UP-ja dërgon mbi 160 studentë në mobilitet Erasmus+ drejt universiteteve evropiane dhe japoneze

30 janar 2026 | 11:49

Para udhëtimit drejt universiteteve të përzgjedhura evropiane nëpërmjet programit Erasmus+, studentët që përfitojnë nga kjo mundësi u takuan në rektorat me drejtuesit e Universitetit të Prishtinës.

Në semestrin veror 2026, mbi 160 studentë të Universitetit të Prishtinës do të nisin mobilitetin e tyre drejt universiteteve evropiane, në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe drejt universiteteve japoneze.

Studentët e UP-së që do të shkojnë për një semestër në universitete ndërkombëtare, u zotuan se do ta promovojnë Universitetin e Prishtinës në vendet ku do të studiojnë, duke krijuar ura të reja miqësie.

Studentja Poema Efendia, që do të studiojë në Universitetin e Giessenit të Gjermanisë, falënderoi Universitetin e Prishtinës dhe Departamentin e tij për Bashkëpunim Ndërkombëtar për mundësinë e dhënë, duke u dëshiruar fat e suksese kolegeve e kolegëve në këtë përvojë të re e sfiduese.

Studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Ardi Blakaj që studioi për disa muaj nëpërmjet programit të BE-së Erasmus+ në Universitetin e Pavias në Itali, tregoi përvojat e veta nga atje, duke i cilësuar thesar të çmuar miqësitë që krijoi gjatë kësaj përvoje.

Blakaj tha se është kthyer nga Italia si një person tjetër, më i përgatitur për jetë dhe me vetëbesim më të madh, teksa ndau me të pranishmit edhe fotografi nga përjetimet e tij.

Rektori, prof. Arben Hajrullahu, u dëshiroi studentëve shtim të aftësive akademike dhe shkathtësive për jetë, duke i porositur që të shfrytëzojnë kohën e mundësive të jashtëzakonshme e të pakufishme në të cilën po jetojmë.

Prorektorja Rozafa Basha, përvojat që do të fitojnë studentët nga studimet në Evropë e përtej i cilësoi transformuese.

Ajo i konsideroi këta studentë ambasadorë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa u shpreh e bindur se ata do të përçojnë vlerat e UP-së dhe Kosovës kudo, me dinjitet dhe përgjegjësi.

Ngjarja u drejtua nga koordinatorja e programit Erasmus + në Universitetin e Prishtinës, Afërdita Rexhepi dhe u organizua nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës. Studentët u porositën që gjithsesi ta marrin me vete në përvojat e tyre jashtë vendit, flamurin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rikthimi i artistit nuk mund të ishte më i fuqishëm…