duar me buqetë lule të kaltra

Do të vij, më prit

Edhe po t’i marrë vërshimi të gjitha urat një nga një

Kam premtuar një herë pengesë nuk njoh

I mbuluar nga bora, maleve me dëborë duke kaluar

Me një copë bukë e një pikë ujë në gojë

Do të vij, më prit

Edhe po qe se nuk na e kthen rininë e humbur

Do të na bashkojë një ditë Ai që na ka ndarë

Dhe me dashurinë më të pastër në brendi

Me zemër të pastër e mbushur me ty

Do të vij, më prit

 

HIJA IME

 

Unë bëhem gjahtar, ajo drenushë

Nga pas e ndjek hijen time

Shpresa bëhet dhé, brengat kohë

Pe i vë dhe e tërheq hijen time

Çdo mëngjes e çdo pasdite

Në dysh e ndaj hijen time

Që të luajnë fëmijët duarbosh

Si dhuratë ua jap hijen time

Në hijen time mijëra plagë gjakojnë

Nëse hijen time e prekin, hijet e tjera digjen

Netëve hija ime rrugëve ngrinë

Sikur borën nga rruga heq hijen time

Muajt zhvishen nga drita, ngjyra

Ndonjëherë buzë mbrëmjes, ndonjëherë në agim

Kur zogjtë në foletë e tyre kthehen

Në diell e shoh hijen time

Dashuria sa maja e bjeshkës, urrejtja bunar i pafund

Më e shkurtër se pëllëmba është gjatësia e jetës

Nëse ndotet toka, uji

Në gjoks qëlloj hijen time

 

MOS HARRO

 

Thamë letër dhe u bëmë poezi përsëri

Nëse më zemërohesh, unë vdes, mos harro

Jam bimë kacavjerrëse-urth e njomë trupit të vrazhdë

Nëse më përqafon, unë vdes, mos harro

Një ditë bëhesh diell e në qiell lind

Një ditë bëhesh shi e në rrugë bie

Një ditë në lule aromë shpërndanë

Nëse lodhesh, unë vdes, mos harro

Maja e shpatës është rrugë e shigjetës mejdan

Ki kujdes se je shpirti im, moj xhan

Luginave je thëllëzë e në shkëmb drenushë

Nëse vritesh, unë vdes, mos harro

Kur përmendet dashuria lëre mendjen, e çmendur bëhu

Nga qielli duke shndritur poshtë bjerë

Vërshim i turbullt shiu bëhu

Nëse pastrohesh, unë vdes, mos harro

Është e vështirë, e dashur, të më dëgjosh, të më kuptosh

mua

Nëse do të më shohësh në brenga, më shih

Në dheun e zemrës sime tyrben ta kam ndërtuar

Nëse ringjallesh, unë vdes, mos harro

 

(Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj. Marrë nga revista “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LEONARD COHEN   Gjaku i tij në krahun tim është…