
Unitedi, gati 100 milionë euro për Tonalin
Manchester United është gati që të hyjë në garë për shërbimet e Sandro Tonalit, ndërsa klubi po përgatit një ofertë prej 100 milionë eurosh për mesfushorin e Newcastle.
Sipas “Corriere dello Sport”, “Djajtë e Kuq” konsiderohen si favoritë për të marrë shërbimet e mesfushorit italian, i cili në këtë sezon është dalluar me lojën e tij për bardhezinjtë. Për 25-vjeçarin interes ka edhe nga Italia, me Juventusin që e dëshiron ta ketë në ekip për sezonin e ardhshëm.
Një ndikim të madh në transferimin për “Djajtë e kuq” do të ketë suksesi i ekipit në Ligën e Evropës dhe më pas kualifikimi në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, bashkë me përfitimet financiare që kjo sjell.
Italiani është një mesfushor që dallohet për teknikën dhe formën fizike të tij, ndërsa bashkëpunimi me Bruno Guimaraes në mesfushën e Newcastle ka qenë mjaft i suksesshëm. “Bardhezinjtë” kanë dy fitore me “Djajtë e kuq” në këtë sezon, ku kontribut në këto suksese ka pasur edhe italiani. Por vështirë që Newcastle të heqë dorë nga 25-vjeçari, pavarësisht ofertës së lartë. Tonali në 33 takime në Premier Ligë në këtë sezon ka shënuar tre gola dhe ka dhënë edhe dy asistime.